I nxorri foton, Viktor Zhusti përplaset me Adriatik Lapajn
“Eh mor Llapa, të thashë të mos e publikoje”
Aktori i njohur Viktor Zhusti ka reaguar ashpër në rrjetet sociale pas publikimit të një fotografie ku shfaqej krah kreut të lëvizjes “Shqipëria Bëhet”, Adriatik Lapaj. Zhusti shprehet se fotoja ishte realizuar në rrethana krejtësisht private dhe vetëm për përdorim personal, me garancinë e qartë se nuk do të publikohej.
Sipas aktorit, publikimi i saj është përdorur për qëllime politike, duke e paraqitur në mënyrë të pavërtetë si mbështetës apo simpatizant të kësaj force politike. Ai thekson se ky veprim përbën shkelje besimi dhe i ka sjellë shqetësime, reagime negative dhe zhgënjim personal.
Zhusti bën me dije se kishte kërkuar shprehimisht që fotografia të mos postohej, si nga Adriatik Lapaj, ashtu edhe nga Gerti Kames, duke shtuar se kishte marrë garanci për këtë kërkesë. Madje, ai ka publikuar edhe mesazhe për të vërtetuar komunikimin dhe premtimin e dhënë.
Pas reagimit të aktorit, ka ardhur edhe replika e Adriatik Lapajt, i cili mohon pretendimet e Zhustit dhe deklaron se aktori kishte dhënë vetë miratimin për publikimin e fotos. Lapaj e lidh reagimin e aktorit me presionin dhe reagimet negative që mund të ketë marrë nga të tretët, duke theksuar se është i gatshëm ta heqë fotografinë, por jo të pranojë atë që ai e quan një pasaktësi.
Më poshtë, reagimet e plota, pa asnjë ndryshim:
Reagimi i plotë i Viktor Zhustit:
Eh, mor LLAPA…
Nuk di a të kam sjellë ndonjë të mirë me dëshirën që të bëje një foto private, kur isha duke kaluar për në shtëpi mbas shfaqjes, por mua, veç dëm e shqetësim më ke sjellë.
Pranova të beje foto vetëm për albumin tënd privat meqë “ kishe shumë simpati si aktor” dhe më premtove që nuk do ta postosh, madje i thashë dhe bashëluftëtarit tënd, artistit të kaq e ka filmave dhe kandidatit për deputet të “Shqipëria bëhet”, djalit të mikut tim të çmuar, Gent Kames, që të mos e postosh
(po vendos dhe mesazhin për të dhe premtimin e tij) por juve, duket e kishit të nevojshme, një shashkë propagandistike për 22 dhjetorin…
Duke e shoqëruar foton me komentin “erdhi na takoi dhe na dha energji pozitive”… më bën përkrahës e simpatizant të partisë e lëvizjes tënde, “Shqipëria bëhet”, gjë që as më ka shkuar ndonjëherë ndërmend, pasi, sipas meje, Shqipëria, vërtet do bëhet, emancipohet, modernizohet, europianizohet, por, VETËM me ata, kundër të cilëve ju, po luftoni me çdo mjet e mënyrë.
Me postimin tënd më ke sjellë mjaft armiqësi, qejfmbetje dhe komente negative, për të cilat nuk kisha nevojë.
Po, nuk është hera e parë që dal i zhgënjyer nga miqësitë e rrugës…
Replika e Adriatik Lapaj:
I nderuar artist, në asnjë rrethanë nuk do të bëja replikë me ju, por ndihem më shumë se i habitur me atë që keni shkruar, të cilën ju e dini mirë se është e pavërtetë. Ndoshta fotoja me mua, “armikun e sistemit”, siç edhe vetë e thoni ju, ka shkaktuar shumë armiqësi, por ky nuk është faji im; nga sa duket, mbetet frika juaj.
Shumë dëshmitarë ishin aty dhe është e provueshme që unë ju thashë “s’po e postoj” dhe ju thatë “postoje pa problem”. Meqë jeni shqetësuar kaq shumë, foton e heq unë, “armiku i popullit”, por ndërgjegjja juaj e di që e vërteta është ndryshe. Mbiemrin unë e kam Lapaj.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



