E martë, 20 tetor 2026 DENONCO ANONIM Denonco: +355 69 20 95 843
PUBLIK
Juristi i njohur Sokol Hazizaj  : “Mungesa e Kushtetueses pengon ankesat për Kodin Zgjedhor”
Politikë

Juristi i njohur Sokol Hazizaj : “Mungesa e Kushtetueses pengon ankesat për Kodin Zgjedhor”

 

Në një intervistë për “Shekulli”-n, juristi Sokol Hazizaj, thotë se mungesa e Gjykatës Kushtetuese ka ardhur nga opsionet e politikës, prandaj “çdo kërkesë e partive me objekt kushtet zgjedhore, si nga ato parlamentare dhe jo parlamentare nuk i legjitimon ato të ankimojnë ndryshimet e mundshme të Kodit Zgjedhor”.

Z.Hazizaj, në mungesë të funksionimit të Gjykatës Kushtetuese, cila është hallka tjetër, në të cilën një parti të mund të marrë një iniciative për të ndryshuar Kodin Zgjedhor?

Situata e rëndë pa funksionimin e Gjykatës Kushtetuese, krijon ngjarje tepër negative për ekzistencën dhe respektimin e dokumentit themelor të së drejtës, produkt i Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë. Mjafton t’i hedhësh sytë nga Kushtetuta, konstaton menjëherë se gjendemi në fundin e garancisë juridike e të drejtave kushtetuese. Në këtë kuptim, gjithë produkti ligjor i saj dhe zinxhiri i funksionit të organeve që janë produkt i kushtetutës janë në dilemë funksionimi. Shpjegoj se organet dhe institucionet kushtetuese krijohen konceptualisht dhe objektivisht, jo për të penguar proceset reformuese ligjore, por për të garantuar apo siguruar respektin ndaj shtetasit apo njeriut. Parë në këtë kuptim, mungesa e tyre nuk rëndon në përfaqësimin politik më shumë se sa në kurriz të qytetarit dhe të drejtës tij. Partitë janë të fundit organizime që e vuajnë mungesën e saj, sepse në thelb Gjykata Kushtetuese, referuar në nenin 134 të Kushtetutës, parashikon shumë subjekte, të cilat mund t’i drejtohen Gjykatës Kushtetuese, midis të cilave dhe partitë politike. Po të shohësh me vëmendje rreshtin e subjekteve që i drejtohen Gjykatës, siç Presidenti i Republikës, Kryeministri, jo më pak se një të pestës së deputetëve, Avokati i Popullit, Kryetari i Kontrollit të Lartë të Shtetit, çdo gjykate, sipas nenit 145, pika 2, të kësaj Kushtetute, etj, partitë politike janë një nga aktorët e pranuar që mund t’i drejtohen Gjykatës Kushtetuese, por jo më e rëndësishmja. Në këtë kuptim, duhet pranuar se sa kohë mungesa e Gjykatës Kushtetuese ka ardhur si pasojë e opsioneve të politikës, çdo kërkesë e partive me objekt kushtet zgjedhore, si nga ato parlamentare dhe jo parlamentare nuk i legjitimon ato të ankimojnë ndryshimet e mundshme të Kodit Zgjedhor. Njëkohësisht sqaroj se partitë politike referuar Kushtetutës së Shqipërisë e kanë të drejtën t’i drejtohen Gjykatës Kushtetuese, por për shkak të mosfunksionimit të saj, nuk prodhohen vendime, për shkak të inekzistencës funksionuese të saj.

A besoni se kriza e situatës së brendshme politike është pasojë dështimit të drejtësisë?

Opinioni qëndron ndryshe nga ndërtimi pyetjes Tuaj, që do të thotë se mendoj që kriza në drejtësi është pasojë e krizës dhe mungesës së mendimit dhe besimit politik për të bërë ose prodhuar të drejtë dhe drejtësi. Drejtësia jo funksionuese është pasojë e keqpërdorimit prej politikës në mënyrë të vazhdueshme. Mjafton të hedhësh vëmendjen nga deklaratat politike konstaton se keqpërdorimi i “fakteve” dhe “provave” në hetim apo gjykim janë shërbimi më i mirë që bëhet për të penguar hetimin dhe gjykimin e drejtë të një çështje.

Si po ecën reforma në drejtësi?

Reforma në drejtësi është pasojë e ndryshimeve ligjore shumë dimensionale në kuptimin e krijimit të organeve të pushtetit të drejtësisë, ndryshimeve procedurale dhe materiale të karakterit penal dhe civil. Pa i hyrë themelit të tyre, bëj me dije se sot ndodhemi përpara vakumit të aksesit në gjykatë, veçanërisht në gjykatë, në Gjykatën e Lartë, gjysmë funksionit të gjykatave të apelit, mungesës së një drejtësie totale sa i përket vendimmarrjes së gjykatave nën ankthin e panikut të largimit të gjyqtarëve dhe prokurorëve, zëvendësimit të rolit të gjykatës nga ekspansioni vendimmarrës dhe arbitrar i pushtetit ekzekutiv nëpërmjet të ashtuquajturave “task forcë” etj. Pra, perceptimi qytetar që imponoi reformën në drejtësi nuk ka asnjë përmirësim të standardeve të tij. Sot, sa i përket gjetjes dhe zbulimit të së vërtetës ndodhemi përpara një ping-pongu ndërmjet organeve që japin të drejtë dhe drejtësi. Ky proces po krijon kaq vështirësi sa do të jetë e pamundur që të riparohet situata e krijuar në pak vite në drejtësi. Sot qytetari shqiptar ndodhet përpara prodhimit të akteve me karakter administrativ, që i marrin të keqen diktaturave ligjore dhe politike të kaluara. Organet e administratës publike në kushtet e mungesës së vullnetit të organeve të drejtësisë për të dhënë të drejtë, nxjerrin akte që janë kundër të gjitha parimeve ligjore, kushtetuese dhe konventuale, të cilat lënë ndoshta pasoja të pariparueshme, kostoja e të cilave nuk është individuale e prodhuesit, por e gjithë shoqërisë.

Na ndiqni në YouTubeVideo, intervista dhe transmetime nga PUBLIK TV Abonohu

Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.

Denonco
DENONCO

Zëri yt bëhet lajm.

Bëhu pjesë aktive e Publik.al. Raporto çdo padrejtësi, korrupsion apo ngjarje, me foto dhe video. Identiteti yt mbrohet nga redaksia.