Kapet i treti i ‘grupit të gjobave’ që ishte në kërkim
Gjatë operacionit të koduar “Përsëritësit”, i cili nisi në gusht të këtij viti për goditjen e veprimtarisë kriminale në fushën e gjobëvënies, u arrestuan dy anëtarët e tjerë të këtij grupi, Edmond Gecaj dhe Ilson Beqiraj. Ndërsa dje, Sektori i Krimeve të Rënda ndaj Jetës dhe Pronës, në bashkëpunim me Prokurorinë për Krime të Rënda, pas një pune të mirorganizuar dhe hetimi disajavor, bëri të mundur kapjen dhe ndalimin e shtetasit Valter Ukcamaj, 35 vjeç, lindur në Tropojë dhe banues në Tiranë.
Policia tha dje se Ukcamaj ishte shpallur në kërkim për veprën penale “Shtrëngimi me anë të kanosjes ose dhunës për dhënie pasurie”. Nga hetimet e deritanishme rezulton se ky shtetas, në bashkëpunim me pjesëtarë të tjerë të grupit, që është konsideruar grup i strukturuar kriminal, dy prej të cilëve u arrestuan më 2 gusht, dyshohet se është autor i disa rasteve të shtrëngimeve me anë të kanosjes për dhënie pasurie, ndodhur në periudha të ndryshme kohore në qytetin e Tiranës.
Nga ana e grupit hetimor vazhdon puna intensive për dokumentimin e plotë ligjor të këtyre ngjarjeve dhe disa ngjarjeve të tjera, të cilat dyshohen se janë kryer nga këta persona.
GRUPI Më 2 gusht të këtij viti, Policia arrestoi dy persona, Edmond Gecajn, 30 vjeç, i njohur si koka e grupit, dhe 18- vjeçarin Ilson Beqiraj. Policia tha 3 muaj më parë se këta shtetas dyshohet se i kanë vendosur gjobë 12 mijë euro një shtetasi, të cilit i kanë marrë 7.500 euro. Dy ditë pas arrestimit të tyre, Gjykata e Krimeve të Rënda i la në burg dy të dyshuarit. Prokuroria kërkoi mbajtjen në qeli për dy personat, ndërsa pala mbrojtëse kërkoi lirimin e tyre me pretendimin se nuk bëhej fjalë për gjobëvënie, por një marrëveshje financiare për dëmshpërblimin e një aksidenti rrugor, ku është përfshirë njëri nga të arrestuarit.
Megjithatë, Gjykata vendosi masën “Arrest në burg” për të dy, Gecajn dhe Beqirajn. Për Beqirajn u vendos masë me afat dymujor. Gjatë seancës, Prokuroria kërkoi burg për dy të pandehurit, duke u qëndruar materialeve të referuara nga Policia për akuzën e “Shtrëngimit me anë të kanosjes për dhënie pasurie”.
Avokati, por dhe familjarët e 18-vjeçarit Ilson Beqiraj kërkuan lirimin e tij, pasi sipas tyre, rasti konkret nuk ka të bëjë me një gjobëvënie, por me detyrime të palëve për dëmin e një aksidenti të ndodhur në 19 shtator të vitit 2018, ku shtetasi F.Ruka dyshohet se ka përplasur Beqirajn dhe është larguar nga vendngjarja. Pas përplasjes në afërsi të rrugës “5 Maji” në Tiranë, familjarët pretendojnë se i riu, me ndihmën edhe të 30-vjeçarit Gecaj, ka bërë identifikimin e drejtuesit të automjetit.
Më pas, sipas tyre është arritur një marrëveshje financiare prej 12 mijë eurosh për t’u paguar nga shkaktari i aksidentit për mbulimin e shpenzimeve të spitalit, por rasti është denoncuar në Polici si gjobëvënie. Masë më të lehtë ka kërkuar dhe avokati i 30-vjeçarit Gecaj, me pretendimin e njëjtë se nuk ka të bëjë me gjobëvënie. Në përfundim të argumentimit të organit të Akuzës dhe palës mbrojtëse, gjyqtari vendosi t’i japë kohë Prokurorisë për të kryer hetime mbi aksidentin e ndodhur në shtator të vitit të kaluar.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



