E enjte, 15 tetor 2026 DENONCO ANONIM Denonco: +355 69 20 95 843
PUBLIK
“I forti i Beratit” kërkoi kofshë viçi për ta gatuar në burg, por në të i gjejnë…
Lajme

“I forti i Beratit” kërkoi kofshë viçi për ta gatuar në burg, por në të i gjejnë…

Drogë e fshehur në një kofshë viçi të sapotherur, në tentativë për t’ia dërguar në burg të fortit të Beratit, Lulzim Caka. Ngjarja u zbulua dje gjatë kontrollit rutinë të sendeve të të afërmve të dënuarve, ku Besnik Bali, nga Elbasani, ishte në radhë që të vizitonte Cakën. Sipas të dhënave, rezulton se Lul Caka dhe Bali kanë një lidhje krushqie së bashku dhe dyshohet se ky i fundit ta ketë vizituar edhe herë të tjera.

“Dje, rreth orës 11:45, gjatë kontrollit të shtetasit Besnik Bali në ambientet e kontrollit në IEVP Lushnjë, u gjet e fshehur në ushqime sasia e lëndës narkotike, e presuar dhe e paketuar përmes mbështjelljes me natriban. Droga ishte futur brenda një sasie mishi, të cilën Besnik Bali po ia dërgonte një shtetasi të dënuar, i cili vuan dënimin në IEVP Lushnjë. U kryen të gjithë veprimet procedurale dhe në bashkëpunim me Drejtorinë e Policisë Elbasan u krye arrestimi në flagrancë i shtetasit Besnik Bali. Gjatë kontrollit në banesën e tij në Elbasan, Policia gjeti një tjetër sasi lënde narkotike të ngjashme me atë që u kap në IEVP Lushnjë. Materialet e çështjes i kaluan Prokurorisë së rrethit Elbasan për veprime të mëtejshme”, thuhej në njoftimin e Ministrisë së Drejtësisë.

d105e643-84ad-4405-a69e-1074117de847

Burime nga Policia bënë të ditur se përveç Besnik Balit, 40 vjeç, nga Elbasani, është arrestuar edhe vëllai i tij, Isamir Bali, 34 vjeç, banues në fshatin Barbullinjë, Lushnjë. Gjithashtu, është shpallur në kërkim I.Z., 34 vjeç, banues në fshatin Drenovicë, Berat. Ata akuzohen se kanë tentuar të fusin në Burgun e Kosovës, në Lushnjë, lëndën narkotike kanabis sativa, e cila u sekuestrua në cilësinë e provës materiale. “Nga efektivët e Komisariatit të Policisë Lushnjë, është ushtruar kontroll në banesën e vëllezërve Bali në Elbasan, ku u gjet lëndë narkotike kanabis sativa. Nga veprimet e kryera rezulton se lëndën narkotike ata e kanë siguruar te shtetasi I. Z., i cili është shpallur në kërkim. Në cilësinë e provës materiale u sekuestruan 792 gramë lëndë narkotike kanabis sativa, që u gjeten në banesën e Balit në Elbasan”, bëri të ditur Policia. Ndaj të dyshuarve materialet iu referuan Prokurorisë së Elbasanit për veprat penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve” dhe “Futja ose mbajtja e sendeve të ndaluara në institucionin e ekzekutimit të vendimeve me burgim.

Ndërkaq, hetimi në lidhje me tentativën për të futur një sasi kaq të madhe droge në ambientet e burgut të Lushnjës është fokusuar në dyshimin kryesor se porositësi, Lulzim Caka, do ta shpërndante më pas atë te të dënuarit e tjerë. Burime nga grupi i hetimit bënë të ditur se ka dyshime të forta se Lulzim Caka ishte “punësuar” si shpërndarës droge. Ky dyshim bazohet edhe te sasia e madhe e drogës së sekuestruar, e cila tejkalon atë të një përdorimi vetjak.

Krimet e të fortit të Beratit

Lulzim Caka njihet si i “tmerrshmi i Beratit”, pasi ka qenë në krye të një grupi kriminal që kryente vrasje në vitet ’95-’97. Banda e “të fortit të Beratit”, Lulzim Caka, daton në vitin 1995, kur ai dyshohet se ka kryer vrasjen e parë. Nisur nga lidhjet e krijuara, Lul Caka, në vitin 1997, u bë tmerri i udhëtarëve në rrugën nacionale Berat-Lushnjë. Ai është arrestuar në Itali më 24 dhjetor të vitit 2001 dhe më pas është ekstraduar në vitin 2003, për të vuajtur dënimin me 25 vjet burg për vrasje.

Na ndiqni në YouTubeVideo, intervista dhe transmetime nga PUBLIK TV Abonohu

Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.

Denonco
DENONCO

Zëri yt bëhet lajm.

Bëhu pjesë aktive e Publik.al. Raporto çdo padrejtësi, korrupsion apo ngjarje, me foto dhe video. Identiteti yt mbrohet nga redaksia.