Kaos në Rrugën e Arbrit, borëpastruesja përplas tre makina
Një mjet borëpastrues është përfshirë në një aksident të trefishtë në rrugën e Arbrit, pranë tunelit të Murrizit, në krahun e Klosit.
Ngjarja ka ndodhur në momentin kur mjeti po kryente pastrimin e dëborës, ndërsa gjatë manovrave ka goditur një automjet tip Volkswagen, i cili lëvizte në drejtim të Tiranës. Si pasojë e goditjes, ky automjet është përplasur më pas edhe me dy mjete të tjera që qarkullonin në të njëjtin segment rrugor.
Nga aksidenti janë raportuar disa persona të lënduar, ndërsa drejtuesi i automjetit Volkswagen është transportuar në spital për të marrë ndihmë mjekësore të specializuar.
Në vendngjarje kanë mbërritur shërbimet e Policisë, të cilat kanë nisur hetimet për të sqaruar rrethanat dhe shkaqet e aksidentit.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



