I zuri rrugën, momenti kur shqiptari rreh për vdekje 58-vjeçarin grek
Prokuroria e Athinës ka hapur një çështje penale ndaj një 29-vjeçari shqiptar, i akuzuar për vrasjen e një 58-vjeçari grek, pas një konflikti që degjeneroi në dhunë ekstreme. Sipas autoriteteve, përplasja nisi në rrugë për një debat të çastit, por situata mori trajtë fatale kur i riu dyshohet se e goditi qëllimisht viktimën deri në vdekje.
Mediat greke publikuan pamje nga kamerat e sigurisë, ku duket i riu shqiptar me motor dhe me kaskë të bardhë, teksa ndjek viktimën, të cilin ai pretendon se e kishte ofenduar dhe spërkatur më herët me spraj. Në video shihet momenti kur ai ndalon motorin, afrohet te xhami i makinës dhe e qëllon me grushta të shumtë 58-vjeçarin, i cili qëndron i ulur në vendin e shoferit dhe nuk arrin të reagojë.
Sipas burimeve hetimore, i dyshuari ka precedentë penalë, por më herët ishte ndaluar vetëm për vepra të kategorisë së lehtë, të cilat nuk kërkonin mbajtjen në paraburgim. Identiteti i tij nuk është bërë publik, megjithëse fotot janë shpërndarë nga mediat.
Gjatë marrjes në pyetje, 29-vjeçari ka pranuar se është autor i dhunës, por mohoi se kishte synim ta vriste, duke sqaruar se e humbi kontrollin pas një sërë provokimesh. Ai ka deklaruar se pas incidentit të parë në rrugë, 58-vjeçari e ka ndjekur, e ka fyer dhe më pas e ka spërkatur me spraj pranë një palestre, gjë që, sipas tij, e ka nxitur të reagojë në mënyrë të pakontrolluar.
Në ngjarje janë përfshirë edhe persona të tjerë. Policia ka arrestuar babanë e 29-vjeçarit, i cili dyshohet se ka tentuar të fshehë motoçikletën dhe prova të tjera të rëndësishme, si dhe dy miqtë që ndodheshin me të gjatë momentit të sulmit fatal.
Sipas prokurorisë, aftësitë e të riut në arte marciale kanë ndikuar në ashpërsinë e goditjeve, duke shkaktuar dëme të rënda që i morën jetën 58-vjeçarit. Ngjarja u zhvillua para syve të shumë dëshmitarëve dhe u dokumentua nga kamerat e sigurisë, duke u bërë pjesë kyçe e hetimit.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



