E enjte, 15 tetor 2026 DENONCO ANONIM Denonco: +355 69 20 95 843
PUBLIK
I madhi u dërgoi akademikëve,Skëndon nga zona e parë operative kryetar
Publik News

I madhi u dërgoi akademikëve,Skëndon nga zona e parë operative kryetar

 “Kur akademikët prisnin që Rilindësi i ri t’i shtinte dru zjarrit, t’u piqte gështenja e t’i mbulonte me levenxe, ai u dërgoi Skëndon nga zona e parë operative kryetar”

 

AGRON GJEKMARKAJ gjekmarkaj

 

Projekti më i ndershëm i Edi Ramës dukej ai që pat shpallur dikur plot nerv e nxitim për t’i vënë drynin Akademisë së Shkencave. Por dyshimet e shumta që u hodhën poshtë e përpjetë se mos e bënte këtë për ta shndërruar shtëpinë e mbretit Zog bujtinë ose akçihane, ia ndalën dorën dhe ai sikur po mendohej për reformimin e saj. Akademikët, të cilët shumë shpresa e mejtime patën tjerrur rreth Edi Ramës, u zemërthyen, ndonjërit desh i ra plasja. Plot ëndrra ishin ata në vjeshtën e vitit 2013.

E mendonin atë dimër që po hynte ndanë vatrës, ku flakë e prushit ndrinte, teksa Rilindësi i ri i shtinte dru zjarrit, u piqte gështenja, u hidhte ndonjë putir kumel apo vere, në ndonjë rast velenxa supeve të motnuara e ata flisnin për pritmin e Shqipërisë, teksa djali mbante shënim. Por jo vetëm këtë s’e bëri, por i kërcënoi se do t’u hiqte koromanen.

Si kështu? – mërmërisnin. Evlati tënë po na bën këtë?! Hapu dhe, ku je rrufe që nuk bie, luteshin me mjekrën që iu dridhej. Por Kryeministri ynë, i cili është hokatar i madh, paskësh bërë shaka me baballarët e Atmes. I la të dergjen e të përpëliten ca vjet, që t’i gëzonte tani dhe ata ditët e pasme t’i kalonin plot shend. U dërgoi kryetar Skënder Ethem Gjinushin, më mirë ku do të gjenin?! Nga zonë e parë operative, i lidhur mish e shpirt me komunizmin pa vepër, fiks siç i ka hije kryetarllëkut dhe akademizmës. As Enveri nuk do t’ua gjente zemrën kësisoj.

Presidenti nuk e dekretoi, po punë e madhe, “ligjet tona do na ndalojnë ne të shkulim zakonet prapanike” dhe etërit mblidhen dhe Skëndon e njohin për kryetar pa fermanin e Ilir Metës. Në këtë vend, një deklaratë e Ermonelës vlen ku e ku më shumë se Kushtetuta! Tani vendos partia për të gjitha. Gojët e liga le të thonë se Akademia e Shkencave është një shaka ideologjike, me shërbëtor të diktaturës, që intelektualë si Aurel Plasari s’kanë çfarë bëjnë aty, me gjind pa vepër e pa asnjë ndikim në opinionin ndërkombëtar po e po, por as në vendin tonë zulmëmadh, që mblidhen e bëjnë folklor, qoka e shpërblime njëri-tjetrit, që qenkëshin qesharake si shumë gjëra të tjera në këtë vend, por tani partia dhe biri i tyre me ligj ua çoi nderin në vend, që aman falë i kjoshim Zotit.

Prof. Artan Fuga rreket t’iu bëjë krahasime, reformime, statute, t’u flasë për Avrupin dhe standardet europiane në shkencë. Kot e ka se nuk e thyen kurrë unitetin e çeliktë Akademi-parti-popull. Me këtë Akademi dhe Akademi vatani do të bënet, shkenca do mbrothëtonet, do të dalë në selamet krejt siç doli me Rilindjen dhe Edi Ramën. Së shpejti Akademia do këtë anëtaret e vet të rinj, Ulsiun, Blerinën, Klotildën, Ogertën dhe “Nepin”. Ia dolëm të kemi Akademinë që duam pas Shqipërisë që deshëm. Edi Rama i bën endrrat realitet dhe realitetin Akademi.

Na ndiqni në YouTubeVideo, intervista dhe transmetime nga PUBLIK TV Abonohu

Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.

Denonco
DENONCO

Zëri yt bëhet lajm.

Bëhu pjesë aktive e Publik.al. Raporto çdo padrejtësi, korrupsion apo ngjarje, me foto dhe video. Identiteti yt mbrohet nga redaksia.