Ish-Sekretari Organizativ i PD: Duhet proces gjithëpërfshirës, pa përjashtime!
Deri në fundvit të zgjidhet kryetari
Deputeti i Partisë Demokratike, ishsekretari organizativ për pak muaj në PD, Flamur Hoxha, thotë se e njeh realitetin politik ndaj sipas tij, për të rikthyer në PD një alternativë qeverisëse, duhet një proces përbashkues real.

Sipas tij, për të nisur bashkimin e Partisë Demokratike, duhet fillimisht që të kthehen në gjendjen e para 25 prillit dhe më pas përmes një procesi përbashkues dhe të hapur të kapërcehet përtej kornizave. Hoxha është i bindur se procesi që po zhvillon aktualisht Komisioni i Rithemelimit po e dëmton Partinë Demokratike dhe po e përçan më tepër.
Sipas ish-sekretarit Organizativ për të arritur një bashkim real të demokratëve duhet të shmangen përjashtimet dhe fillimisht të jepet mesazhi i bashkimit nga lart. Faza e zgjedhjeve, e ristrukturimit të PD-së, sipas tij duhet të vijojë deri në fund të vitit, më pas hapi final ndoshta në fundvit të jetë zgjedhja e kryetarit e partisë. Më tej, Hoxha shpreh nevojën edhe të zhvillimit të një analize në grupin parlamentar në lidhje me zgjedhjet e 25 prillit që të identifikohen fituesit dhe humbësit.
Komisioni i Rithemelimit, prej disa kohësh po zhvillon zgjedhjet për kryetar të degëve të PD-së, në të gjithë vendin. Si e keni parë këtë proces dhe a pajtoheni me të?
Unë gjykoj dhe mendoj se ky proces është i njëanshëm. Partia Demokratike nuk pajtohet me këtë proces, i cili nuk bën bashkimin e PD-së. Është një proces i iniciuar edhe më parë dhe mbase ky proces po i bën dëm PD-së, nuk bashkon demokratët. Kam kërkuar që ky proces të mos bëhej e të mos zhvillohej. Për ta çuar PD-në drejt fitores, do duhej një reflektim më i thellë e që do duhet të bënte me PD-në para 25 prillit, që pavarësish sforcimit që bëri nuk fitoi. Ne duhet të bënim një analizë brenda PD-së që të nxirrnim fituesit dhe humbësit e PD-së.
Njëkohësisht, e vetmja mënyrë që PD-ja të vijojë të jetë e bashkuar dhe t’i japë një alternativë shqiptarëve është ajo që të bëhet një proces gjithëpërfshirës, ku të bëhen bashkë vlerat dhe kontributet. Anëtarët e Komisionit të Rithemelimit shprehen se Kuvendi i 30 prillit do të shërbejë për bashkimin e demokratëve, do të merrni pjesë ju në këtë Kuvend? Dhe a e shikoni përbashkues?
E thashë që në fillim se ky nuk është një proces përbashkues. Fakti që një pjesë e vogël e anëtarësisë së PDsë merr pjesë në proces, demonstron pakicën e anëtarëve të PD-së që po marrin pjesë në proces.
Cila duhet të jetë forma e bashkimit sipas jush, meqë Kuvendi nuk është përbashkues?
Ajo që dua të them është ajo që ne nuk kemi bërë si PD. Ne nuk kemi iniciuar një proces paralel. Thjesht për të mos çarë bazën në qelizën e PD-së. Kjo tashmë po ndodh dhe me gjasë siç po vijojnë gjërat, shoh një përçarje të PD-së. Për këtë ndoshta ka të bëjë edhe vendimi i gjyqtarit Zhukri. Njëkohësisht edhe pjesa e qenies në seli, ndoshta edhe jo legjitime, njëkohësisht duhet të dalim mbi interesat personale.
Z. Hoxha, cila mund të jetë nisma konkrete se si të bëhet një proces gjithëpërfshirës?
Procesi gjithëpërfshirës ka të bëjë me atë parti demokratike që ishte para 25 prillit. Një proces që nuk duhet të përjashtojë. Nuk duhet të vijojë të bëhet vetëm nga Grupi i Rithemelimit, si një proces i shpejt i nxituar që në thelb nuk ka bashkimin e të gjithë anëtarëve të PD-së, dhe të atyre që kanë kontribuar pavarësish nëse janë pjesë e shumicës apo pakicës. Unë dua që PD-ja të vijonte më tej. PD-ja duhet të jetë një parti e hapur që shef drejt së ardhmes.
Edhe ju bëni pjesë te deputetët që kërkoni që bashkimi i partisë të bëhet pa Berishën?
Unë mendoj që kjo gjë i takon procesit në zgjedhjet e PD-së. Një proces që duhet të pezullohet dhe të vijojë në muajt në vijim, pasi ne të bashkohemi si grup parlamentar dhe struktura drejtuese apo edhe si anëtarësi. Më pas, të merren hapat e mëtejshme. Kjo është një pyetje që do kohë dhe do reflektim. Do edhe pak angazhim tonin personal. Ajo që mund të them është se lideri historik i PD-së është kontribuues dhe nuk më takon mua të bëj një përjashtim të tillë.
Ju thoni se procesi që ka nisur Komisioni i Rithemelimit, nuk i shërben bashkimit të demokratëve. A keni menduar ndonjëherë se grupimi që nuk është bashkuar me Berishën, po t’i bashkohej procesit do arrinte bashkimin? Ndërkohë, a i shërbejnë përçarjes takimet që po zhvillon Basha me demokratët në bazë? Ndonëse ka dhënë dorëheqjen, ai vijon takimet?
Të jesh pranë demokratëve nuk do të thotë se i fryn zjarrit të përçarjes. Janë demokratët që bashkë me Bashën dhe Berishën arritën 25 prillin. Le të jemi pak më të drejtpërdrejtë me demokratët. Ne të gjithë bashkë ishim më 25 prill dhe bashkë duhet të jemi. Ndërkohë, pas 25 prillit askush prej nesh nuk morën përgjegjësitë për rezultatin. Ne nuk kemi të bëjmë me fryrje zjarri. Gjithsecili prej nesh duhet të tërhiqet nga interesat personale.
Nëse ju do i bashkoheshit procesit të ristrukturimit, mendoni se mund të arrihej bashkimi?
Ky proces nuk mund të vijojë për të bashkuar, sepse është një proces që e ka përçarë PD-në. Është një proces që ka lënë në një anë të gjithë demokratët. Është një pakicë e anëtarësisë së PD-së.
Besoni se PD-ja ka nevojë për rifreskim?
Unë jam aktiv që nga 2017. Pranova postin për të dhënë kontributin jo për interesin tim personal. PD-ja ka pasur nevojë të rinovohet dhe të dalë përtej interesave të atyre që ndoshta e sollën në këtë gjendje dhe qëndruan komodë për të përfituar një post deputeti dhe nuk dolën përtej vetvetes së tyre për t’i dhënë një leksion PD-së për të qenë një parti e hapur.
A keni ju një platformë për bashkimin?
Gjykoj që secili prej nesh duhet të ketë një platformë. Unë e kam një të tillë. E vetmja zgjidhje që e bën PD-në të bashkuar edhe pse jam skeptik te bashkimi duke parë tendencën e shumë pjesëtarëve të rithemelimit, tendencë që prevalon në interesat e ngushta të një partie politike të një PD-je jo shumë të madhe. Do duhen të paktën disa muaj që ne të rikthenim në gjendjen e mëparshme strukturat që për 7 muaj kanë qenë të përçara. Një proces i hapur për disa muaj.
Duke filluar që nga strukturat drejtuese si para 25 prillit, të cilat vijojnë me anëtarësime. Një proces që duhet të përfundojë brenda vitit. Ndoshta dhe në fund të vitit dalin figura që mund të jenë liderë të rinj që ne ndoshta s’fokusohemi shumë te kjo pjesë./ Panorama
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



