Sali Berisha “tërhiqet” nga lufta me Irfan Hysenbelliun
Kush është sipas tij “Mafia e fjalës së lirë”?
Pas një fushate treditore sulmesh të ashpra, Sali Berisha duket se ka bërë një hap pas ndaj pronarit të News 24, Irfan Hysenbelliu. Përmes një deklarate me nuanca autokritike, Partia Demokratike sqaroi sot se etiketa “mafia e fjalës së lirë” nuk i drejtohej Hysenbelliut, por një liste tjetër emrash.
Sipas PD-së, shënjestra e vërtetë e Berishës janë pronarë dhe analistë si Carlo Bollino, Sokol Balla, Adriatik Doçi e Idajet Beqiri. Opozita i akuzon këta të fundit se censurojnë zërin e tyre, shpifin dhe përdorin një gjuhë të korruptuar në shërbim të Edi Ramës.
Kjo “zbythje” e papritur vjen pas reagimit të organizatave ndërkombëtare të gazetarëve, të cilat dënuan presionin publik ndaj News 24. Sulmi nisi fillimisht me telefonata intimiduese nga Flamur Noka dhe Alfred Lela, pasi ky televizion i dha hapësirë Ervin Salianjit dhe Alesia Balliut për të shprehur ambiciet e tyre për kreun e PD-së.
Megjithatë, në deklaratën e fundit, selia blu këmbëngul se Berisha nuk ka sulmuar asnjë gazetar, por thjesht ka kritikuar mbulimin e pabarabartë. Për PD-në, problemi mbetet kapja e mediave nga qeveria përmes tenderave dhe trojeve 1 euro, ndërsa vërtetësia e fakteve, sipas tyre, nuk mund të negociohet.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



