E enjte, 15 tetor 2026 DENONCO ANONIM Denonco: +355 69 20 95 843
PUBLIK
Ja kur do të publikohen emrat e kandidatëve për Këshillin Kombëtar të PD
Lajme

Ja kur do të publikohen emrat e kandidatëve për Këshillin Kombëtar të PD

“Rithemelimi” do propozojë 22 majin për zgjedhjen e kryetarit!

Komisioni i Rithemelimit do t’u propozojë delegatëve të Kuvendit të PD-së që më 22 maj të zhvillohen zgjedhjet për kryetarin e ri të Partisë Demokratike.

1

Ky ka qenë konkluzioni i mbledhjes së djeshme të Komisionit të Rithemelimit që zgjati deri në mesnatë. Në përfundim të mbledhjes, ish-Kryeministri Berisha tha se ai do të formalizojë kandidaturën menjëherë sapo të caktohet me vendim të Kuvendit data e zgjedhjeve.

Ndërkohë më pas, Këshilli Kombëtar që do të zgjidhet më 30 prill, lista e kandidatëve pritet që të publikohet të premten, do të zgjedhë më pas kryesinë e PD-së, nënkryetarët dhe sekretarin e Përgjithshëm. Sakaq, është fakt që Komisioni i Rithemelimit do t’i propozojë Kuvendit që deputetët dhe kryetarët e degëve të futen automatikisht në Këshillin Kombëtar të PD-së.

“Morëm disa vendime shumë të rëndësishme për përbërjen e Këshillit Kombëtar për të cilën komisioni i operacioneve zgjedhore do ju informojë sapo të finalizohet lista. U vlerësua përfundimi i zgjedhjeve përveç dy degëve. Janë rreth 40 mijë anëtarë të PD-së në zgjedhje. Komisioni do ju informojë rreth të gjithë procesit. Do i propozohet Kuvendit data e zgjedhjes së kryetarit, 21 apo 22 maj. Secili kandidat do të depozitojë kriteret dhe do përcaktohen rregullat. Sapo të vendosë Kuvendi, unë thuajse e kam shpallur, por pasi të formalizohet. Ndërkohë, kryesia e PD-së do të zgjidhet më parë. Këshilli do zgjedhë Kuvendin. Nënkryetarët dhe sekretarinë e zgjedh Këshilli”, tha Berisha.

Ndërkohë, po kështu pritet që të ketë një zgjatje disaditore të mandatit të Komisionit të Rithemelimit. Berisha bëri me dije dje se komisioni që ka drejtuar deri më tani Partinë Demokratike do duhet të drejtojë akoma PD-në deri në zgjedhjen e kryesisë së PD-së që pritet të kryhet më shpejt sesa zgjedhja e kryetarit të ri.

“Mendoj që Kuvendi do autorizojë Komisionin e Rithemelimit që të funksionojë deri ditën që të zgjidhet kryesia e PD-së në momentin që do të zgjidhet kryesia pushon së funksionuar Komisioni i Rithemelimit”, vijoi ish-Kryeministri.

RIKTHIMET

Ndërkohë, mësohet se gjatë këtyre ditëve Sali Berisha ka mandatuar deputetët që i janë bashkuar që në fillim lëvizjes së tij që të intensifikojnë takimet me deputetët e grupit parlamentar, të cilët nuk janë ende të bindur për t’iu bashkuar rithemelimit në mënyrë që t’i bindin që të jenë pjesë e Kuvendit të 30 prillit.

Ndërkaq, vet Berisha tha dje pasi doli nga mbledhja se do të ftohen në Kuvend edhe ish-funksionarët e larguar, disa prej tyre mund të futen edhe automatikisht në Këshillin Kombëtar.

“Arben Imami, Jozefina Topalli kthehet në Këshillin Kombëtar ‘exoficio’. Ndërkohë, znj. Bregu po e lejoi posti që ka. Për Bregun, për Patosin dhe Hajdarin do të ketë një ftesë. Të gjithë ata që janë larguar janë të mirëpritur”, tha Berisha.

Sakaq, në mbledhjen e gjatë të djeshme të Komisionit të Rithemelimit që filloi në orën 19:00 dhe përfundoi në orën 23:00 është diskutuar gjithashtu edhe për numrin e departamenteve që do të ngrihen në selinë e Partisë Demokratike për të ndjekur çështjet sipas problematikave. Pavarësisht diskutimeve të gjata, rithemelimi nuk mori një vendim sesa do të jetë numri i departamenteve, por drejtuesit e tyre do të zgjidhen nga kryesia e re e Partisë Demokratike.

NGËRÇI GJYQËSOR

Ndërsa data 30 prill po afron, ku është thirrur Kuvendi Kombëtar i PD-së, duket se dy palët brenda Partisë Demokratike duket se janë ende larg bashkimit të plotë. Kryetari i Grupit Parlamentar Enkelejd Alibeaj edhe pse sot ka seancë parlamentare, nuk ka thirrur në mbledhje deputetët siç ndodh në shumicën e rasteve për të diskutuar mbi linjën që do të mbajë grupi në Parlament.

Po kështu, një javë më parë u paralajmërua se do të kishte një tjetër mbledhje për të diskutuar në lidhje me përbashkimin e demokratëve, por kjo nuk u realizua. Tensionet mes Alibeajt e Berishës i ngriti procesi në gjykatën e apelit për vendimin e Agron Zhukrit më 25 mars që njohu Kuvendin e 11 dhjetorit. Kalimi i çështjes në Gjykatën e Apelit zgjat për një afat të papërcaktuar situatën e kaosit në PD se kujt do t’i caktohet e drejta për vulën dhe logon e PD-së.

Ndryshimet statutore, deputetët automatikisht në Këshill, Kaso: më 30 prill do të çelet gara për kryetarin e PD

Kuvendi Kombëtar i 30 prillit do të çelë garën për kryetarin e ri të Partisë Demokratike, garë në të cilën s’ka asnjë dilemë se kandidati kryesor për të marrë drejtimin e saj, është Sali Berisha. Anëtari i Komisionit të Rithemelimit, Ivi Kaso, shpjegoi dje se organi më i lartë vendimmarrës i Partisë Demokratike ditën e shtunë do të vendosë procedurat dhe afatet që do të ndiqen në garën për numrin 1 të Partisë Demokratike.

“Dhe besoj që do të ketë edhe një vendimmarrje nga Kuvendi Kombëtar për të përcaktuar modalitetet si do të zhvillohet gara për kryetarin e partisë, tutje atyre statutore, do të përcaktohen edhe afatet kohore mbi të cilën do të zhvillohet kjo gare siç janë afatet për pritjen e dokumentacionit, afatet për zhvillimin e fushatës elektorale brenda PD-së dhe vendimmarrje për datën finale, ku demokratet do të votojnë për të zgjedhur drejtuesin e partisë për 4 vitet e ardhshme”, tha Kaso.

Në 30 prill, Kuvendi do të zgjedhë Këshillin e ri Kombëtar dhe do të ndryshojë statutin. Ndryshimet në statut që janë diskutuar ne grupin e punës janë të pakta, dhe kryesisht synojnë të përçojnë një mesazh bashkimi për të gjithë demokratët, duke i bërë deputetët automatikisht pjesë e Këshillit Kombëtar.

“Prania e grupit parlamentar, në Këshillin Kombëtar të PD, për shkak se ata janë mandatuar se përfaqësues të PD-së në zgjedhjet e përgjithshme, pra inkorporimi i të gjithë grupit parlamentar në këshill. Propozime kanë ardhur edhe nga degët për një traditë të konsoliduar të PD-së, e cila parashikonte që krerët e degëve të PD-së për shkak të detyrës të jenë anëtarë të Këshillit Kombëtar”.

Sipas këtij ndryshimi në statut, Lulzim Basha, Enkelejd Alibeaj, Gazment Bardhi etj., janë pjesë e forumeve të reja që po ngrihen nga Komisioni i Rithemelimit, por ka pak gjasa që ata të marrin pjesë në këto mbledhje e ky vendim të shihet si një mundësi për bashkim.

Edhe në 30 prill, ashtu si në 11 dhjetor, në Kuvendin e PD-së do të shkojnë vetëm një pjesë e deputetëve, pasi grupi tjetër i tyre kërkoi shtyrjen e zgjedhjeve në bazë, e shtyrjen e Kuvendit për t’i lënë kohë procesit të bashkimit.

Na ndiqni në YouTubeVideo, intervista dhe transmetime nga PUBLIK TV Abonohu

Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.

Denonco
DENONCO

Zëri yt bëhet lajm.

Bëhu pjesë aktive e Publik.al. Raporto çdo padrejtësi, korrupsion apo ngjarje, me foto dhe video. Identiteti yt mbrohet nga redaksia.