Kaos e pëmbytje, IGJEUM: Deri kur do të vijojë moti i keq
Reshjet intensive të shiut gjatë ditës së sotme kanë shkaktuar problematika të shumta në disa qarqe të vendit, duke sjellë përmbytje, vështirësi në qarkullim dhe pezullim të aktiviteteve publike.
Situata më problematike është regjistruar në qarkun e Durrësit, ku përmbytjet kanë paralizuar rrugët kryesore, lagje të tëra si dhe autostradën Tiranë–Durrës, duke e bërë atë të pakalueshme për disa orë. Si pasojë e vërshimit të ujit, disa shkolla dhe tregje kanë pezulluar aktivitetin, ndërsa është raportuar edhe evakuimi i katit të parë të burgut të Durrësit.
Sipas Institutit të Gjeoshkencave, Energji, Ujë dhe Mjedis (IGJEO), reshjet intensive pritet të vijojnë deri në orët e paradites së të enjtes. Specialistët paralajmërojnë se situata mbetet kritike për shkak të intensitetit të shtuar të reshjeve, të cilat janë të përqendruara kryesisht në veri dhe jug të vendit.
Në qarqet Shkodër, Kukës, Dibër, Lezhë, Durrës, Elbasan, Vlorë dhe Gjirokastër ekziston rreziku për vërshime të shpejta të lumenjve të vegjël malorë, si dhe për rrëshqitje dherash në zonat problematike.
Edhe pse intensiteti i reshjeve në qarkun e Durrësit pritet të jetë më i ulët krahasuar me orët e para, problematikat do të vijojnë gjatë pasdites së sotme dhe ditës së nesërme, veçanërisht në zonat urbane, për shkak të grumbullimit të shpejtë të ujit.
Sipas llogaritjeve hidrologjike të IGJEO-s, reshjet me intensitet të lartë do të sjellin rritje të ndjeshme të prurjeve dhe niveleve të lumenjve, ku situata më shqetësuese parashikohet në sistemin Drin–Buna dhe në Liqenin e Shkodrës.
Ndërkohë, specialistët bëjnë me dije se ditën e enjte pritet një ulje e ndjeshme e temperaturave, ndërsa reshjet e shiut do të zëvendësohen nga reshje dëbore në zonat përkatëse.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



