Makina e atentatorëve tip Golf 5, të cilët ende janë të paidentifikuar, është gjetur dje e djegur në Valias. Nga kqyrja që grupi i hetimit i ka bërë, ajo ka rezultuar pa targa, me numër shasie të fshirë plotësisht, ndërsa brenda saj është gjetur dhe një kallashnikov.
Kushëriri i Durim Bamit, Ervin Kodra, i cili mbeti i plagosur nga breshëria e plumbave ka thënë para hetuesve se ka qenë me të afërmin e tij në makinë, kur në afërsi të urës së Tapizës u është bërë pritë dhe janë qëlluar me breshëri plumbash. Për pasojë, Ervin Kodra ka mbetur i plagosur.
Ai ka pohuar vetëm se ka qenë në makinë me Durim Bamin por nuk ka treguar intenerarin që kanë ndjekur, ku janë takuar dhe ku është larguar kushëriri i tij pas ngjarjes. Dyshohet se Durim Bami ka qenë shënjestra e vertetë e atentatit. Ai kërkohet nga Prokuroria për të dëshmuar ngjarjen, por mesa duket është zhdukur.
Në vendngjarje janë konstatuar dy lloje të ndryshme gëzhoja armësh, të cilat ngrenë dyshimet se mes autorëve dhe dy kushërinjve që ranë pre e atentatit është shkëmbyer zjarr. E pikërisht personi që dyshohet, sipas Prokurorisë, se është kundërpërgjigjur me armë atentatorëve, është Durim Bami. Ky fakt mendohet se “e ka trembur” atë dhe ka bërë që të “zhduket”. Ndaj tij nuk ka asnjë akuzë, ai kërkohet të merret në pyetje nga Prokuroria si person q ëka dijeni për ngjarjen.



