Historia e djalit me tatuazhin e nënë në krah dhe Policia e Shtetit
Ben Blushi ka publikuar në rrjetin e tij social një histori të fuqishme dhe prekëse që ka ndodhur dhjetë vite më parë. Ai kujton një djalë që ëndërronte të bëhej polic dhe kishte kaluar të gjitha testet përveç njërit, për shkak të një tatuazhi në krah, fytyrën e nënës së tij të ndjerë.
Sipas Blushit, shkolla e Policisë i kërkoi djalit të fshinte tatuazhin në mënyrë që të kalonte provimin, pasi policëve nuk u lejohet të mbajnë tatuazhe. Djaloshi qau gjatë, e fshiu tatuazhin, por sërish nuk kaloi testin dhe ëndrra e tij për t’u bërë polic mbeti e parealizuar.
Ben Blushi shton se që atëherë nuk ka informacion se ku ndodhet djali, nëse ka arritur të bëhet polic, apo nëse riktheu tatuazhin e nënës së tij. Ai bën thirrje që kushdo që e njeh të kontaktojë, në mënyrë që të fotografohet sërish me tatuazhin e nënës dhe të ruhet kujtimi i kësaj historie të prekshme.
Dhjetë vite më parë, historia e tij ishte treguar nga vetë Blushi në Parlamentin e Shqipërisë, dhe tani ajo rikthehet për t’u ndarë me publikun në rrjetet sociale.
Postimi i plotë:
Dhjetë vjet më parë duke folur në Parlament kam treguar historinë e një djali që ëndërronte të bëhej polic.
Ai kishte fituar të gjitha testet me përjashtim të njërit.
Kishte një tatuazh.
Kohë më parë i kishte vdekur mamaja dhe fytyrën e saj të bukur e kishte bërë tatuazh në krah.
Shkolla e Policisë i kishte kërkuar ta fshinte tatuazhin në mënyrë që të kalonte provimin.
Policëve nuk i lejohet të mbajnë tatuazhe në trup.
Djali kishte qarë gjatë, e kishte fshirë tatuazhin e nënës por prapë nuk e kishte kaluar dot klasën.
Kishte humbur.
Nuk ishte bërë dot polic megjithëse kishte fshirë fytyrën e nënës nga trupi i vet.
Këtë histori ai mu lut ta tregoja në Parlament dhe unë e tregova siç ishte.
Që atëherë ai djalë më ka humbur.
Nuk e di më ku është, kush është dhe çfarë ka bërë.
A është bërë dot polic?
A e ka më tatuazhin e nënës së vet në trup?
Nëse dikush e njeh të më thotë ku është dhe unë do ta fotografoj me tatuazhin e nënës.
Siç fotografova historinë e tij të dhimbshme dhjetë vjet më parë në Parlamentin e Shqipërisë.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



