E mërkurë, 14 tetor 2026 DENONCO ANONIM Denonco: +355 69 20 95 843
PUBLIK
Historia e plotë e miqësisë dhe e borxhit mes djalit nga Kosova dhe vajzës nga Tirana
Publik News

Historia e plotë e miqësisë dhe e borxhit mes djalit nga Kosova dhe vajzës nga Tirana

Ditën e djeshme, në Gjykatën e Tiranës është shqyrtuar çështja në ngarkim të një shtetasi nga Kosova, i cili u arrestua nën akuzën e mashtrimit të një qytetareje në Tiranë.

Prokurorja e çështjes ka lexuar faktet e mbledhura nga dëshmia e së dëmtuarës dhe në bazë të tyre ka kërkuar që “mashtruesi” të lihet në masën e arrestit me burg dhe Gjykata ashtu ka vendosur. Por ajo që bie në sy në lidhje me këtë çështje që tashmë është kthyer në shqetësim serioz, është fakti se “mashtruesi” i ka treguar Policisë, Prokurorisë dhe Gjykatës se ai është mashtruar nga një person tjetër. Paratë që ia ka marrë mikeshës së tij nga Tirana ia ka dhënë një shtetasi me emrin Rinor. Policia dhe as Prokuroria nuk kanë dhënë asnjë sinjal në lidhje me ekzistencën e këtij personi tjetër mashtrues, ndërkohë shqiptari i Kosovës e ka pranuar borxhin, por jo në shumën që pretendon kallëzuesja mikeshë e tij. I riu nga Kosova i ka thënë Gjykatës se shifra prej 135 mijë eurosh bëhej sepse mikesha ia kishte dhënë paratë me fajde, por që ai nuk i kishte marrë një shumë të tillë.

SEANCA

Gjykata e Tiranës ka lënë në burg pa afat 30-vjeçarin nga Kosova, Qerim Krasniqi, i cili akuzohet se i ka marrë një qytetareje nga Tirana një shumë prej 135 mijë eurosh përmes mashtrimit. Seanca zbuloi disa episode mashtrimesh, pasi i riu ka pretenduar se paratë e marra nga shtetasja shqiptare i ka humbur pasi është mashtruar duke ia dhënë një shtetasi nga Maqedonia e Veriut me emrin Rinor. Ky i fundit mësohet se e ka mashtruar duke i thënë për investim në bursë, por që nuk ka arritur t’i marrë mbrapsht asnjëherë paratë e tija.

Prokuroria ka shpjeguar se denoncimi është bërë në datën 15 shtator 2021 nga e dëmtuara Mariana Çakuli. Ajo ka theksuar se jep dhoma me qira në bulevardin “Zogu i Parë”, ku i arrestuari ka qëndruar pasi ka mbërritur në Shqipëri nga Zvicra. Gjatë qëndrimit në pronën e saj, denoncuesja thotë se Qerim Krasniqi është prekur nga Covid, dhe ka pasur nevojë për përkujdesje. Për këtë arsye, ajo e ka marrë të akuzuarin në banesën e saj. Në gusht 2021, ai i ka kërkuar.

asaj 50 mijë euro borxh me justifikimin se llogaritë e tij në Zvicër ishin bllokuar. Më pas, ai i ka kërkuar sërish së dëmtuarës shuma të ndryshme, 30 mijë euro, 28 mijë euro, 20 mijë euro dhe një shumë tjetër prej 6 mijë euro, të cilën e ka marrë në pjesë të vogla, nga 400-500 euro. Në total, sipas kallëzueses, shuma që ajo i ka dhënë të akuzuarit ka qenë 135 mijë euro, të cilat Qerim Krasniqi ka premtuar se do t’i kthente të gjitha bashkë pasi do t’i zhbllokohej llogaria në Zvicër.

Denoncuesja ka komunikuar me shtetasin nga Kosova deri në dhjetor, dhe më pas, ai, duke mos kthyer borxhin, ka shkëputur çdo komunikim dhe ka fikur të gjithë numrat e telefonit. Pas nisjes së hetimeve bazuar në denoncimin e gruas së dëmtuar, Qerim Krasniqi është shpallur në kërkim policor, ndërkohë që në datën 22 prill 2022 ka tentuar të hyjë në Shqipëri ku është ndaluar. Ai është pyetur për eurot që i kishte marrë shtetases Mariana, të cilës pranoi se i ka marrë 85 deri në 87 mijë euro, të cilat i ka investuar në bursë. Ai ka shpjeguar se fondet i ka dhënë te një shtetas nga Maqedonia e Veriut, të cilin e njeh me emrin Rinor, por që gjeneralitetet e plota nuk ia di.

I arrestuari ka thënë se shtetasi maqedonas i ka marrë edhe 32 mijë euro të tjera dhe më pas është zhdukur, duke e detyruar edhe atë që të shkëpusë kontaktet me Marianën dhe të largohet nga Shqipëria. Pas arrestimit, i akuzuari nga Kosova është shprehur i gatshëm ta kthejë borxhin me këste nga 5 mijë euro në muaj, të cilat i ka të ardhura nga tregtimi i kriptovalutave. Po kështu, Qerim Krasniqi ka pranuar se i ka marrë një doktoreshe me emrin Imelda një shumë prej 500 eurosh dhe nuk ia ka kthyer ende.

DOSJA E PROKURORISË

Sipas materialit procedural rezulton se më datë 15.09.2021 ka paraqitur kallëzim penal pranë Drejtorisë së Policisë së Tiranës shtetasja Mariana Çakuli, e cila parashtron se ka pasur një banesë në rrugën “Zogu i Parë”, të cilën e ka shitur në shumën 170 mijë euro dhe para rreth tre muajsh ajo  kishte dhënë një shumë lekësh për të blerë një shtëpi, të cilën e ka kthyer në minihotel për ta dhënë me dhoma me qira ditore ose mujore. Pas një jave që ajo ka qenë në atë banesë, ka shkuar një shtetas kosovar që jetonte në Zvicër, me emrin Qerim Krasniqi, i datëlindjes 26.09 1992. Duke qenë se ai ka qëndruar aty për një kohë të gjatë, ata janë miqësuar me njëritjetrin. Shtetasja Mariana Çakuli deklaron se për shkak të sëmundjes Covid, e ka marrë edhe në banesën e saj për t’u kujdesur për të. Në muajin gusht, ky shtetas i ka kërkuar kallëzues në formë borxhi një shumë prej 50 mijë eurosh me justifikimin që i kishin bllokuar llogarinë bankare në Zvicër dhe është lutur që ta ndihmonte, shumë të cilën kallëzuesja ia ka dhënë.

NDALIMI DHE RRËFIMI I KRASNIQIT

Në mbështetje të pretendimeve të saj, shtetasja Mariana Çakuli ka vënë në dispozicion të hetimit edhe statement bankar mbi tërheqjet e kryera në bankë si dhe bisedat e kryera me shtetasin Qerim Krasniqi. Në këto kushte janë kryer veprime hetimore në vijimësi nga shërbimet e Policisë Gjyqësore, ndërmjet të tjerash kërkimi policor dhe njoftimi në kufi për këtë shtetas. Më datë 22.04.2022 ka tentuar të hyjë në territorin tonë, ai është ndaluar dhe pyetur dhe ndërmjet të tjerash ka shpjeguar se shtetases Mariana Çakuli i ka marrë një shumë prej 85-87 mijë euro. Këtë shumë monetare e ka investuar në bursë. Investimin e ka kryer te një shtetas nga Maqedonia e Veriut, të cilin e njeh me emrin Rinor, por që gjeneralitetet e tjera nuk ia di. Rinori, pasi i ka marrë këtë shumë monetare, si edhe një shumë tjetër prej 32 mijë eurosh nga të ardhurat e tij, i ka shkëputur kontaktet dhe është zhdukur. Në këto kushte, Qerimi ka shkëputur marrëdhëniet me Marianin dhe është larguar nga Shqipëria. Kontaktet ai i ka mbajtur me kallëzuesen deri në 15 janar 2022, por që nuk kanë rënë dakordpër kthimin e shumës pasi Mariana donte një shumë prej 50 mijë eurosh në dorë. Ai shprehet se është i gatshëm të bëjë një marrëveshje me Marianën ku t’i kthejë një shumë prej 5 mijë eurosh çdo muaj të ardhura, të cilat do të vinin nga tregtimi i kriptovalutave. Ai ka treguar gjithashtu se i ka marrë edhe një mjekeje shumë prej 500 eurosh pasi ka qenë në kushte të vështira ekonomike dhe se ende nuk ia ka kthyer. Është bërë ballafaqimi mes kallëzueses dhe të kallëzuarit dhe të dy u kanë qëndruar dëshmive të veta. Në këto kushte është bërë ndalimi me iniciativë nga shërbimet e Policisë Gjyqësore pas komunikimit me prokuroren e çështjes. Sa më sipër kërkohet vleftësimi i ndalimit sipas nenit 253 të K.P.P”, thuhet në dosjen hetimore paraprake për vleftësimin e masës së sigurimit personal për të kallëzuarin.

MASHTRIMI QË ZBULOI NJË TJETËR MASHTRIM

I arrestuar, menjëherë mbasi hyri në Shqipëri, 30- vjeçari u justifikua se borxhin me përqindje e mori nga mikpritësja me synimin për t’i investuar në kriptomonedhë. Duke përfshirë edhe përqindjet, ky borxh sipas tij i shkoi 135 mijë euro. ‘Krasniqi më tha se do m’i kthente paratë sapo t’i hapej llogaria bankare’, tha gruaja pranë autoriteteve, atëherë kur e kuptoi se ishte gënjyer dhe miku i kishte bërë bllok në telefon. Qerim Krasniqi përsërit nga ana e tij se edhe ai është mashtruar nga një maqedonas që ia përvetësoi paratë dhe pastaj u zhduk. Dëshmia më e re e tij përpara Gjykatës që flet për para me fajde dhe po vlerësohet nga akuza. Me gjithë pretendimet e parave me fajde, deri më tani janë nën hetim vetëm 5 dosje të tilla, një proces i cili është i ndaluar nga ligji në vendin tonë.

Na ndiqni në YouTubeVideo, intervista dhe transmetime nga PUBLIK TV Abonohu

Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.

Denonco
DENONCO

Zëri yt bëhet lajm.

Bëhu pjesë aktive e Publik.al. Raporto çdo padrejtësi, korrupsion apo ngjarje, me foto dhe video. Identiteti yt mbrohet nga redaksia.