E enjte, 15 tetor 2026 DENONCO ANONIM Denonco: +355 69 20 95 843
PUBLIK
Hukubeti
Publik News

Hukubeti

Industria televizive në Shqipëri shkëlqen. Në fakt, është diçka mes shkëlqimit dhe mjerimit. Ka shumë ngjashmëri me historinë e papërballueshme të Honore de Balzac, por heronjtë tanë televiziv po mbijetojnë më së miri. Detaje të komplotit të gjeniut francez gjenden lehtësisht nëpër studiot e vezulluese, ku sillen rrotull të njëjtat personazhe, që thonë të njëjtat gjëra që prej lashtësisë.

Në të vërtetë gjendja ka kaluar në grotesk, por në atë lloj grotesku të paanë, ku të gjithë e shohin, e kuptojnë, e ndjejnë, e neverisin, dhe njëkohësisht e pranojnë, dhe nuk shprehen. Fundja, kush të shprehet?! Kameramanët, pastrueset, portierët, apo publiku që paguhet si skenografi e gjallë? Pjesa tjetër janë ata, moderatorët e lavdishëm dhe të ftuarit e tyre të përhershëm.

Ndërsa opinioni publik dëgjon i shushatur me telekomandë në dorë pordhët e mendimtarëve tanë tejet kreativ, Shqipëria zbrazet e tëra. Pikë pikë, bijtë e shqipes arratisen nga Atdheu në kërkim të copës së bukës diku në perëndim. Kreshtat e larta të maleve nuk hahen, as dheu fushave pjellore nuk kapërdihet gjallë, ndërsa mendimtarët i japin dum muhabetit, dhe ndahen për t’u rimbledhur përsëri nesër mbrëma në të njëjtën orë, në të njëjtin vend, për të dëgjuar të njëjtat gjëra.

Ka diçka të pabesueshme në guximin e disa mendimtarëve (televiziv), që megjithse kanë gati tre dekada që merren me gazetari dhe televizon, akoma kanë guximin e çartur të bëjnë të njëjtën gjë.

Fusnota:
Në fakt jam në dilemë; të shkruaj emrat e mendimtarëve apo jo? Të përmend emisionet legjendare, të kthyera në marka televizive brenda gjigandëve të tillë si TOP CHANNEL, KLAN TV, ORA NEWS, NEWS 24? Apo t’i lë në shkëlqimin e tyre ngadhnjimtarë, mbi një popull të futur si zhguni në ujë? Imagjinojeni pak; teksa ata mblidhen çdo natë rreth tavolinave të rrumbullakta, dëgjuesit pakësohen në numër. Kjo nuk ndodhë se ata po shohin ndonjë program tjetër më të mirë, por e dinë se, ta zëmë, ARENA e Dritan Hilës ka të ftuar Fatos Klosin, që thotë të njëjtën gjë që ka thënë gjithmonë. Po ashtu, Lorenc Vangjeli do të përsërisë të njëjtat gjëra tek Blend Fevziu. Në anën tjetër, tek Sokol Balla stampa nuk ndryshon kurrë; Skënder Minxhozi dhe Arjan Vasjari do flasin të revoltuar. Artur Zheji është origjinal; sepse po i jep zë opozitës së re me gjigandin Kujtim Gjuzi.

A ka shkëlmim më madhështor?

Shqipëria është një treg i vogël, domethënë treg i vogël për gjithçka. Shqiptarët i kanë tragjeditë hamletiane në sofër, ndërsa në televizion i serviret një Kryeministër shtazë që thotë se “unë jam Kryeministri më i mirë që prej kohës së Ismail Qemalit”. Merreni me mend se çfarë hukubeti; ndërsa mendimtarët tanë nuk e kuptojnë.

Çfarë thash?! Nuk e kuptojnë mendimtarët tanë hukubetin?!

Ok, po e shpjegoj. Hukubeti, përndryshe është gjendja katastrofë, aty ku thërret qameti, domethënë, saktësisht vendi ku droga luhet hapur, ku njerëzit vrasin veten për bukën e gojës, ku vajzat shesin trupin për 50 euro, ku fëmijë dhe gra vdesin cepave të Shqipërisë, pa strehë, pa bukë në sofër. Hukubeti është vendi ku një shtazë që e quan veten Kryeministër, nëpërmjet një shpikje origjinale, i merr nga Buxheti i Shtetit miliona euro, dhe ia jep Vilma Nushit krejt kot, sepse, para se popullsia të bëjë analizat e shurrës, duhet të jetë e ushqyer me proteina dhe vitamina, përndryshe analizat e shurrës dalin fallco.

Hukubeti është vendi ku rri Kujtim Gjuzi dhe Gramoz Ruçi. Hukubeti është vendi ku është Ministër Gent Cakaj.

Hukubet është vendi prej nga shqiptarët duan të ikin. Mendimtarët tanë televizv do të vazhdojnë edhe pak sa të zbrazet Shqipëria. Por kur të fiken dritat në studio për arsye katastrofe njerëzore, ata do ta kuptojnë se në çfarë gjendje transi paskan ra. Me të shpejtë do të largohen pa kthyer kryet mbrapa, drejt Aeroportit Nënë Tereza.

Po mendoj se jam duke i pa në garë me njani tjetrin; Blendi, Sokoli, Eni, Arturi, Muchi, Lorenci, Arjani, Mero, Carlo, Spartaku…

Kush fiton garën?!

Po, jo, po, jo.

Na ndiqni në YouTubeVideo, intervista dhe transmetime nga PUBLIK TV Abonohu

Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.

Denonco
DENONCO

Zëri yt bëhet lajm.

Bëhu pjesë aktive e Publik.al. Raporto çdo padrejtësi, korrupsion apo ngjarje, me foto dhe video. Identiteti yt mbrohet nga redaksia.