“Kalanë e Krujës duket se e ka bërë Rama, Mamica të Shkodrës”
Ironia therëse e Gjekmarkajt në Komisionin e Kulturës
Nënkryetari i Kuvendit dhe deputeti i Partisë Demokratike, Agron Gjekmarkaj, ka ironizuar ashpër qeverinë gjatë mbledhjes së Komisionit të Kulturës, Turizmit dhe Diasporës, duke e cilësuar në gjendje të mjerueshme trajtimin e trashëgimisë kulturore, njësoj si sektorët e tjerë, përfshirë edhe botimet dhe “Panairin e Librit”.
Mbledhja zhvillohej për diskutimin në parim të projektligjit “Për Buxhetin e Vitit 2026”, ku i pranishëm ishte ministri i Turizmit, Kulturës dhe Sportit, Blendi Gonxhe, i cili prezantoi shifrat e buxhetit të institucionit që drejton.
Gjatë fjalës së tij, Gjekmarkaj akuzoi mazhorancën se ka shndërruar disa prej kalave dhe monumenteve të kulturës në ambiente ku “vjen erë supë dhe gjellë”, ndërsa institucionet – sipas tij – janë mbushur me patronazhistë.
“Të krijohet përshtypja sikur Kalanë e Krujës e ka ndërtuar Edi Rama, Kalanë e Beratit ju, duke i hyrë në hak Teodor Muzakës, atë të Shkodrës Mamica. Dhe nuk ka informacion se kur do të mbarojë ai cikël i turpshëm, që dikur quhet rrjetëzim i kthimit të kalave shqiptare në han xhihane, ku bie era supë, era gjellë dhe ku piqet fërliku skënderbeg,” deklaroi ai.
Duke e çuar ironinë edhe më tej, Gjekmarkaj tha se në diskursin publik, qeveria paraqitet sikur ka “bërë Shqipërinë”, “ka ndërtuar kishat dhe xhamitë”, madje edhe “i ka fituar luftërat”.
Në vijim, ai u ndal te fenomeni i intelektualëve pranë pushtetit:
“Dua të theksoj që ato që bien në sy në këto 12 vite qeverisje është krijimi i intelektualëve të hurit dhe të litarit. Poeti i sëpatës dhe i hanxharit, shkrimtari i grushtit dhe i kanabisit. Është ky aleat që ju ndihmon në çdo fushatë,” deklaroi Gjekmarkaj, duke aluduar për mbështetës të afërt të mazhorancës.
Deputeti demokrat kërkoi më shumë vëmendje për artin, kulturën, trashëgiminë historike dhe objektet me rëndësi kombëtare, duke argumentuar se politikat aktuale nuk i shërbejnë ruajtjes së identitetit kulturor.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



