Ish-ministri teknik i Bashës pranon kandidimin për President, ja reagimi i tij i parë
Ish-ministri teknik i Brendshëm reagoi dje pasi u propozua si një nga 8 kandidaturat për t’u bërë President i Shqipërisë
Përmes një postimi në rrjete sociale, Dritan Demiraj falënderon deputetin e Devollit, Bledion Nallbatin dhe pranon që të bëhet pjesë e garës nëse do të formalizohet.
“Dëshiroj të falënderoj dhe të shpreh mirënjohjen ndaj deputetit te Devollit, z. Bledian Nallbati, për propozimin për President të Republikës, por në të njëjtën kohë, edhe deputetët e tjerë të Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike, për mbështetjen e emrit tim. Në të njëjtën kohë, shpreh mirënjohjen dhe përkushtimin maksimal t’ju përfaqësoj me dinjitet në këtë garë kaq të rëndësishme për kreun e shtetit shqiptar, në rast se do të kem mbështetjen tuaj”, shkroi Demiraj në rrjetet sociale.
Dritan Demiraj ka qenë një ndër emrat e parë që është përfolur për t’u kandiduar nga opozita për kryetarin e ri të shtetit, që do të zëvendësojë Ilir Metën.
Mësohet se prej disa kohësh, Demiraj është kthyer nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ku ka vijuar kontaktet me deputetët që ta mbështesin me votë nëse emri i tij arrin të shkojë deri në Parlament për t’u votuar.
Demiraj është ish-ushtarak me grada, ndërkohë që në 2017 u bë pjesë e qeverisë teknike duke mbajtur për rreth 4 muaj postin e ministrit të Brendshëm.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



