I ‘fali’ bashkitë si Luli, justifikohet Berisha: Ne nuk ishim pjesë!
Kryedemokrati Sali Berisha ka reaguar pas humbjes së thellë që pësoi opozita në zgjedhjet e pjesshme të 9 nëntorit, ku Partia Socialiste fitoi bindshëm në bashkitë Vlorë, Mat, Berat, Tepelenë dhe Cërrik.
Pas mbledhjes së grupit parlamentar, Berisha tentoi të justifikojë rezultatin duke deklaruar se Partia Demokratike nuk mori pjesë zyrtarisht në garë, por vetëm mbështeti disa kandidatë të pavarur.
“Falënderoj përzemërsisht kandidatët e pavarur për guximin e treguar. Kjo fushatë dëshmoi se në Shqipëri jemi në një farsë elektorale, në një diktaturë totalitare që tashmë po njihet si e tillë. Ne nuk ishim pjesë e zgjedhjeve, por vetëm në mbështetje të tyre,” tha Berisha.
Sipas tij, mospjesëmarrja nuk ishte bojkot, por një vendim i ndërgjegjshëm për të treguar se procesi elektoral në vend është i manipuluar.
“Kjo qeveri zgjedhje nuk bën, ajo thjesht inskenon një farsë. Ne bëmë thirrje qytetarëve që të votonin, por realisht nuk kishte garë. Farsa duhet luftuar, sepse në farsë nuk ka zgjedhje,” u shpreh ish-kryeministri.
Deklaratat e Berishës erdhën pasi Partia Socialiste siguroi fitore të thellë në të gjitha bashkitë ku u mbajtën zgjedhjet, ndërsa opozita u rendit shumë prapa, duke lënë përshtypjen e një “dorëzimi të heshtur”, siç ndodhi në kohën e ish-kreut të PD-së, Lulzim Basha.
Krahasimet nuk munguan as në rrjete sociale, ku shumë komentues e akuzuan Berishën se “fali bashkitë si Luli”, ndërsa përpiqet ta shesë humbjen si një “akt politik të qëllimshëm”.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



