Ish-kryeprokurori Adriatik Llalla ankimon vendimin
Ish-Kryeprokurori i Përgjithshëm, Adriatik Llalla, ka ankimuar dënimin me 2 vjet burg në Shkallë të Parë për akuzën e fshehjes së pasurisë në 3 raste.
Ankimimi është dorëzuar dje në Gjykatë dhe pritet që në ditët më vijim të hidhet shorti për gjyqtarin. Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë kundër Korrupsionit dhe Krimit të organizuar e dënoi Llallën me 2 vjet burgim dhe 5 vjet përjashtim nga funksionet publike. Vendimi u dha më 20 maj. Ai u gjet fajtor, sipas Gjykatës, për “Fshehje dhe mosdeklarim të pasurisë”.
Paralelisht, Gjykata vendosi dhe sekuestrimin e disa pronave të zotit Llalla që deri më tani ishin nën sekuestro. Fillimisht, Llalla u dyshua për të paktën katër vepra penale, që nga mosdeklarimi i pasurisë, te mosdeklarimi i të hollave në kufi, shpërdorimi i detyrës dhe pastrimi i parave. Por në përfundim të hetimeve, tri prej këtyre akuzave duket se nuk u arrit të provohen, dhe gjithçka u reduktua te mosdeklarimi i pasurisë, i konsideruar më shumti një kundërvajtje penale që sipas legjislacionit shqiptar dënohet nga gjobë deri në 3 vjet burgim. Hetimi pasuror ndaj zoti Llalla u bazua në të ashtuquajturin ligji Antimafia, sipas të cilit barra e provës për të dëshmuar se pasuritë e sekuestruara janë të ligjshme, i takonte ish-Prokurorit të Përgjithshëm.
Një ditë pasi u dënua me 2 vjet burgim dhe 5 vjet përjashtim nga funksionet publike, Gjykata e Posaçme zbardhi arsyetimin për vendimin ndaj ish-Prokurorit të Përgjithshëm, Adriatik Llalla.
Në vendim theksohet se Llalla do të kryejë dënimin në një burg të sigurisë së zakonshme, menjëherë sapo të marrë formë të prerë. GJKKO e shpalli fajtor Adriatik Llallën për “fshehje dhe mosdeklarim të pasurisë”. Ndërsa pasuritë që i ishin konfiskuar nga ish-Gjykata për Krime të Rënda, me vendim të datës 20 korrik 2018, i kaluan shtetit.
Ambasadorja e SHBA, Yuri Kim, ka përshëndetur vendimin e GJKKO për të dënuar Adriatik Llalla. Vendimi i Gjykatës, sipas ambasadores Kim tregon se askush, pavarësisht se sa i fuqishëm është, nuk është mbi ligjin. “Mirë që SPAK jep gjithnjë e më shumë rezultate. Kjo çështje, e cila përfshin një ish-zyrtar të lartë të ndaluar nga SHBA për korrupsion të rëndësishëm, tregon se askush, pavarësisht sa i fuqishëm, nuk është mbi ligjin. Kur të gjithë janë të barabartë para ligjit, të gjithë kanë dinjitet. Ky është dinjiteti i vërtetë”, shprehet ambasadorja Yuri Kim, në një postim në rrjetet sociale
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



