Kaos dhe radhë kilometrike, bie sistemi i ri në Kakavijë
Pika kufitare e Kakavijës është përfshirë këtë të mërkurë nga vonesa të theksuara dhe rrëmujë në qarkullim, si pasojë e një problemi teknik në sistemin grek të kontrollit kufitar. Defekti ka paralizuar përkohësisht procedurat e hyrje-daljeve në anën e Greqisë, duke shkaktuar fluks të madh dhe pritje të gjata për udhëtarët.
Burime paraprake bëjnë me dije se sistemi i ri i menaxhimit të kufirit, i njohur si “Entry/Exit System” (EES), ka dalë jashtë funksionit, çka ka detyruar autoritetet greke të pezullojnë përkohësisht përpunimin normal të kalimeve. Si rezultat, lëvizja është ngadalësuar ndjeshëm dhe në territorin grek janë krijuar radhë të gjata automjetesh dhe qytetarësh.
Udhëtarët raportojnë pritje që në disa raste arrijnë deri në dy orë. “Kemi mbi dy orë në radhë, sistemi nuk funksionon”, shprehet një qytetare nga vendi i ngjarjes, duke ilustruar situatën e vështirë në kufi.
Deri në këto momente, nuk ka një komunikim zyrtar për rikthimin e sistemit në funksion apo për normalizimin e plotë të lëvizjes në këtë pikë kufitare, duke lënë të paqartë se sa do të zgjasin vonesat.
Sistemi EES, i cili ka nisur zbatimin gradual që prej 12 tetorit 2025, synon modernizimin e kontrollit kufitar në hapësirën Shengen përmes regjistrimit digjital dhe përdorimit të të dhënave biometrike. Ky mekanizëm zëvendëson vulosjen tradicionale të pasaportave dhe zbatohet për qytetarët e vendeve jashtë Bashkimit Europian, përfshirë edhe shtetasit shqiptarë.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



