Pak ditë më parë një gjykatës i Tiranës, i quajtur Ervin Pollozhani, ka bërë një padi civile të pazakontë ndaj një avokati të quajtur Edmond Janushaj.
Por le ta tregojmë fabulën prej fillimit:
Gjykatësi dhe avokati ishin përballur më herët në një sallë gjyqi, ku po shqyrtohej pezullimi i veprimeve përmbarimore ndaj televizionit Top-Channel.
Gjyqtari Pollozhani, vendosi në rrethana tepër të dyshimta, që të pezullonte veprimet përmbarimore ndaj Top Channel, në lidhje me borxhin që ky televizion kishte ndaj një kompanie furnitore. (Lexoje këtu raportimin e gjyqit)
Pas këtij vendimi të dyshimtë, kompania furnitore nëpërmjet avokatit të saj bëri kallëzim penal në prokurori për gjyqtarin Pollozhani për shpërdorim detyre.
Ndërsa më pas avokati Janushaj e etiketoi si kriminal vendimin e gjyqtarit Pollozhani në një prononcim për Hashtag.al.
Ky etiketim duket se është bërë shkas që gjyqtari Pollozhani të padisë avokatin duke kërkuar dëmshpërblim për cënimin e personalitetit.
Por a është prekur vërtetë në sedër gjyqtari Pollozhani, apo kjo padi ndaj avokatit është thjesht një lëvizje sa për sy e faqe për shkak të presionit nga Vettingu?
Le të përpiqemi të arsyetojmë.
Pas vendimit të dhënë nga Pollozhani, avokati Janushaj ka depozituar në prokurori një kallëzim penal ndaj tij, pra ka ushtruar një të drejtë ligjore, duke pretenduar se gjyqtari ka shpërdoruar detyrën, ka shkelur ligjin, pra duke pretenduar se gjyqtari ka konsumuar vepër penale.
Pasi ka bërë kallëzimin në prokurori, avokati është shprehur në Hashtag.al se e quante kriminal vendimin e Pollozhanit në favor të Top Channel, pra ka pretenduar dhe për Hashtagun të njëjtën gjë që pretendoi në kallëzimin penal në prokurori.
Por gjyqtari Pollozhani, ndonëse i kallëzuar penalisht, e ka konsideruar fyes dhe denigrues qëndrimin e avokatit. Duket sikur zoti Pollozhani po kërkon që palët në çështjet që ai shqyrton, të mos pipëtijnë publikisht edhe kur Pollozhani dyshohet se ka shpërdoruar detyrën.
Por nuk mbaron me kaq. Në padinë që Pollozhani ka bërë ndaj avokatit, kërkon që avokati të financojë me paratë e veta publikimin e vendimit të ardhshëm gjyqësor në Hashtag.al.
Duket si një akt sublim prej idioti.
Sepse teorikisht zoti Pollozhani mund ta fitojë gjyqin me avokatin, por Hashtag.al është entitet privat, nuk është as në varësi të gjykatës së Tiranës dhe as në varësi të Dhomës së Avokatisë. Nuk është i detyruar të publikojë vendime me pagesë, nëse nuk e sheh të arsyeshme.
Si mund t’i kërkosh gjykatës që të imponojë në një subjekt privat, një publikim marketingu me pagesë?
Dhe ç’është më e rëndësishmja:
Si mundet që një gjykatës të mos e kuptojë dot diçka kaq të thjeshtë?
Duhet të jetë shumë idiot, apo shumë në siklet nga Vettingu? Apo të dyja bashkë?/Hashtag.al




