Jonila Godole: “Ushtarë” e “gjeneralë” duhet të bëhen bashkë që ta kalojmë këtë situatë. Për llogaritë …
Studiuesja e shkencave të komunikimit, Jonila Godole në një postim në facebook bën thirrje që në këtë situatë shpërthimi të koronavirusit është momenti që “ushtarë” e “gjeneralë” të bëhen bashkë derisa të rifillojë jeta normale.

Referuar deklaratave të kryeministrit Rama i cili u kërkon qytetarëve t’ia lënë qeverisë llogaritë, Godole shprehet “sa për llogaritë dhe përgjegjësitë e secilit, kemi kohë më vonë” .
Reagimi i Gogoles:
Artistët [civilët] luten, ushtarakët urdhërojnë….
Gjithë populli sot është ushtar!
Harrojeni kohën para se të fillonte lufta!
Jemi në luftë dhe luftën do ta bëjmë në kushte ekzistence, sa për të mbajtur frymën gjallë.
Jemi pasardhës të 28 mijë dëshmorëve që u vranë në luftë, nëpër male, kurse sot kërkohet vetëm të rrish në shtëpi dhe të durosh!
Llogaritë na i lini neve [qeverisë] t’i bëjmë…….
Kur kryeministri qetëson popullin duke huazuar fjalorin e paraardhësve të tij në parti para 1992-ishit; mungon vetëm shprehja lapidare e udhëheqësit: Edhe bar do hamë, por nuk ia shtrijmë dorën… [Koronës]?!
Nuk e di në çfarë analogjie do ta përdorte Kryeministri izolimin 45 vjeçar komunist, dhe mbi të gjitha burgosjen dhe internimet, dhe shkeljen e të drejtave të njeriut për mbi 1/3 e shqiptarëve. Vështirë ta bëjë, sepse do na dilte Korona më “humaniste” se regjimi komunist që i vinte përpara me foshnje, fëmijë, gra, burra, pleq e plaka!
Nuk është momenti t’i drejtohemi pra, në mënyrë selektive vetëm një pjese të popullsisë – festimet e 75 vjetorit të çlirimit kanë mbaruar!
Nuk është momenti të krahasohemi me dëshmorë, se kjo gjuhë edhe vetë luftën dhe sakrificën e tyre e bën qesharake.
Është momenti që “ushtarë” e “gjeneralë” të përballojmë këtë situate që na ka rënë bashkë me vendet e tjera, derisa të rifillojë jeta normale; sa për llogaritë dhe përgjegjësitë e secilit, kemi kohë më vonë…
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



