Janë zhdukur VKM-të e Inceneratorit të Tiranës

Ahmetaj paralajmëron zbardhje dokumentesh në intervistën e nesërme në Syri TV
Ish-zëvendëskryeministri Arben Ahmetaj ka hedhur një nga akuzat më të forta publike që lidhen me aferën e inceneratorëve, duke deklaruar se Vendimet e Këshillit të Ministrave (VKM) për Inceneratorin e Tiranës janë zhdukur nga arkivat shtetërore.
Deklarata e Ahmetajt, e bërë publike përmes një reagimi të drejtpërdrejtë, paraprin intervistën ekskluzive që pritet të transmetohet nesër në Syri TV, ku ish-numri dy i qeverisë Rama ka paralajmëruar se do të flasë me dokumente.
“Kam paralajmëruar prej kohësh. Kam kopjet. I kam,” – është shprehur Ahmetaj, duke lënë të kuptohet se disponon prova shkresore që vërtetojnë ekzistencën e VKM-ve, të cilat sot nuk rezultojnë më në dosjet zyrtare.
VKM që nuk gjenden, por miliona euro që janë paguar
Zhdukja e VKM-ve ngre pikëpyetje serioze ligjore dhe penale: si është miratuar, financuar dhe vijuar pagesa e kontratës së Inceneratorit të Tiranës, nëse vendimet bazë qeveritare nuk gjenden më në arkivat zyrtare?
Bëhet fjalë për një nga projektet më të kushtueshme të dekadës së fundit, që ka prodhuar pagesa qindra milionë euro, ndërkohë që objekti real nuk ekziston dhe shërbimi nuk është ofruar sipas kontratës.
Sipas burimeve pranë dosjes, VKM-të përbëjnë bazën ligjore të gjithë zinxhirit të vendimmarrjes, nga dhënia e koncesionit deri te disbursimi i fondeve publike. Zhdukja e tyre nënkupton jo thjesht kaos administrativ, por fshirje të qëllimshme të provave.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



