Itali/ Meloni: Jemi akoma më të fortë në Europë
“Kjo natë akoma më e bukur se ajo e gati dy viteve më parë. Qeveria italiane, akoma më e fortë në Europë”, me këto fjalë të kryeministres së saj, mbyllet nata elektorale europiane në Itali që konfirmon partinë ‘Fratelli D’Italia’ e Giorgia Melonin fituese të zgjedhjeve europiane.
Kryeministrja italiane, e cila kryesonte listën e kësaj force politike, është e vetmja lidere qeverisëse e 27 vendeve anëtare që ka fituar europarlamentaret 2024.
56.1% e italianëve me të drejtë vote kanë marrë pjesë në këto votime e pjesëmarrja më e lartë është regjistruar në Italinë Veriperëndimore, mesatarisht me 63% në rajonet Piemonte ku kanë votuar 64.6 %, e në Lombardi me 64.1%.
Fitorja me mbi 28 % e ‘Fratelli D’Italia’ shënon jo vetëm konfirmimin e qeverisë Meloni dhe mbështetjen e italianëve ndaj punës së saj, por dhe një vlerësim, i shprehur disa pikë më shumë se sa fitorja me 26% në zgjedhjet politike të 2022.
“Kjo natë është më e bukur se ajo e dy viteve më parë kur shpresonim të ishim në qeveri. Në këto dy vite kemi bërë zgjedhje të vështira, kemi thënë të vërtetën mbi çfarë ishte e drejtë për të bërë në të mirën e Italisë. Faleminderit italianëve që rizgjodhën ‘Fratelli D’Italia’ e qendrën e djathtë. Jam krenare për kombin tim me një qeveri me e fortë se kurrë në Europë e në G7. Qytetarët janë në anën tonë e duhet të bëjmë më të mirën për ta”, u shpreh Giorgia Meloni rreth orës 2 të mëngjesit të sotëm, ndërsa përshëndeste votuesit e Partisë së saj.
Partia Demokratike, forca kryesore opozitare, u rendit e dyta me rreth 24.3% të votës së italianëve e i konsideruar një sukses nga liderja e saj, Elly Schlein.
“Na ridhatë besim, Rezultat i jashtëzakonshëm, jemi një parti që kemi shënuar më shumë se nga të gjitha forcat e tjera një rritje gjatë këtyre muajve e i jemi afruar shumë partisë së Giorgia Meloni. Ky ishte objektivi ynë. Jemi alternative ndaj kësaj qeverie e ndaj së djathtës”, qe deklarata e parë e Elly Sclein, menjëherë pas projektimeve të para të votës së italianëve.
Beteja elektorale europiane mori vëmendje të vecantë dhe mes mazhorancës qeverisëse e dy forcave aleate të ‘Fratelli D’Italia’, të cilat synonin të merrnin mbi 10% të votave.
Matteo Salvini, lider i Lega, e cila mori rreth 9.1%, deklaroi se “qoftë dhe një presje më shumë se sa vota e zgjedhjeve politike për ne është një e dhënë pozitive. Prej një viti, shumica mendonte se si parti po vdisnim, por nuk ndodhi”.
Ndërsa Antonio Tajani ia dedikon fitoren e së djathtës italiane dhe rezultatin e zgjedhjeve të partisë së tij, liderit historik të ndarë një vit më parë nga jeta, Silvio Berlusconi. “Rezulatat i jashtëzakonshëm i Forza Italia, dedikuar Berlusconi-t”.
“Kemi kapërcyer rezultatin e zgjedhjeve politike, jeni 9.7% sot. Po arrijmë drejt objektivit tonë. Kjo tregon se dhe pas vdekjes së liderit Silvio Berlusconi, partia jonë rritet dhe është një forcë politike kombëtare. Synojmë në zgjedhjet e ardhshme politike të jemi në 20%. E grupi i Partive Popullore Euopiane konfirmohet forca e parë në Parlamentin Europian e jemi mëse të kënaqur”, u shpreh Tajani.
Ndërsa lëvizja ‘5 Yjet’, që arriti në rreth 9.9% të konsensusit të italianëve, mbeti e zhgënjyer. “Një refleksion të brendshëm pse rezultati i kësaj vote nuk ishte ai që pritnim”, janë fjalët e ish-kryeministrit Giuseppe Conte e lideri i kësaj partie. “Më shumë se kurrë, tha ai do të punojmë për një Europë më sociale, më progresiste e më demokratike e për sjellë një alternativ për qeverisjen italiane”.
Zhgënjyes qe rezultati dhe për partinë ‘Italia Viva’ i ish-kryeministrit Matteo Renzi e koalicionit të tij që nuk arriti të kapë nivelin minimal të 4% të votës së italianëve e nuk do të kenë asnjë përfaqësues parlamentar në Parlamentin Europian.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



