Intervista/ Meta konfirmon largimin nga banesa

A do ja japë sërish partinë Berishës, nëse nuk i japin vulën? Meta lë në pritje doktorin

Ilir Meta ka deklaruar mbrëmjen e sotme në “Quo Vadis” se opozita sot është më e fortë se kurrë dhe shumë shpejt do të rrëzojë regjimin.

I ftuar në “Quo Vadis” Meta deklaroi se Partia e Lirisë është organizuar dhe nga e shtuna nis përmbysja e madhe.

I pyetur nga analisti Mentor Kikia nëse do ja japë sërish partinë për përdorim Sali Berishës nëse nuk i japin vulën, Meta ka thënë se nuk është ky momenti për të folur.

Kikia: Cila do të jetë marrëdhënia mes PL-së dhe partisë pa vulë të Berishës?

Meta: Kjo është një çështje teknike. E gjithë situata është politike. Asgjësimi i opozitës, mbajtja e kukullave si ky komiku që është peng, dhe përpjekja për të krijuar një konfuzion opozitar. PL po jep shembullin e organizimit të fortë, serioz, kemi treguar se jemi shumë bashkëpunues. PD ka bërë hapa përpara. Ne jemi të bindur që opozita shumë shpejt do të jetë e papërballueshme.

Borakaj: Si, çfarë do të ketë ndryshe?

Kikia: Të jemi konkretë zoti Meta. Opozita nuk ka më çfarë të denoncojë, opozita duhet të ngrejë alternativën për qeverisje. Kush do të jetë kandidati për kryeministër?

Meta: Kur të vijë momenti do ta themi. Rama do të shembet si kala prej kartoni.

Borakaj: Pse nuk e bërë më herët?

Meta: Se kishim një rrethim të vogël. Ne dalim nga rrethimi i vogël të shtunën dhe nsim rrethimin e madh.

I pyetur nga moderatorja Borakaj nëse është larguar nga shtëpia, për shkak se Kryemadhi deklaroi se kanë “marrëdhënie të ngrira bashkëshortore”, Ilir Meta duke qeshur tha se janë çështje që nuk i përkasin politikës.

Pranvera Borakaj: Monika Kryemadhi ka deklaruar se marrëdhëniet me ju i ka të ngrira si bashkëshorte. Jeni larguar ju nga shtëpia?

Ilir Meta: Çështjet personale, familjare, nuk mendoj se janë çështje që i shërbejnë konventës dhe publikut. Duhet të jemi shumë të qartë në këtë drejtim. Unë jam larguar nga fenomeni i nepotizmit.

Pranvera Borakaj: Që do të thotë jeni larguar apo jo?

Ilir Meta: E vërteta është që unë në politikë mendoj se nuk i përkas thjesht familjes time, por për atë kontribut, angazhim, investim që kanë bërë qindra dhjetëra shqiptarë për Ilir Metën, në radhë të parë, i përkas vendit.

Pranvera Borakaj: A ju mbështesin fëmijët në aksionin politik që keni ndërmarrë.

Ilir Meta: Unë gjithmonë i kam sugjeruar fëmijëve të mi që të qëndrojnë larg politikës. Politika në Shqipëri është pa rregulla loje, është shumë e rëndë. Unë nëse do të kthehesha mbrapsht nuk do t’i kisha hyrë politkës. Tani nuk dal dot sepse kam detyrime ndaj qindra mijëra njerëzve. Ilir Meta nuk i pret në besë shqiptarët. Shqipëria ka shumë patriotë, por i kanë nënvlerësuar rreziqet dhe iu kanë lënë shumë hapësirë njerëzve që nuk kanë atdhe./vizionplus.tv

Publikuar nga Publik Media