“Jorgua” i Ramës nuk di gjë çfarë është bërë me letrat: Thjesht kam firmosur!

Është zbardhur dëshmia e kryebashkiakut në detyrë të Himarës Jorgo Goro, i cili u arrestua dy ditë më parë me urdhër të SPAK pasi akuzohet për tjetërsim prone.

Në dëshminë e tij Goro ka deklaruar se nuk kishte qenë në dijeni të veprimeve që ka kryer po thjeshtë ka firmosur kthim përgjigjen si titullar institucioni që drejtonte.

Ndër të tjera ai ka deklaruar se ka vepruar për të zgjidhur mosmarrëveshjet mes palëve. Goro shprehet se ka dhënë vetëm një mendim se ku mund të jetë prona e shtetasit Haris Runa dhe Krenar Adili, me qëllim zgjidhjen e konfliktit.

“I pyetur në cilësinë e personit që ka dijeni për veprën penale, shtetasi Jorgo Goro shpjegon ndër të tjera se: ..në lidhje me kërkesën me nr. 19555 datë 07.09.2016, nga zyra Vendore e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme Vlorë, Drejtoria e Mbrojtës dhe Menaxhimit të Tokës ka kryer veprimet e saj për të cilat ai nuk është në dijeni, por thjesht ka firmosur kthim përgjigjen si titullar institucioni drejtuar Z. V. R.PP. Vlorë, pas përpilimit nga drejtoria përkatëse.

Pra e gjitha procedura e ndjekur për rastin në fjalë është trajtuar nga drejtoria përkatëse e cila ka kryer verifikimet përkatëse, dhe nga Bashkia Himarë është kthyer përgjigje me shkresë nr.2751/1 datë 13.09.2016.

I pyetur se çfarë baze ligjore kishte shërbyer për të si kryetar bashkie, për të konturuar pasurinë me numër 36/35, deklaruesi është përgjigjur se ka ndërhyrë për të zgjidhur mosmarrëveshjet mes shtetasve. Kjo kompetencë, sipas deklaruesit, parashikohet në ligjin e vetëqeverisjes vendore dhe konkretisht në nenin 29 pika 3 të ligjit me nr. 139 vitit 2015, i ndryshuar me ligjin nr. 38/2019, datë 20.06.2019, i cili parashikon se në fushën e sigurisë publike, bashkitë janë përgjegjëse për garantimin e marrëdhënieve në komunitet, parandalimin dhe ndërmjetësimin për zgjidhjen e konflikteve në komunitet.

I pyetur në lidhje me shkresën nr. 2751/1datë 13.09.2016, nga Bashkia Himarë, drejtuar Zyrës Vendore të Regjistrimit të Pasurisë Vlorë, ku është shprehur se në Z.K. 1739-Gjilek nuk është kryer procesi i regjistrimit të parë fillestar sistematik (menaxhim) dhe se nuk disponojnë (bashkia) harta treguese të regjistrimit (H.T.R.), duke mos mundur në këtë mënyrë të shprehen për juridiksionin dhe vendosjen e pronave, ndërsa më poshtë është shprehur mendimi se ka mbivendosje dhe se pronat e Haris Runa dhe Krenar Adilit ndodhen në zonë e konturuar me nr. 36/35, shtetasi Jorgo Goro është pērgjigjur se ka dhënë vetëm një mendim se ku mund të jetë prona e shtetasit Haris Runa dhe Krenar Adili, me qëllim zgjidhjen e konfliktit.

I pyetur nga është nisur për të dhënë një mendim për identifikimin me numër të pronës së shtetasve Haris Runa dhe Krenar Adili, deklaruesi shprehet se kërkesa me nr. 19555 prot., datë 07.09.2016 e Z. R.P.P. Vlorë nuk parashikon dhënie mendimi për konturimin e pronës së shtetasve Haris Runa dhe Krenar Adilit, pra ata si institucion kanë shkuar më tej në përgjigjen e tyre kur kanë dhënë mendim që pronat e këtyre shtetasve konturohen në pasurinë me nr 36/35”, thuhet në dosje.

Publikuar nga Publik Media