Protesta e fermerëve grekë “paralizon” pikën kufitare të Kakavijës
Pika kufitare e Kakavijës pritet të jetë e pakalueshme për disa orë këtë pasdite, si pasojë e protestave të fermerëve në Greqi.
Autoritetet kufitare shqiptare janë informuar nga pala greke se nga ora 15:00 deri në 20:00, segmenti rrugor Kakavijë–Janinë, në zonën e Kallpaqit, do të qëndrojë i mbyllur për shkak të bllokimit të tij nga protestuesit. Lëvizja do të jetë e mundur vetëm për automjetet që paraqesin emergjenca shëndetësore.
Në njoftimin e Policisë Kufitare Kakavijë u theksua se qytetarët duhet të tregojnë mirëkuptim dhe të planifikojnë udhëtimet e tyre në orare të tjera për të shmangur pritjet dhe vështirësitë në qarkullim.
Protestat e fermerëve grekë vijojnë prej tre ditësh, duke shkaktuar bllokime të njëpasnjëshme të rrugëve kryesore. Një ditë më parë situata u tensionua, duke çuar në përplasje fizike mes protestuesve dhe forcave të policisë.
Mediet greke raportojnë se fermerët nuk kanë ndërmend të tërhiqen dhe paralajmërojnë zgjerim të protestës, përfshirë edhe bllokimin e porteve në ditët në vijim.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



