‘Jam gjentëllmen’, Albana Bejko nxjerr mesazhet me psikiatrin
Moderatorja e sportit, Albana Bejko, ka bërë publike bisedat e vazhdueshme që, sipas saj, i ka marrë për muaj me radhë nga mjeku psikiatër kosovar, Behari Kamberi. Ajo tashmë është përballur me të edhe në polici.
Gjatë intervistës në emisionin “Goca & Gra”, Bejko ndau mesazhe ku Kamberi i shprehte dashuri obsesive dhe i kërkonte martesë. “Më shkruante çdo ditë në të gjitha rrjetet sociale, madje më thoshte se duhet të martoheshim. Kam qenë në ankth dhe ndjehesha e kërcënuar,” u shpreh moderatorja.
Sipas Bejkos, përndjekja ka kaluar çdo kufi, duke i shkaktuar presion të vazhdueshëm psikologjik. “E mora seriozisht vetëm kur ai nisi të më ndiqte edhe fizikisht, jo vetëm online. Ishte një periudhë shumë e vështirë për mua,” shtoi ajo.
Ngjarja ka marrë vëmendje të madhe në media, ndërsa dalja në publik e mesazheve pritet të hedhë më shumë dritë mbi raportin mes Bejkos dhe mjekut.
Lirimi i mjekut nga burgu dhe vijimi i hetimeve
Prokuroria urdhëroi lirimin e menjëhershëm të Behari Kamberit nga burgu 302 në Tiranë, ku ai ishte arrestuar për shkak të dyshimeve për përndjekje ndaj moderatores.
Sipas Prokurorisë, arrestimi i Kamberit nga policia është konsideruar i paligjshëm. Mjeku 42-vjeçar dyshohej se ndiqte moderatoren dhe qëndronte pranë banesës së saj, duke shkaktuar shqetësim. Albana kishte bashkëpunuar me policinë për të organizuar një takim në një zonë të Tiranës, ku Kamberi u arrestua.
Në dosjen hetimore janë përfshirë disa mesazhe nga mjeku, si: “Të dua, dua të martohem me ty” dhe “Kam ardhur nga Kosova vetëm për të të parë”. Por Prokuroria i ka vlerësuar këto mesazhe si komunikim sentimental normal dhe jo kërcënim që cënon sigurinë.
Për këtë arsye, Kamberi u lirua dhe hetimi do të vazhdojë në gjendje të lirë.
Gjatë dëshmisë në polici, mjeku, me lot në sy, deklaroi se kishte ardhur në Tiranë vetëm për të shprehur ndjenjat e tij dhe mohoi se kishte kërcënuar moderatoren: “Nuk është e drejtë të jem në burg vetëm pse kam pëlqyer një vajzë,” tha ai.
Njohja dhe raporti mes Bejkos dhe Kamberit
Bejko dhe Kamberi njiheshin më parë dhe kishin një raport miqësor, duke qenë të lidhur edhe nga pasioni për futbollin dhe përqafimin e aktiviteteve në stadium.
Megjithatë, ndjenjat e mjekut duket se u kthyen në një dashuri të njëanshme, që kaloi kufijtë e arsyes.
Mësohet se Kamberi është denoncuar edhe më parë për sjellje të padëshiruar dhe përndjekje ndaj vajzave, edhe pse nuk ka precedentë penalë për sulm fizik apo seksual. Në rrethin e mjekëve, ai përshkruhet si një person me sjellje obsesive në disa raste.

Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



