Jamarbër Malltezi i përgjigjet Kajsiut: Je zëdhënës vullnetar i Ramës

Nga Jamarbër Malltezi!

Standardi politik i barazimit të legjitimes me jo-legjitimen është bërllok – politika apo llum politika e Edi Rames!

Në artikullin e tij me titull ‘Ngërçi i Mbrojtjes Berishiste’, Blendi Kajsiu, si të ishte zëdhënës vullnetar i Edi Rames, ka ripërsëritur me një zell të sëmurë gënjeshtrat dhe manipulimet e neveritshme të dosjes së prokurorëve, shërbëtorë të Edi Rames, njëlloj si të ishte njëri prej tyre.
Qëllimi kryesor i autorit është të justifikojë si të ligjshme vendosjen nga SKAPI i partisë, me urdhër politik të Edi Ramës e në kundërshtim flagrant me kushtetutën, të masave të sigurisë, si persona nën hetim, ndaj kryetarit të PD Sali Berisha dhe burgosjen politike të Jamarber Malltezit, anëtar i Këshillit Kombëtar të PD-së dhe kryetar i Departamentit të Mjedisit të kësaj partie, dhëndër i Sali Berishës.
Në funksion të këtij qëllimi, duke dëshmuar se nuk njeh normë etike, ligjore, pa lërë intelektuale, Kajsiu flet në emër të kujdo. Ai bëhët herë zëdhënës vullnetar i Edi Ramës, hërë tjetër avokat mjeran i SKAPIT në tërësi, herë në veçanti i prokurorëve shërbëtorë të Ramës. Madje pretendon se përfaqson edhe opinionin e të gjithë spektrit, por njëherazi, edhe ligjin dhe maliqin.
Në funksion të këtij qëllimi, Kajsiu, pa asnjë fakt, provë, apo dokument, sikur të ishtë anëtar i grupeve ekstreme Marksistë Leniniste, për të cilët prona private është nëna e të gjitha të këqijave, demonizon procesin e kthimit ne përputhje të plotë më ligjet, të sendit të vjedhur tek pronari, pronës së konfiskuar para 60 vitësh nga regjimi komunist tek i zoti. Pra, ai anatemon një procës kushtetues dhë ligjor, nga i cili, gjer sot, kanë marrë pronat e tyre qindra dhe mijëra ish-pronarë shqiptarë, njëri prej të cilëve jam edhe unë.
Për të mbrojtur me fanatizëm vendimet politike të Edi Ramës dhe shërbëtorëve të tij në SPAK, Kajsiu si një ushtar i mirë i tyre, përsërit si papagall trillimet e tyre kundra meje. Ai ndër të tjera shkruan se, pasurimi im qënka bërë i mundur nga vendimet favorizuese të vjehrrit tim Sali Berisha në pushtet, se unë nuk u pasurova se isha sipërmarrës i zoti, por nga pushteti i vjehrrit, se unë u pasurova pikërisht gjatë kohës së pushtetit të vjehrrit dhe jo para apo prapa kësaj periudhe, dhe se u pasurova jo si pronarët e tjerë. Madje, me ligësi dhe pa asnjë fakt, njëlloj si skapistët qe fshehin dokumente, vë në dyshim origjinën e pasurisë sime.
Lidhur me këto gënjeshtra të neveritshme të Kajsiut, ripërsëritje me porosi e të gjitha shpifjeve ndaj meje të Edi Ramës e prokurorëve shërbëtor të tij, do përgjigjem këtu më poshtë, më shumë për lexuesit se sa për autorin e tyre.
GËNJESHTRA E PARË : pasurimi im nga favoret e pushtetit.
Kajsiu mbllaçit një gënjeshtër të turpshme, për të cilën prokurorët shërbëtorë të Edi Ramës, pas tre vitesh hetimesh shterruese, nuk gjetën dot asnjë provë, dokument apo dëshmi të ndonjë personi që të mund të më fajësonin. Pikërisht për këtë ata nuk ngritën dot padi penale kundër meje, por më burgosën me urdhër politik të Edi Ramës, pa qenë në gjendje të ngrinin akuzë ndaj meje.
Cilido qe nuk ka per qëllim gënjeshtrën e di se favoret nga pushtetit bëhen duke shkelur ligjin. Por pas tre vjet hetimesh shterruese, SPAK nuk ka gjetur dot asnjë provë, dokument apo dëshmi, të çfaredo lloji, që të provojë se në trajtimin e dosjes së Klubit Partizani, ku unë jam 1 ndër 300 pronarët, ka patur shkeljen më të vogël ligjore nga Sali Berisha, për të më favorizuar mua. Në fakt, kjo del e qartë si kristali nga vetë vendimi prej 200 faqesh i drejtësisë së kapur, nga Edi Rama, prokurorët dhe gjykatësit e të cilit për shkeljen më të vogël të ligjit do bërtisnin ‘eureka’ dhe do ngrinin padi penale.
Përveç kësaj, pranoj se favorizim nga pushteti do të ishte një procedurë e shpejtuar si ajo e Edi Ramës me 17 vendime të firmosura për 24 orë në rastin e inceneratorëve. Por nuk pranoj kurrë mashtrimin e skapistëve, të cilët në dosjen e tyre politike, shprehen se kthimi i pronës dhe privatizimi i Kompleksit të Klubit Partizani filloi në vitin 2006 dhe mbaroi brenda katër muajve, që në të vërtetë ishte afati maksimal ligjor per shqyrtimin e një dosje. Krejt ndryshe nga ky mashtrim, dokumentat zyrtare provojnë qartë se procesi i njohjes e kthimit te tokës së konfiskuar në vitin 1946, si dhe privatizimi i objekteve të ndërtuara në Klubin Partizani, ka filluar në vitin 1994 dhe ka përfunduar në fundin e vitit 2009. Klubi u nxorr nga plani I përhapjes kur Sali Berisha ishte në opozitë dhe po kështu, procesi I privatizimit filloi nga qeveria e mëparshme socialiste dhe jo nga qeveria e kryesuar nga Sali Berisha. Pronarët e morën në dorezim pronën e tyre 8 muaj pasi ata kishin paguar objektet e privatizuara të ndërtuara mbi tokën e tyre.
Vetëm Edi Rama dhe shërbëtorët e tij në prokurori apo media mund të konsiderojnë të shpejtuar një procedurë që zgjat 15 vjet, pergjatë ndërrimit të shumë qeverive!
Gjithashtu theksoj se, familja Begeja, një familje në top listën e konfiskimit të floririt nga rregjimi komunist, që ka patur prona te konfiskuara mbi 1 milion m2, gjer më sot, ka arritur të marrë më pak se 8% të pronave të saj.
Përveç këtyre, shtoj se nuk ekziston asnjë ligj i firmosur nga Sali Berisha që lidhet veçmas me njohjen, kthimin e tokës dhe privatizimin e objekteve të ndërtuara mbi pronën e grabitur nga regjimi komunist tek kompleksi i Klubit Partizani.
Çdo ligj i firmosur nga Sali Berisha nga viti 2005 në vitin 2013 ka patur qëllim madhor reformat e premtuara në programin e PD në tërësi, ndër të cilat edhe ato ne fushen e pronësisë. Këto reforma kanë synuar mbrojtjen e interesit publik dhe kthimin e pronës së konfiskuar tek pronari legjitim. Në sajë të këtyre reformave në fushën e pronësisë, gjer në vitin 2012 u jane kthyer fizikisht subjekteve të shpronësuara, pra qindra – mijëra pronarëve të ligjshëm, mbi 1,577,400,000 m2 tokë nga të cilat 119,120,000 m2 toke truall. Nga këto të fundit unë kam marrë 410m2 tokë të trashëguar nga familja ime dhe të konfiskuar nga rregjimi i Enver Hoxhës 60 vite më parë. Këto janë pronat e etërve qe u janë kthyer pronarëve te ligjshëm dhe jo miliona m2 prona, që Rama ua merr pronarëve të ligjshëm për t’ua dhënë pëllumbgjokërve, apo ministrave dhe oligarkëve të tij.
Mbi pretendimin e Edi Ramës, prokurorëve shërbëtorë të tij, që trumpeton edhe Kajsiu, sipas të cilit, vendimi i Keshillit të Ministrave i vitit 2008, për përdorimin e letrave me vlere në procesin e privatizimit, ka patur si synim favorizimin tim, theksoj se ky është një mashtrim i turpshëm dhe skandaloz.
Lekët e privatizimit dhe letrat me vlerë janë shpërndarë sipas një ligji të veçantë që në vitin 1995 dhe nga ato kanë përfituar rreth 1,3 milion shqiptarë. Në mënyrë të përsëritur qeveritë e ndryshme shqiptare kanë marrë vendime periodike për zgjatjen e përdorimit të tyre në procesin e privatizimit, madje edhe pas vitit 2013. Deri më tani qytetarët kanë përfituar prej tyre mbi 300 milionë euro në privatizime me letra me vlerë. Për përfitimin tim personal nga vendimi i vitit 2008 për përdorimin e letrave me vlerë sqaroj se, vendimi i qeverisë për të cilin prokurorët e Skapit, shërbëtorë të Edi Ramës pretendojnë se u mor për favorizimin tim, është firmosur një muaj pasi pesë familjet pronare të tokës së Klubit Partizani kishin paguar me leke shumën 700 mije dollarë për blerjen e vjetërsirave të privatizuara që gjendeshin në tokën e tyre. Familja Begeja, sipas detyrimit nga pronësia që kishte aty, i takoi 40% e kësaj shume. Ndërsa në detyrimin tjeter prej 100 mijë dollarësh për pagesën e objekteve të tjera qe u paguan pas daljes së VKM, familjes Begeja, sipas pronësisë që kishte aty, i takonte të paguante vetëm 5%, apo 5000 mije dollar, të kësaj shume dhe Jamarbër Malltezit, qe zoteronte 1/64 e kësaj pjese, i takonte të paguante 75 dollarë, nga të cilat 60 USD mund t’i paguante me letra me vlerë. Te pretendosh se për të më favorizuar mua me 60 dollare, qeveria mori vendim për përdorimin e letrave me vlerë në privatizim nga pronarët, vendim nga i cili mijëra e mijëra pronarë përfituan rreth 30 milion dollarë, je miliona herë larg të vërtetës. Por megjithë këtë, për turpin e tyre, ky është pretendimi i Edi Ramës, shërbëtorëve skapistë dhe Kajsiut si zëdhënësi i tij.
GËNJESHTRA E DYTË E MADHE e zëdhënësit vullnetar të Edi Ramës: Jamarbër Malltezi është pasuruar vetëm gjatë kohës që Berisha ka qenë në pushtet.
Ky është një mashtrim tjetër i ulët publik i Kajsiut, si zëdhënës i Ramës. Ai pa u skuqur mashtron opinionin kur shkruan se sipas tij, dëshmi e përdorimit të pushtetit të Berishës për pasurimin tim është fakti se une jam pasuruar gjatë kohës që Berisha ishte në pushtet dhe jo në kohë tjetër, para apo pas pushtetit të tij.
Në respekt të lexuesit dhe jo të Kajsiut, te cilin e le të përtypë shpifjet dhe gënjeshtrat që e detyrojnë apo i pëlqejnë, sqaroj sa vijon.
Gjatë 32 viteve unë nuk kam përfituar kurrë asnjë qindarkë nga shteti përveç rrogës time në universitet dhe kjo, pavarësisht se kush ka qenë në pushtet.
Por, meqë Kajsiu merr përsiper, në emër te Edi Ramës, të bëjë auditin e rremë të pasurisë time dhe mashtron me ligësi për kohën e krijimit të saj, deklaroj se dokumentat zyrtare provojnë të kundërtën. Ato faktojnë se 80% e pasurive të mia janë krijuar kur në pushtet kane qenë kundershtarët e Sali Berishës.
Konkretisht, deri në vitin 2005 të gjitha të ardhurat e mia vijnë nga pagat, dietat, bonuset e punës time dhe të bashkshortes për 7 vite si zyrtarë të OKB në Kosovë dhe arrijnë në vlerën mbi 850 mije dollarë. Këto të ardhura janë investuar tërësisht në pasuri të patundshme. Të gjitha të ardhurat e mia nga viti 2006 gjer në vitin 2009, pra para privatizimit të Klubit Partizani vijnë nga qeratë e apartamenteve, pagat tona si drejtues projekti, pedagogë, si dhe konsulencat në fushat ku ne jemi specialistë, pa asnjë lidhje me sektorin publik. Këto pasuri vlejnë sot shumë herë më tepër nga vlera e tyre në vitet kur janë blerë dhe përbëjnë mbi 30% të vlerës së pasurisë sime. Te gjitha këto janë të deklaruara në çdo qindarkë në tatime dhe ILDKP. Ndërsa rreth 60% e pasurive tona familjare janë krijuar pas vitit 2014, nga të ardhurat prej investimeve, qerave, nga pagat në universitet, si dhe konsulencat tona në sektorin privat. Te gjitha të ardhurat e mia familjare janë të deklaruara dhe të kontrolluara në mënyrë të përsëritur nga të gjitha institucionet përgjegjëse.
Ne lidhje me mashtrimin me porosi se unë jam pasuruar më shumë se të tjerët në sipërmarrjen e ndërtimit, e për rrjedhojë, kemi të bëjmë me korrupsion sqaroj sa vijon. Së pari në ortakëri çdo ortak fiton në proporcion me kapitalin që vendos në investim. Pas marrjes së pronës çdo pronar u ftua te investonte në raport me pronën e tij gjer në 25%. Nga të gjithë pronarët, preferuan të marrin pjesë në investim tre prej tyre – unë dhe dy të tjerë. Une kam hyrë në investim me 35%, dy ortakët e tjerë respektivisht me 40% dhe 25%. Së dyti, në këtë ortakëri unë investova që në fazën e parë të projektit 113m2 nga trashëgimia (nga rreth 400m2 që ishte trashëgimia ime në të gjithë tokën), 1100m2 tokë të blera nga bashkëpronarët e tjerë (nga afro 2100 e blerë në të gjithë projektin), si dhe afro 45 mijë euro. Të tre ortakët që në fillim ramë dakord të shesim apartamentet në gropë, me çmim të leverdisshëm dhe paratë e shitjes t’i investojmë për të vazhduar zhvillimin. Të gjitha këto janë të dokumentuara në qindra, kontrata, fatura bankare, ndërtimore, tatimore. Ato ndër të tjera provojnë se përfitimi im ka qenë në raport me investimin dhe kuotat e dakordësuara.
Standarti politik i Kajsiut, njësoj si ai i Edi Ramës, është standarti i hajdutit, sipas të cilit, në vlerësimin politik të korrupsionit nuk ka asnjë rëndësi zbatimi apo moszbatimi i ligjit.
I vetëdijshëm se në dosjen e prokurorëve politikë e shërbëtorë të Edi Ramës nuk qëndron absolutisht asgjë, Kajsiu për të justifikuar dhe përligjur vendimet antikushtetuese e antiligjore, të diktuara nga Edi Rama, për heqjen e lirisë të daljes jashtë Shqipërisë të kryetarit të PD Sali Berisha dhe burgosjen time politike nga Skapi i partisë, arrin deri aty sa shkruan se ‘për standartin politik nuk është e nevojshme të provohet se pasurimi ishte i ligjshëm apo i paligjshëm. Për të akuzuar politikisht mjafton të provosh që familjarët e një kryeministri janë bërë milionerë gjatë qeverisjes së tij, pavarësisht mënyrs.
Kjo është një deklarat skandaloze, që tregon se për Kajsiun nuk ekziston kufiri apo dallimi midis të vertetës dhe gënjeshtrës, midis morales dhe amorales, midis politikës të zbatimit të ligjit, funksionimit të shtetit ligjor si shtyllë kryesore e sistemit demokratik nga njëra anë dhe politikës së maliqit, antiligjit dhe kapjes së shtetit nga ana tjetër. Ekzakt ky është standarti i Edi Ramës. Në këtë standart politik, zhduket kufiri midis të ndershmit dhe hajdutit, të korruptuarit dhe të pakorruptuarit, të ligjshmes dhe te paligjshmes, midis pasurisë të vendosur me punë të ndershme, në përputhje me ligjin, nga familjari i pushtetarit dhe pasurisë të vendosur me vjedhje dhe perfitime të paligjshme, që krijohen nga favoret e pushtetit. Sipas standartit politik të Kajsiut, në fakt të Edi Ramës dhe prokurëve shërbëtorë të tij, në rastin e kryeministrit nuk ka ndryshim midis atij që në përputhje me ligjet merr pas 60 viteve tokën e vet dhe burgoset për motive politike dhe vajzës së Edi Ramës kryeministër, që në kundërshtim me ligjin themelor të shtetit, fryn kontot bankare me paratë e taksapaguesve, duke fituar në tendera të cilët kushtetuta i ndalon për fëmijët e kryeministrave. Sipas këtij standarti politik nuk ka dallim midis atij që në përputhje të plotë me ligjet ka marrë tokën e konfiskuar nga rregjimi komunist dhe Edi Ramës, që në kundërshtim me ligjet, grabit tokën dhe ndërton për vete sarajet e Surrelit, me themele 57 m të gjata e me park 5000 m2, në një kohë që kishte të deklaruara në ILDKP vetem 3800 euro dhe 400 mijë lekë. Sipas standartit Rama-Kajsiu nuk ka dallim midis atij që në zbatim të ligjit ka marrë pas 60 viteve tokën e rrëmbyer nga rregjimi komunist dhe ka deklaruar çdo qindarkë të të ardhurave të tij, me Edi dhe Linda Ramën, familjarët e të cilëve ndërtuan pallatin pesë katesh në sheshin e pallateve pa asnjë faturë tarimore, doganore, bankare apo ndërtimore. Sipas standartit amoral te Edi Ramës dhe Kajsiut nuk ka dallim midis Olta Xhaçkës, që bëri burrin investitor strategjik dhe ndërtuesit Fatmir Bektashi që mbahet në masë sigurie vetëm se ka qenë ortak me dhëndrin e Sali Berishës.
Në të vërtetë, me standartin politik që servir Kajsiu, me të cilin ai rreket të mbrojë krimin dhe korrupsionin e Edi Ramës dhe suitës së tij, kemi të bëjmë me rrëzimin e një muri që ndan njeriun e ndershëm, që zbaton rregullat e ligjet e shtetit dhe etikën e profesionit, me vrasësin me pagesë të fjalës së lirë, pseudo intelektualin që nuk njeh asnjë normë dhe shkel ligj e  kushtetutë për pasurimin e tij.
Në doktrinë ky standart politik që njëson të bardhën me të zezën vetëm se ato janë ngjyra, është standarti i anarkistit, apo i ekstremistëve të majtë që urrejnë pronë private sepse, në ideologjinë e tyre Marksiste Leniniste, prona private duhet shkatërruar pasi ajo lind çdo ditë kapitalizmin. Por në rastin konkret, ky standart është platforma e përligjjes së vjedhjes dhe grabitjes shtetërore nga Edi Rama, familjarët dhe ministrat e tij.
Duke përfunduar dua të rikujtoj këtu se politika dhe ligji sigurisht që nuk janë një. Por në thelb ato të dyja funksionojnë së bashku, me qëllimin madhor që të sjellin drejtësi dhe rend. Është sistemi politik që lind sistemin ligjor dhe krijon kështu kushtet e nevojshme për zbatimin e qëllimeve dhe objektivave të tij, formimin e institucioneve, rregullimin e aktiviteteve dhe proceseve të pershtatshme.
Kurse politika që barazon të ligjshmen me të paligjshmen është bërllog politika apo llum politika e Edi Ramës dhe e puthadorëve të tij.

Publikuar nga Publik Media