Incidenti me BKH, reagon Agron Kapllanaj
Reagimi Agron Kapllanaj:
Agron Kapllanaj denoncon përplasje me agjentë të BKH-së pranë fabrikës së tij
Agron Kapllanaj ka komunikuar sot me median, duke treguar për një incident të ndodhur në mëngjes në zonën pranë fabrikës së tij të mermerit. Sipas tij, një grup agjentësh të BKH-së, të maskuar, kanë mbërritur në zonë dhe kanë kryer filmime me dron mbi tokat përreth.
Punonjësit e fabrikës kanë ndërhyrë për t’u kërkuar që të ndalonin filmimet, por agjentët u janë përgjigjur se ishin aty për të blerë disa toka. Sipas Kapllanajt, ka pasur debat verbal mes palëve, gjatë të cilit agjentët e BKH-së kanë ofenduar punonjësit.
Për shkak se zona është e vogël dhe ngjarja ka shkaktuar tension, punonjësit e kompanisë kanë bllokuar rrugën për automjetin e agjentëve të BKH-së. Kapllanaj pohon se agjentët kanë nxjerrë armët dhe janë shkëmbyer ofendime mes dy palëve, përpara se të largoheshin nga vendi.
Më pas, Kapllanaj ka shkuar në polici për të bërë një denoncim, por sipas tij, i është sugjeruar të mos e bëjë. Ai deklaron se gjithsesi ka depozituar kallëzimin, pasi ndihet i shqetësuar për sjelljen dhe ofendimet e agjentëve të BKH-së.
Tre persona kanë rënë në pranga, pas incidentit në Fier ku agjentët e BKH-së u përplasën me afërmit e Agron Kapllanajt.
Raportohet se të arrestuarit janë vendosur në pranga për akuzën “goditje për shkak të detyrës”.
Mësohet se të arrestuar janë vënë Ledjan Kapllanaj, Klaudjo Kapllanaj dhe Gerald Kollçaku. Ndërkohë vijojnë veprimet hetimore edhe për personat e tjerë e përfshirë në ngjarje.
Sipas policisë, agjentët e BKH dhe operacionalja ka qenë në Fier për veprime hetimore kur janë konfliktuar me të afërm te Agron Kapllanaj.
“Shërbimet e Drejtorisë së Forcës së Posaçme Operacionale në Departamentin e Policisë Kriminale në Policinë e Shtetit, së bashku me hetuesit e BKH-së pasditen e sotme kanë qenë me shërbim në qarkun e Fierit.
Rreth orës 19:20, të mbrëmjes së sotme, në aksin rrugor Fier – Patos, shërbimet operacionale të Policisë dhe hetuesit e BKH-së janë goditur për shkak të detyrës nga disa persona, të cilët janë identifikuar dhe shoqëruar në Drejtorinë Vendore të Policisë Fier për veprimeve të mëtejshme.
Të gjitha veprimet hetimore e procedurale janë duke u kryer nga Prokuroria e Juridiksionit të Përgjithshëm Fier”, njoftoi policia mbrëmjen e së martës.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



