Infektivi në QSUT kthehet në karantinë
Infektivi në QSUT është kthyer në karantinë pas evidentimit të 2 rasteve të para me koronavirus, babë e bir, të cilët pasi rezultuan pozitivë, janë shtruar për trajtim po në këtë spital ditën e sotme. Pas shtrimit të tyre mësohet se Spitali Infektiv është boshatisur nga pacientët e tjerë dhe do të përdoret vetëm për personat që do të rezultojnë të infektuar me koronavirus. Paraditen e sotme jashtë Infektivit është ngritur një perimetër sigurie, që nuk duhet ta shkelë askush. Ky lajm është konfirmuar nga vetë Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Ardi Veliu i cili ka apeluar të mos përhapet panik, pasi kjo është një masë e nevojshme në situatën ku ndodhemi.
“Duhet të marrim disa masa shtesë, të mos përhapim panik, të krijojmë një perimetër sigurie në këtë spital. Na lini të merremi me rastin”, ka thënë Veliu. Ndërkaq në ambientet e jashtme të spitalit po bëhet dezinfektimi me ujë dhe klor. Kujtojmë se ministrja e Shëndetësisë Ogerta Manastirliu në një dalje për media ka bërë me dije se deri më tani vendin tonë janë testuar 65 raste të dyshuara me koronavirus dhe 2 prej tyre kanë rezultuar pozitive. Sakaq më tej Manastirliu ka bërë me dije se janë në proces testimi edhe 14 raste të tjera të cilët janë të afërm dhe familjarë që kanë pasur kontakte me 2 të infektuarit.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



