IKMT Qendrore zbarkon në Drimadhes, rrethon objektin pa leje të Helidon Gjikokës
TIRANË – Inspektorati Kombëtar i Mbrojtjes së Territorit (IKMT) Qendror ka ndërmarrë këtë mëngjes një aksion të gjerë në zonën turistike të Drimadhes, duke goditur ndërtimet pa leje në bregdet.

Objektivi i operacionit ishte një ndërtesë e ngritur ilegalisht nga Helidon Gjikoka, një emër i njohur për banorët e zonës dhe i përfolur për lidhjet e tij me botën e krimit në jug të vendit.
Forca të shumta të Policisë së Shtetit nga Drejtoria Vendore e Policisë Vlorë u angazhuan për të rrethuar perimetrin e kompleksit “Amber Beach”, ku ndodhej objekti i paligjshëm. Masa e lartë sigurie kishte për qëllim të garantonte mbarëvajtjen e operacionit dhe shmangien e incidenteve.
Burime policore bëjnë me dije se ndërhyrja është pjesë e aksionit të qeverisë për pastrimin e zonave bregdetare nga ndërtimet pa leje, të cilat prej vitesh janë kthyer në plagë urbane dhe burim abuzimesh me territorin publik.
Prishja e objektit të Gjikokës pritet të finalizohet brenda ditës së sotme, ndërsa autoritetet sinjalizojnë se do të vijojnë kontrollet në të gjithë vijën bregdetare për të frenuar fenomenin e betonizimit ilegal.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



