E mërkurë, 14 tetor 2026 DENONCO ANONIM Denonco: +355 69 20 95 843
PUBLIK
Ish-ministri socialist: Edi mos i hidh benzinë zjarrit të protestës!
Lajme

Ish-ministri socialist: Edi mos i hidh benzinë zjarrit të protestës!

Kritikë dhe këshillë për Edi Ramën: Ish-ministri Elmaz Sherifi reagon ashpër ndaj retorikës dhe politikave të kryeministrit

Në një shkrim të hapur plot kritika dhe këshilla të drejtpërdrejta, ish-ministri socialist Elmaz Sherifi i është drejtuar kryeministrit Edi Rama, duke analizuar me tone të ashpra sjelljen e tij politike, qasjen ndaj protestave që po zhvillohen para Kryeministrisë dhe vendimet e fundit lidhur me investimet strategjike.

Sherifi e këshillon Ramën të heqë dorë nga “filozofimet” në fusha që nuk i takojnë, duke vënë në dukje se daljet e tij publike dhe takimet e fundit shfaqin një udhëheqës të tronditur. Sipas tij, këto takime ngjasojnë më shumë me “ceremoni dhimbjeje” sesa me momente për t’u dhënë kurajo mbështetësve. Ai gjithashtu i kujton kryeministrit një ftesë të gabuar në të shkuarën për të festuar 35-vjetorin e partisë, të cilën Rama dikur e kishte quajtur “bordello”.

“Mos i hidh benzinë zjarrit të protestës”

Ish-zyrtari i lartë socialist e godet Ramën për ironitë e përdorura ndaj qytetarëve në protestë, veçanërisht për termat si “proletariati i algoritmeve sociale” apo “revolucioni i flamingove”.

“Mos gabo duke i hedhur benzinë ‘zjarrit’ që është ndezur para kryeministrisë, duke i provokuar me shprehjen që i shkon për shtat autokratit, se investimi në Zvërnec nuk ndërpritet, sikur të protestojnë edhe 500 mijë vetë”, shkruan Sherifi.

Sipas tij, njerëzit që po grumbullohen në shesh nuk nxiten nga “armiqtë e Shqiptarisë”, por po shtohen pikërisht për shkak të artikulimeve të gabuara të vetë kryeministrit që provokojnë rebelim. Sherifi hedh poshtë edhe deklarimet e Ramës se “Shqipëria nuk është e shqiptarëve, por e mikut dhe e Zotit”, duke saktësuar se shprehja tradicionale për shtëpinë nuk duhet ngatërruar me pronësinë mbi vendin, i cili i përket vetëm shqiptarisë.

Çështja e Zvërnecit dhe krahasimi me Statutin e Ahmet Zogut

Një pikë qendrore e reagimit është “investimi strategjik i Zvërnecit”. Sherifi e cilëson si kryeneçësi vrapimin e qeverisë për të lidhur kontrata me të huajt në një zonë ku ende nuk është zgjidhur pronësia mbi tokën. Për të ilustruar gabimin, ai sjell në vëmendje Statutet Themeltare të kohës së Ahmet Zogut (vitet 1925 dhe 1928), ku neni 124 sanksiononte qartë:

 Mbi tokat rurale në Shqipëri, të drejtë pronësie gëzonin vetëm shtetasit dhe personat moralë shqiptarë.

 Të huajve u njihej kjo e drejtë vetëm në raste specifike për ngritjen e fabrikave apo rregullimin e komunikacionit.

Ai ngre pikëpyetje mbi zellin e qeverisë aktuale për t’ua shitur tokat të huajve jashtë procedurave ligjore, ndërkohë që ndërtuesit shqiptarë “cfiliten dhe paguajnë qimet e kokës” për të marrë një leje ndërtimi.

Mungesa e patriotizmit dhe thirrja për reflektim

Sherifi bën një paralelizëm historik me politikanët atdhetarë të së shkuarës, duke përmendur Mehdi Frashërin dhe betejat e tij diplomatike në Lidhjen e Kombeve dhe në Greqi me personalitete arvanitase si Presidenti Kondurioti apo Kryeministri Pangallos, për të mbrojtur çamët dhe pronat e shqiptarëve. Në kontrast me këtë diplomaci të kujdesshme, ai kritikon nxitimin e Ramës për të shpallur Iranin organizatë kriminale pas vendosjes së opozitës iraniane në Maminas, duke thënë se “Shqipëria është e vogël për të pretenduar politikë të madhe”.

Në mbyllje, ish-ministri i kërkon Edi Ramës të kthjellohet, të braktisë protagonizmin për interesa pushteti dhe të bëhet pjesë e zgjidhjes. Ai i kujton se këshillat e tij kanë pasur gjithmonë vlerë – duke përmendur momentin kur Rama u rikthye tek Fatos Nano duke e pranuar si udhëheqës liberal.

Mesazhi përfundimtar është një thirrje për reflektim urgjent: “Reflekto me qëllim që protesta më e qytetëruar në historinë politike të Shqiptarisë të mos shndërrohet në revolucion.”

Na ndiqni në YouTubeVideo, intervista dhe transmetime nga PUBLIK TV Abonohu

Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.

Denonco
DENONCO

Zëri yt bëhet lajm.

Bëhu pjesë aktive e Publik.al. Raporto çdo padrejtësi, korrupsion apo ngjarje, me foto dhe video. Identiteti yt mbrohet nga redaksia.