E hënë, 19 tetor 2026 DENONCO ANONIM Denonco: +355 69 20 95 843
PUBLIK
Justin Godarti, sipas kujtimeve të mikut M.A. Lasasanzh.
Publik News

Justin Godarti, sipas kujtimeve të mikut M.A. Lasasanzh.

Gjergji Totozani                      

     

         Për disa arsye, më takoi mua t’ju prezantoj jetëshkrimin plot lavdi të kolegut tonë Justin Godart. I formuar në mjediset e qytetit të Lionit, me të më lidh një njohje që daton më shumë se 55 vjet, me takime sa të shpeshta aq edhe të mbushura me kujtime nga më të ndryshmet.

        Justin-Fransua-Pier-Mari-Godart lindi në Lion, më 26 nëntor 1871. Duke qenë se babai i tij, një nëpunës banke, u nda nga jeta herët, ai u rrit nga nëna e cila ishte me prejardhje nga familja Dylaku dhe me origjinë nga qyteti Pyjo on Vel në rajonin Hot-Luar. Ajo çdo vit merrte djalin e saj për të kaluar pushimet me familjen e saj. Gjyshi nga babai i Justinit, i lindur në Aras, rastësisht kishte nisur karrierën ushtarake në qytetin e Lionit, qytet  ku doli dhe në pension.

        Megjithëse nuk kishte një lidhje tepër të hershme prej qytetit të Lionit, Justin Godarti kishte plot cilësi të cilat hasen shpesh në këtë rajon. Një punëtor i duruar, metodik dhe erudit, ai gjithmonë synonte që t’i bindte të tjerët me fakte dhe dokumentacion dhe jo me joshjen e fjalëve dhe shkëlqimin e prezantimeve boshe. Vetë titulli i tezës së doktoraturës, që ai e mbrojti në degën e drejtësisë në vitin 1899, zbuloi tashmë aspiratat dhe shijet që ai do të ndiqte gjatë gjithë jetës së tij. Tema e doktoraturës mbante titulin “Punëtori i mëndafshit. Monografi për endësit e Lionit, studim historik, ekonomik dhe social”. Në këtë mënyrë ajo shënjonte rrugën e tij në mbështetje të më të dobëtit. Ne arrijmë të dallojmë tepër qartë filantropin, përparimtarin dhe historianin me emrin Justin Godart.

       Ndër këto aktivitete dallohen mbrëmjet e edukimit për njerëzit në nevojë, një bashkëpunim sa më i gjerë për të siguruar ushqimin e të uriturve, sigurimi i veshjes së njerëzve të varfër duke ju shpërndarë rroba, apo dërgimin e fëmijëve në fshatra dhe kampingje të ndryshme gjatë pushimeve. Pikërisht në këtë kohë, kur isha ende gjimnazist, takova Godartin, i cili jetonte pranë një familje të cilën unë kisha  kohë që e njihja dhe kisha marrëdhënie miqësore. Ai në atë kohë, po fillonte studimet për drejtësi.

        Në zgjedhjet lokale të 1 majit 1904, Godarti kandidoi në të njëjtën listë me ish profesorin tim të retorikës, Eduard Heriot. Këta dy të rinj 33-vjeçarë u zgjodhën dhe dy javë më vonë secili u emërua Nënkryetar i Bashkisë.

        Disa nga titujt e botimeve të tij gjatë kësaj periudhe, e tregojnë më së miri se cilat janë disa nga tematikat kryesore që e shqetësojnë Justin Godartin. Disa nga botimet e tij janë: “Puna në ambjentet e shtëpisë në qytetin e Lionit”, “A arrijnë ta ruajnë paqen sociale korporatat e artit dhe artizanatit”, “Fillesat e marrëdhënieve të punës në Lion”, “Rregullimi i marrëdhënieve të punës”, apo “Puna e natës në furrat e  bukës”.

        Në vitin 1906, Godarti u zgjodh deputet i Lionit, në tetor 1915, ai u ngarkua si Sekretar i Shërbimit Shëndetësor për Ministrinë e Luftës. Në krye të kësaj ministrie ishte Mijerandi,ndërsa kabineti qeveritar kryesohej nga Viviani.

        Duke mbajtur këtë detyrë, Justin Godarti tregoi dhe një herë cilësitë e tij si organizator dhe reformator në fushën e mjekësisë. Ai e filloi punën e tij, duke e rrethuar veten me bashkëpunëtor të aftë, të zgjedhur jashtë politikës, vlerat e larta morale të të cilëve i njihte personalisht. Këta ishin njerëz të përkushtuar vetëm ndaj interesit të përgjithshëm dhe qëllimet personale i vinin në plan të dytë. Midis tyre ishin mësuesi im Klodius Rego, i cili pas armëpushimit do të ishte një nga mjekët e parë që do të punonte në Fondacionin Kyri dhe Edmond Lokard, një kriminolog, ish ndihmës i babait tim në Fakultetin e Mjekësisë në Lion.

        Në rradhët e ushtrisë u krijuan degët e konsultimit me mjekë dhe kirurgë, dhe laboratorët e bakteriologjisë. Epidemia vdekjeprurëse e etheve të tifos, kishte ndikuar së tepërmi që të ngriheshin qendra specialiteti të sëmundjeve veneriane, apo për stomatologji, oftalmologji, mjekësi ligjore, etj. Për më tepër, departamente të veçanta ishin përgjegjëse për ortopedinë dhe rehabilitimin e të gjymtuarve, kirurgjinë restauruese maksilofaciale dhe trajtimin e tuberkulozit. Ekspeditat e ndërmarra në Ballkan, kërkuan një organizim më të përshtatshëm për parandalimin e epidemive të malaries, dizenterisë dhe tifos ekzantematoze.

         Zhvillimi i një lufte me pozicione strategjike të vendosura në fronte të ndryshme dhe sulmet e fuqishme  të përgjakshme në sektorë të ndryshëm, kërkonin përforcime mjekësore, të pajisura me materialin dhe personelin e nevojshëm. Ata duhet të drejtoheshin me shpejtësi në këtë apo atë pikë të frontit. Krijimi i “skuadrave kirurgjikale” dhe formacioneve të motorizuara të quajtura “auto-chirs”, e lehtësuan gjendjen tragjike të krijuar prej luftës.

        Megjithatë, dukej sikur lufta po zvarritej gjithmonë e më tepër, pasi secili nga kundërshtarët kishte për qëllim të qëndronte deri në fund, duke mos u dorëzuar. Një mori e tmerrshme e të plagosurve kishte ndikuar në përdorimin e një shumëllojshmërie materialesh mjekësore, të cilat ndër të tjera patën edhe ndikim edukues në fushën e mjekësisë. Ishte e rëndësishme që njohuritë e reja mbi trajtimin e plagëve dhe frakturave të luftës, vendndodhjet radiofonike të predhave, apo gazrat toksik, të njiheshin më mirë nga të gjithë trupat shëndetësore të ushtrisë. Për këtë qëllim u krijua një Fakultet Mjekësie në Buluz, në rajonin e Shampanjës. Shërbimet terapeutike pritën të plagosurit dhe të sëmurët që vinin direkt nga vija e betejës. Fakultetit iu bashkëngjitën laboratorë të disiplinave të ndryshme mjekësore. Nga ana tjetër, ambulancat dhe njësitë mjekësore të Forcave të Armatosura erdhën në Buluz për stërvitje dhe për të marrë udhëzime teorike dhe praktike mbi blerjet më të fundit të kirurgjisë urgjente dhe profilaksisë së sëmundjeve. Stafi i përhershëm përfaqësohej nga një grup specialistësh, shumë prej të cilëve mund të jenë gjetur këtu më vonë si anëtarë të Kompanisë sonë. Përveç kryemjekut Rego, përmendim në veçanti emra si Lesen, Lerish, Duamel, Roks-Berger, Santi, Gila, Polikard, Strol, Pier Mason. Shumë prej nesh, kryesisht ata më të moshuarit, mund të kujtojnë më së miri stazhet mjekësore të bëra në ato kohë.

        Në vija të përgjithshme, kjo është e tërë puna madhore e paraqitur nga Godarti në Nënsekretariatin e Shërbimit Shëndetësor Ushtarak, ku qëndroi deri në vitin 1918, për njëzet e shtatë muaj rresht në pesë ministri të ndryshme.

        Menjëherë më pas, ai e drejtoi veprimtarinë e tij në lidhje me zhvillimin e sistemit shëndetësor në kohë paqeje, në marrëveshje me personalitete mjekësore nga vendet aleate, të cilët zinin poste përfaqësuese në Paris. Ai hodhi themelet për projektin e ndërtimit të një spitali të madh në Mont-Valerié, nën emrin e Fondacionit Mjekësor Franko-Amerikan “Fok”, në të cilin do të drejtonte Bordin e Drejtorëve.

         Risitë e mendimit të Godartit u shpalosën edhe përgjatë kohës që kreu detyrën e ligjvënësit në Parlament, apo si Ministër i Punës dhe Higjenës në 1924 dhe Ministër i Shëndetit Publik në 1932. Ai ishte autor dhe mbrojtës i flaktë i ligjit që hoqi punën e turnit të natës për bukëpjekësit. Justin Godarti gjithashtu u përfshi duke luajtur rol kyç në miratimin e ligjit për tetë orë punë, në ligjin për rregullimin e narkotikëve, të drejtën e lejes për gratë që kanë lindur dhe për profilaksinë e sëmundjeve veneriane. Ndër të tjera, ai ishte edhe një ithtar tepër i vendosur, pavarësisht se më pak i dëgjuar, i luftës kundër alkoolizmit.

        Edhe në asambletë ndërkombëtare Justin Godarti do të luante një rol thelbësor, sidomos në Zyrën Ndërkombëtare të Punës, pasi kjo organizatë u krijua në Lidhjen e Kombeve, ai u bë delegat i përhershëm i Francës.

         Sa i përket rolit të Justin Godartit si politikan, nuk është vendi për të folur për këtë temë duke qenë se unë nuk kam aftësitë e duhura për ta bërë këtë analizë ashtu si duhet.  Megjithatë, do të ishte e pafalshme nga ana ime nëse nuk do të sillja në kujtesë, se ai është pjesë e asaj pakice parlamentarësh të guximshëm të cilët nuk pranuan të votonin për rivendosjen në Francë të diktaturës dhe kultit të personalitetit. I tërhequr në Buzholé gjatë pushtimit, ai organizoi një rrjet qëndrese e cila dha jo pak fryte. Për këtë shkak, sapo qyteti u çlirua, ai mori detyrën e Kryetarit të Bashkisë së Lionit, në pritje të kthimit të Eduard Heriotit i cili ishte deportuar në Gjermani.

         Pas parashtrimeve të mësipërme të disa prej nismave të ndërmarra prej Justin Godartit në dobi të fushës së mjekësisë dhe për të cilat ne atij i detyrohemi së tepërmi, dua ta vë theksin dhe në arritjet e punës së tij, si një koleksionist i përkushtuar. Këtu përmendim Muzeun Val dë Gras nga njëra anë dhe  Muzeun Klod  Bernard nga ana tjetër, të cilin Godarti e ngriti në Sent Zhyljen on Buzholé, vendin prej nga e kanë origjinën mjaft mjek dhe fiziologjist të njohur. Përkushtimi i tij për fëmijët në nevojë të qytetit të Lionit, shikohet me botimet me tituj: “Reliket e Klod Bernardit në Sent Zhylien”, “Klod Bernard: filozofi”, “Bernard: shkrimet e Buzholes”. Pak ditë para se të ndërronte jetë, Godarti u gëzua mjaft pasi mori vesh se falë ndërhyrjes së kolegut tonë Justin Besanso, shtëpia muze në Sent Zhyljen, ku Klod Bernard kishte shkruar veprën “Hyrje në studimin e Mjekësisë Eksperimentale”, kishte arritur të shpëtonte nga dalja për në ankand.

        Mund të themi pa druajtje, që pasionin për koleksionet ai e kishte në gjak. Kështu mendonte edhe ai vetë kur në një nga batutat të cilën shpesh e përsëriste thoshte: “Bëhemi kuzhinier.. më falni politikan.. por lindim si koleksionist.” Ai e trashëgoi këtë pasion prej gjyshit të tij, një entomolog i përkushtuar dhe plot pasion, i cili arriti të mblidhte në koleksionet e tij brumbujt më të rrallë dhe më të bukur në botë. Sa për vetë Justin Godartin, ndër pasionet i tij më të mëdha ishte gjithçka që lidhej me anën e vjetër të Lionit. Medaljet përkujtimore, posterat dhe anekdotat në lidhje me ngjarjet lokale, piktura dhe vizatime të pamjeve të qytetit të tij të lindjes, apo edhe dokumente që kanë të bëjnë me ushtrimin e profesioneve të ndryshme në qytetin e Lionit.

       Përkushtimi i tij si një koleksionist plot zell, duke përjashtuar çdo motiv të fshehtë spekulimi, e shtynë Godartin që në fund të jetës së tij të merrte siguri kundër një shpërndarjeje të mundshme të koleksioneve të tij, të cilave ai i kishte kushtuar kaq shumë dashuri dhe kohë. “Një koleksionist i lindur, nuk e braktis fëmijën e tij jetim”, – do të thoshte ai njëherë e një kohë. Në vitin 1953, Muzeut të vjetër të Lionit të vendosur në hotelin e bukur dhe të restauruar në Gadanjë, ai i dhuroi një pjesë të koleksionit të tij personal.

      Mosha nuk e kishte zbehur aspak dëshirën e Godartit për t’i ardhur në ndihmë njerëzve në nevojë dhe për të punuar për përmirësimin e kushteve sociale të tyre. Ai kryesoi një numër të madh grupesh bamirësie, pavarësisht nga bindjet dhe qëndrimet e tyre politike. Kushti i vetëm që i lidhte ishte misioni i tyre dhe ndihma reciproke. U ngritën spitale franceze të Urdhrit të Maltës, vepra sociale të Ushtrisë së Shpëtimit, u ndërmorën masa për mbrojtjen e hebrenjve të persekutuar, për mbrojtjen e emigrantëve dhe shumë të tjerëve!

       Në fund të rrugëtimit të jetës së tij, ai do të kishte ndjerë më tepër dhimbje dhe pikëllime. Puna e tij e palodhur bashkë me anën e theksuar njerëzore, kishin ndikuar që në mbyllje të jetës së tij ai të ishte jo vetëm i qetë, por edhe i gëzuar.  Integriteti i aftësive të tij intelektuale dhe një përkujdesje e jashtëzakonshme fizike, i kishin mundësuar këtij tetëdhjetëvjeçari ta vazhdonte akoma veprimtarinë e tij, madje duke bërë edhe udhëtime në vende të largëta. Ai e vizitonte shpesh Lionin, sepse aty jetonte një nga vajzat e tij, ndërkohë që vajza tjetër i jetonte në Paris. Ngushëllimet e Akademisë së Mjekësisë, ku Justin Godarti kishte vetëm miq, shkojnë edhe për familjen e tij.

        I zellshëm me njerëzit sa herë që kishte takime, ne e gjetëm atë gjithmonë të këndshëm dhe të gëzuar në mbledhjet e komisioneve. Dikush do të thoshte se ai kishte arritur qetësinë dhe urtësinë e nevojshme të një njeriu, i cili e di se nuk ka asgjë për t’u frikësuar nga ajo që e pret në çastet e fundit të jetës. Në fakt, ai përjetoi vdekjen më të dëshirueshme të mundshme për një njeri. Pasi shkoi i qetë në shtrat mbrëmjen e së mërkurës, 12 dhjetor 1956, të nesërmen në mëngjes nuk u zgjua më. Në këtë mënyrë, ai kishte realizuar dëshirën e të urtëve: “Të largohej nga jeta ashtu siç hyri, pa e dyshuar atë në asnjë moment të vetëm!”

                                                         

Na ndiqni në YouTubeVideo, intervista dhe transmetime nga PUBLIK TV Abonohu

Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.

Denonco
DENONCO

Zëri yt bëhet lajm.

Bëhu pjesë aktive e Publik.al. Raporto çdo padrejtësi, korrupsion apo ngjarje, me foto dhe video. Identiteti yt mbrohet nga redaksia.