Ai apelon për zgjerimin e aleancës së djathtë me parti dhe individë që mbartin vlera ndërsa ka dhe një përgjigje nëse do të pranojë kandidimin e tij përballë Erion Veliaj në Tiranë. Z.Shehi beson se opozita e bashkuar ka të gjitha shanset që të fitojë jo vetëm kryeqytetin, por gjithë Shqipërinë përballë një mazhorance sipas tij që ka rrjepur xhepat e shqiptarëve.

Ne na është thënë se do shkojmë në luftë(qesh) politike kuptohet. Megjithatë një gjë duhet të dini që të gjitha partitë e opozitës janë në unison dhe të gatshëm për të sfiduar qeverinë, pavarësisht se edhe opozita ka hallet e vet, por jam i bindur se jemi alternativë qeverisëse. Ne si opozitë jemi në një rrugë ngjitjeje, pasi rruga opozitare është gjithë e më e vështirë, është “malore”. Por besoj se do të ketë dalje dhe dritë jeshile për opozitën. Besoj se po piqet momenti, shqiptarët po binden se në dorë të kujt qeverie kanë hyrë dhe po binden edhe ndërkombëtarët që shpesh herë “padashje” kanë mbështetur vetëm qeverinë. Kështu që besoj se ka ardhur koha që opozita të korrë rezultatet pozitive. Pra, rruga jonë është ‘malore’.
Çfarë hallesh ka opozita…?
Halli më i madh i opozitës dhe gjithë shqiptarëve është kjo qeveri që kemi sot. Është qeveria më hajdute që mund të kemi pasur ndonjëherë. Qeveria “Rama” u mbledh paratë fukarenjve dhe u jepen 10 zengjinëve. Do t’i kisha mbyllur të gjitha koncesionet. Këto koncesione e kanë futur Shqipërinë në borxhe për 10 vite. Kot jemi ankuar për Rrugën e Kombit, shikoni shifrat për rrugët që po ndërtohen, për stadiumin dhe Teatrin, ilaçet dhe spitalet. Nuk ka asnjë garë të hapur. Në sebep të atyre të mëparshme janë 100-fishuar vjedhjet. Bëjmë të gjithë si Shekspirë e Hamletë. S’ka asnjë budalla që nuk nënkupton që Rama ka 20 vjet që ia ka vënë syrin asaj cope tokë te Teatri. Shikoni shëmtinë e stadiumit, është një markatë që ka edhe një fushë futbolli. Kjo është vjedhje e pastër. Ky vend s’ka para për ujësjellës dhe rubinete, kërkon para nga ndërkombëtarët, por për pallate 200 milionë eurosh i kemi paratë. Por ne na intereson se si në vjeshtë do të reagojnë qytetarët e Tiranës. Frikë duhet të ketë Rama. Ai flinte poshtë urave të Parisit. Duhet t’u dalim për zot interesave të Shqipërisë.
…Qoftë edhe përmes zgjedhjeve të parakohshme?
Në një situatë të jashtëzakonshme, kërkohen zgjidhje të jashtëzakonshme. Vendin e ka shkatërruar ky kryeministër që vetëm vjedh për veten dhe njerëzit e tij ndërkohë që shqiptarët nuk sigurojnë dot bukën e gojës. Por unë kam optimizmin se shqiptarëve u ka ardhur në majë të hundëve me këtë qeveri grabitqare dhe do reagojnë në mënyrë pozitive. Nuk them se këtej nga krahu jonë është mrekulli, por krahu tjetër është i baltosur nga krimi dhe korrupsioni. Është emergjencë largimi i Edi Ramës nga qeveria. Mundësisht ai duhet shporrur që sot nga pushteti. Opozita e bashkuar do të dijë t’i japë atij përgjigjen që meriton.
Opozita do të përdorë çdo mjet demokrat brenda dhe jashtë parlamentit për largimin një orë e më përpara të Kryeministrit Edi Rama dhe shpurës së tij që po e rrjepin Shqipërinë dhe shqiptarët. Aksioni nis që sot në parlament dhe do të vazhdojë intensivisht derisa Edi Rama të mos jetë më në krye të qeverisë dhe kjo do të ndodhë shumë shpejt sepse shqiptarët do të reagojnë pasi u ka ardhur në majë të hundës qeverisja e këlyshëve të komunistëve. Janë 2 deri 3 miliardë lekë të shpërdoruara nga kjo qeveri. Boll më. Shqiptarët nuk do e durojnë rrënimin e tyre për shkak të keqqeverisjes së Edi Ramës./BW



