Kambana për sigurimin e pronës?
Dy tërmetet e fundit në vend, ai i 21 shtatorit dhe 26 nëntorit, kanë lënë kompanitë e sigurimit me mijëra dosje në dorë mbi prona që kërkojnë dëmshpërblim. Konstatimet për dëmet nga tërmeti i nëntorit tregojnë se për 1943 prona pretendimi është 12 milionë dollarë, një shifër kjo që pritet të rritet, me rritjen e numrit të kërkesave nga qytetarët. Kompanitë e sigurimit nuk shprehin shqetësim për këtë pjesë, duke nënvizuar se marrëdhënia e risigurimit që ata kanë, i mbulon të gjitha këto shpenzime. Ato nënvizojnë se nëse Shqipëria, një vend me ekspozim të lartë ndaj tërmeteve e fatkeqësive natyrore, do të kishte një skemë sigurimi për pronat, sot nuk do ta kishte të nevojshme të rriste borxhin apo të prekte buxhetin. Kompanitë do të mbanin peshën kryesore.
Shqipërisë nuk i ishte dashur të përballej me emergjenca civile për tërmetet prej dekadash. Të mësuar me skena përmbytjesh, tradicionalisht në pjesën e Shkodrës, Lezhës e në shumë raste edhe në Tiranë pranë autostradës Tiranë-Durrës ku biznese të tëra zhyteshin në ujë, panorama e emergjencave tona kishte këtë fytyrë. Në qershor të këtij viti ishte rasti i parë i një emergjence të lidhur me tërmetet lokalizuar në Korçë. Banorët e disa fshatrave u detyruan të flenë për javë me radhë jashtë në çadra pas lëkundjeve të vazhdueshme sizmike që kishin një magnitudë 3.5 të shkallës Rihter.
Por situata në atë kohë u kalua pa ndonjë panik të madh në Tiranë apo pjesën tjetër të vendit, pak prej etheve të parazgjedhjeve vendore, pak prej koordinatave të largëta nga selitë e politikës e pak prej faktit që u mendua se e gjitha do të kalonte.
Dhe në të vërtetë kaloi, deri në 21 shtator, kur një tërmet me magnitudë 5.7 të shkallës Rihter tronditi qarqet e Durrësit e Tiranës. Vazhdimin e kësaj tashmë e dimë të gjithë. Ende pa u gdhirë mirë në 26 nëntor Shqipëria u lëkund sërish por këtë herë nga një tërmet që sot lakohet se kishte një magnitudë 6.4 të shkallës Rihter, më i forti në dekada me pasoja të jashtëzakonshme, ku humbën jetën 52 persona dhe me mijëra familje mbetën pa shtëpi apo me banesa të dëmtuara.
Sot jemi në gjendje të jashtëzakonshme që ka përfshirë Tiranën, Durrësin, Laçin dhe Lezhën, më një faturë financiare ende të pa finalizuar, por që shumëkush e di që ajo do të jetë fatura më e kripur që vendi ynë ka paguar në rast emergjence. E ashtu sikurse herëve të tjera edhe këtë radhë në skenë ka dalë i njëjti debat. Kush do paguajë për dëmet, nga do të vijnë financimet?
Në këtë pikë del gjithmonë në horizont sigurimi i detyrueshëm i pronës. Një projekt i nxitur nga Banka Botërore por që del nga sirtarët sa herë ka fatkeqësi natyrore e futet sërish në sirtare sa herë e keqja kalon. Por a duhet të kemi në Shqipëri një skemë detyruese për sigurimin e pronës siç e aplikojnë vende me risqe të ngjashme sizmike si Turqia? Kjo e fundit ngriti një mekanizëm të plotë kur në vitin 1999 u godit nga një tërmet i fuqishëm me pasoja të jashtëzakonshme. Mekanizmi i njohur si ‘Turkish Catastrophe Insurance Pool’ krijoi në rezervën e tij 200 milionë dollarë dhe siguroi kapacitet ripagese deri në 1 miliardë dollar në tregjet ndërkombëtare. Programi ka ulur ndjeshëm nga ana tjetër ekspozimin e shtetit ndaj fatkeqësive natyrore.
Sigurim i detyrueshëm? Qeveria nis diskutimet me kompanitë
Tregu i sigurimeve në vend është një treg i vogël që vlerësohet rreth 100 milionë euro. E pavarësisht kësaj shifre numri i kompanive aktive në të është i lartë. Janë 11 në total ku të paktën tetë prej tyre janë aktive edhe në produktet e jo-jetës ku përfshihet sigurimi i pronës. Banka Botërore në një studim të bërë në Shqipëri pak vite më parë vlerësonte se primi mestar i riskut për sigurimin e një prone ishte rreth 50 euro. Por pavarësisht lobimit që është bërë për sigurimin e pronës ai asnjëherë nuk arriti të kalonte si një ligj detyrues më vete.
Kjo sepse Shqipëria nuk ishte përballur me një ngjarje si ajo e 26 nëntorit ku pasojat janë alarmante ndërkohë nga ana tjetër qeveritë nuk kanë dashur të merrnin përsipër koston politike të etiketimit se po vendosnin edhe një taksë më shumë, kur fatkeqësisht nuk janë kursyer me taksa të reja apo koncesione vit pas viti.
Edhe sot kompanitë e sigurimit po lobojnë sërish por këtë herë duket se edhe qeveria e ka vendosur se sigurimi i pronës të shkojë drejt një plani sigurim me detyrim. Në një tryezë të mbajtur me kompanitë e sigurimit ish-ministri i Financave dhe tashmë kryetar i komisionit parlamentar të Ekonomisë Arben Ahmetaj tha se do të nisin debatet teknike për të finalizuar një draft mbi këtë aspekt.
Nuk është hera e parë që flitet për një draft mbi sigurimin e detyrueshëm nga katastrofat. Në vitin 2017 sërish nga Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare do të dilte një draft që parashikonte krijimin e një qendre të dedikuar për këtë aspekt me seli në Tiranë dhe që do të financohej nga primet. Por projekti mbeti në harresë.
Sigurimi vullnetar i pronës i ulët, e bëjnë vetëm ata që i detyron banka
Sigurimi i pronës është një segment në tregun e përgjithshëm të sigurimeve që kategorizohet tek pjesa vullnetare. Kjo bën që ndërgjegjësimi i qytetarëve të mbetet i ulët dhe drejt kompanive të sigurimit shkojnë me “vullnetin” e tyre vetëm ata që blejnë një banesë me kredi. Të dhënat zyrtare tregojnë se në 10 mujorin 2019 janë siguruar një numër më i lartë pronash por vlera e tyre është më modeste pasi rritja e volumit të primeve është tkurrur me 28.11 për qind.
Kjo sipas siguruesve vjen pasi në treg janë blerë banesa të reja nxitur disi nga programi i kreditimit i programeve të strehimit, por edhe nga një tendencë e vetë bankave për të dhënë kredi kryesisht në Tiranë. Të dhënat e sektorit bankar tregojnë se deri në fund të shtatorit huaja për blerje banesash nga individët u rrit me 4.5%, me bazë vjetore, e udhëhequr nga Tirana e cila ka një rritje 6.6% të stokut të huasë për këtë qëllim.
Të dhënat zyrtare të Autoritetit të Mbikëqyrjes Financiare (AMF) tregojnë se në portofolat e pronës, përgjegjësive, garancive të cilat gjatë periudhës janar– tetor 2019 siguruan mbi 2,006 milionë lekë të ardhura në total. Vendin e parë e zunë zjarri dhe dëmtime të tjera në pronë me rreth 7.91%, ndjekur nga sigurimi i përgjegjësi të përgjithshme civile me 17.76% të totalit.
“Në portofolin sigurimi nga zjarri dhe forcat e natyrës, gjatë periudhës janar – tetor 2019, vihet re një ulje prej 28.11% e volumit të primeve të shkruara bruto të këtij portofoli dhe një rritje me 6.93% e numrit të kontratave të sigurimit, krahasuar me periudhën janar- tetor 2018” thuhet në publikimin e autoritetit.
Por teksa numri i atyre që shkojnë vullnetarisht për të siguruar një banesë mbetet i ulët, tërmeti i fundit nxori në pah edhe një tendencë tjetër për ata që shkojnë të detyruar nga kredia.
Tendenca e kredimarrësve është që të ulin primin vit pas viti duke e lënë atë në minimum vetëm për pjesën e kolateralit duke lënë me vetëdije të pambuluar pjesën tjetër çka në rast fatkeqësish si kjo e fundit primi mbulon vetëm pjesën e bankës kurse individi rrezikon të mbetet i pastrehë.
Dy tërmetet lanë kompanitë e sigurimit me mijëra dosje në dorë Në tërmetin e 21 shtatorit u raportuan me qindra banesa të dëmtuara dhe të paktën 650 raste kanë mbërritur pranë kompanive të sigurimit duke kërkuar dëmshpërblim pasi kanë qenë të siguruara. Kompanitë e sigurimit raportuan në Autoritetin e Mbikëqyrjes Financiare se kishin shlyer deri në fillim të dhjetorit 506 milionë lekë çka përbën 70-80 për qind të shumës totale që detyrohen ndaj këtij rasti ndërkohë që fatura që la pas tërmeti i 26 nëntorit llogaritet më e lartë.
Nën zë ish-Ministri i Financave Arben Ahmetaj gjatë takimit me kompanitë e sigurimit u shpreh se sipas të dhënave vlera që do të paguhet nga kompanitë është 25 milionë euro. gjithsesi ai nënvizoi që kjo shifër duhet të shihej me rezerva. “Deri tani nga informacioni që unë kam nga marrë nga AFM duket që dëme në proces trajtimi janë të njoftuara 1943 banesa dhe këto janë dinamike se çdo ditë lista rifreskohet me numra më të mëdhenj se këto.
Në bazë të llogaritjes dëmi total shkon gati 12 milionë USD. Pra deri më sot me një vlerësim që është ende larg dëmit final që do të thotë që qytetarët do të paguhen nga kompanitë e sigurimit me këtë dëm dinamik 12 milionë USD. Këtu do dua të bëjmë kujdes së bashku që të ndajmë që listat e qytetarëve që do përfitojnë nga dëmshpërblimi të dorëzohen në komitetin e emergjencës në mënyrë që mos bëhet dëmshpërblim i dyfishtë” tha Ahmetaj./Monitor
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



