Irani tallet keq me Trump-in: Na ka mundur 9 herë në dy javë!
Kryetari i Parlamentit të Iranit, Mohammad-Bagher Ghalibaf, ka reaguar me tone ironike ndaj deklaratave të presidentit amerikan Donald Trump, i cili së fundmi ka pretenduar se Shtetet e Bashkuara kanë arritur ta mposhtin Iranin.
Në një postim në rrjetin social X, Ghalibaf ka vënë në lojë këto deklarata, duke theksuar se Trump ka pretenduar disa herë gjatë ditëve të fundit se SHBA-të e kanë “mundur” Iranin.
“Gjatë dy javëve të fundit ai ka thënë plot nëntë herë se na ka mundur. Sa qesharake”, shkroi kryeparlamentari iranian, duke e cilësuar retorikën e presidentit amerikan si të ekzagjeruar dhe pa bazë reale.
Megjithatë, nuk është saktësisht e qartë se cilave deklarata konkrete i referohej Ghalibaf, pasi Trump ka bërë disa komente të ndryshme lidhur me përballjen mes dy vendeve.
Vetëm një ditë më parë, Trump publikoi një mesazh në platformën Truth Social, ku pretendoi se Shtetet e Bashkuara e kanë “mundur dhe shkatërruar plotësisht Iranin – ushtarakisht, ekonomikisht dhe në çdo aspekt tjetër”.
Në një tjetër postim, ai shtoi se sipas tij Irani është tashmë “plotësisht i mundur” dhe se po kërkon një marrëveshje me SHBA-të. Megjithatë, presidenti amerikan theksoi se nuk do të ishte i gatshëm të pranonte një marrëveshje të tillë.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



