Kandidatë të ndarë në PD, ose bashkëfitues e bashkëhumbës
Ka jo pak fjalë nëpër antarësinë e demokratëve, se grupi i deputetëve të pabashkuar me Berishën, po përpiqen të jenë në lojë në zgjedhjet vendore të 14 majit 2023. E drejtë e pacënuar e lirisë së tyre. Përpjekja për bashkëpunim të brendshëm në PD e jo për bashkim, ndonëse do të ishte e dobishme elektoralisht, me zvarritjet e deritanishme, ngjan më tepër si një alibi për tua shitur palët nesër mbështetësve. Ne e provuam, por ata nuk deshën, tani duhet të jemi jashtë politikisht apo të bëjmë zgjidhjen tonë, partinë tonë, ndonëse kohë nuk ka dhe kjo është pëshpëritje më tepër. Së paku për këto zgjedhje. Ndoshta kërkojnë të thonë grupimin tonë, kandidatët tanë. Madje fjalët nën zë tregojnë për përpjekjen e gjetjeve të kandidatëve të mundshëm, si pjesëmarrës në përballjen e 14 majit. Shpresa për logo nga Gjykata, e kontrolluar në çdo sekond nga Kryeministri, është më tepër një sebep për të stepur jombështetësit, se sa një leje për një godinë, leje për zyra, të cilat miratohen nga kreu i mazhorancës.
Ai e mban me qëllime të qarta pezull, për të marrë vota deputetësh të PD, kur i duhen, aq sa i duhen, për të çuar opozitën të parcelizuar në zgjedhjet lokale dhe për ta lodhur atë sa më shumë, ndërsa vetë del përfituesi i parë më i madh. Dy pale a më shumë kandidatë opozitarë, nxjerin Edi Ramën fitues, por dy palë socialistë të cilët janë konturuar edhe në mazhoramcë, ndryshojnë ekuilibra, statistika dhe rezultate e kjo do të ketë efekte mbi hartën e votimeve.
Gara është mes shumë aktorëve dhe faktorëve. Në mazhorancë, në elektoratin e djeshëm të Partisë Socialsite, ka një numër në rritje të pakënaqësisë së thelluar, indiferencës, lënies pas dore, varfërimit, eksodit, ikjes nga vendi, të cilët janë njëlloj në mos më keq se pala tjetër përballë tyre. Ka njëlloj socialistë dhe demokratë të mbetur pa punë, shtëpishembur, të gjobitur, të ndëshkuar, të cilët nuk kanë më kohë për të humbur për Erion Veliajn dhe Edi Ramën. Rrugët e rrënuara në lagjet e Tiranës ecin përditë njësoj si demokratë e socialistë, pa ujë e shërbime në banesa janë ngjashëm. Në fletoret e borxheve në dyqanet e lagjeve kanë emrat thuajse njësoj socialistë e demokratë. Pallatetet dhjetëra katëshe kanë shkatërruar banesat e të majtëve e të djathtëve, duke lënë vetëm shtigje këmbësorësh, jo zjarrfikësesh e ambulancash, e duke asgjësuar mjedise të gjelbra tashmë të mbetura vetëm teorikisht në kryeqytet.
Kjo, jo thjesht se bashkiaku i Tiranës Erion Veliaj, apo shefi i tij kryeministër kanë pushtuar çdo centimetër nga 4 milionë metër katror ndërtim, edhe nga lakmi të Ndranghetas, të firmosur prej tyre vitet e fundit. Akti i gjobave publike nga Edi Rama ndaj ndërtuesve, gjoja për disa kate pa leje, të mbira si absurd brenda një nate çuditërisht, ishte thjesht një njoftim i ashpër nga ana e tij, se ju shisni kur dhe kujt dua unë. Kjo mund të jetë krisja e re me kosto e bizneseve me pushtetin vendor dhe qendror në Tiranë, duke i detyruar të largohen dhunshëm nga dhuna shtetërore e institucionale e ushtruar ndaj tyre, e cila është trysni falimentuese.
Brenda demokratëve, ka një situatë të ngrirë, një sherrnajë e pakuptimtë, aspak premtuese për të marrë rezultat pozitiv. Shpesh gjenden me kurriz të kthyer nga njëri-tjetri, vetëm një vit pasi me 25 prill 2021, ishin bashkërisht në një beteje të ashpër e pabarabartë të fituar, e pakuptim të braktisur në fund të saj. 52 deputetë të Partisë Demopkratike takohen bashkërisht si numër i plotë vetëm nëpër kafene, vaki dhe dasma, por jo në parlament, apo në selinë e partisë së tyre. Ka jo pak ambicie të ushqyera me oreks diplomatësh, që kanë zënë vend më tepër te grupimet afër me Bashën, Alibeajn, e në distancë disi më ftohtë por më kalkulues te Tabaku. Pjesa e quajtur neutrale, as këndej dhe as andej, hedh ndonjë sy e pret të kalojnë dallgët politike, e pastaj të thonë batutën komike në jemi me PD. Nuk kemi mëkate, ndonëse kur PD shkërmoqej dita ditës, ata kanë qenë indiferent përtej detyrimit përcaktues të mandatit të votuesve të tyre.
Edi Rama si investitor kryesor për thellim krize në PD, ka përfituar dhe vazhdon ta bëjë. Tre raste thelbësore tërhoqi pas vetes sa deshi e si deshi, aq vota demokratësh në parlament, sa i justifikuan atij paqen politike dhe interesin personal politik. Si e bëri. E dinë ata që u dakortësuan ditën apo natën, e për të tjerët mbetet errësirë xhepash diku. Zgjatja e afateve të vettingut, ndonëse Kushtetuta e Re përcaktonte qartë institucionet vijuese zëvëndësuese të ndërtuara ndërkohë, pa llogari e pa kontroll, votimi për borxhin, rritje telashesh financiare për ekonominë, dhe të ashtuquajturën hapje dosjesh të sigurimit të shtetit, një aksion kundër Metës më shumë se ndihmë ndaj të vërtetës së të shkuarës, janë tre raste, kur votat e disa deputetëve të PD, kanë shërbyer për të miratuar hapur e dukshëm tekat e hallet e pushtetit të Edi Ramës.
Ka aleatë opozitarë të pakënaqur nga pamundësia e fuqisë së partive të tyre, të hedhur në treg për të garuar vetëm, duke shërbyer më tepër si gjah ankandi, se sa forca premtuese të përmbysjes së regjimit. Kandidatë të shumtë opozitarë, më shumë se një, deri më tani janë lajmëruar katër të tillë të mundshëm nga grupime jo qeveritare, por jo pa lidhje të ëmbla me qeverinë, përballë një konkuruesi të mazhorancës, është pakësim shansesh për të fituar opozita. Kjo nuk bëhet nga padijenia. Ndodh më shumë nga hapja e ofertave të pushtetit, disa individëve e grupeve, për të majmur llogaritë e pasuritë, duke ruajtur e rritur rehatinë, pavarësisht se demokratët, opozitarët jashtë partive, kërkojnë ndryshim të domosdoshëm. Këtu me 15, maj 2023, në varësi të sjelljes politike e shoqërore, opozitarët realë dhe surealë, do të rezultojnë bashkëfitues ose bashkëhumbës.
Njëlloj si dikur në justifikimin leksikor të pavend për diktaturën, si bashkëvuajtës dhe bashkëfajtorë. Atëherë kjo ishte e pavërtetë dhe emërtesë e paqëlluar, ndërsa sot po. Do të ndodhë të jemi kurban i këtyre fjalëve dhe Rama të vazhdojë livadhisjen me atë çka do të teprojë nga shqiptarët e paikur ende nga dheu i tyre. Mallkimin gjithnjë e gatuajnë guzhinat e politikanëve dhe e hanë qytetarët, kur nuk reagojnë, duke u shndërruar thjeshtë, në një turmë tepër..
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



