AMT-ja del në shesh dhe nis protestën kundër dhunës poliore
Protestat në Tiranë do të rinisin sërish. Këtë herë do të jenë artistët ata që do kërkojnë të drejtat e tyre.
Regjisori Robert Budina ka paralajmëruar se ditën e sotme do të protestojnë në orën 18.00 para Ministrisë së Brendshme pas dhunës së ushtruar ditën e djeshme ndaj aktivistëve.
Në një lidhje për Fax News, Budina tha se “Shoqërimi ishte shkelje flagrante e të drejtave të njeriut. Në orën 18.00 do të protestojmë para Ministrisë së Brendshme.”
Deklarata e Aleancës për Mbrojtjen e Teatrit:
Dje disa nga pjesëtarët e Aleancës për Mbrojtjen e Teatrit, Astrit Seranaj, Donald Martini, Gentian Hasani, dhe Ergys Mërtiri janë ndaluar dhunshëm nga policia në përpjekjen e tyre për të bërë liven e përditshëm para sheshit të teatrit dhe më pas janë shoqëruar forcërisht në komisariat pa asnjë arsye, përgjatë së cilës është ushtruar dhunë psikologjike.
Brenda ambienteve të komisariatit dhuna është përshkallëzuar. Në prani të dhjetëra efektivëve të policisë, disa prej tyre janë përpjekur të zhdukin provat nga celulari i Ergys Mërtirit, të tjerë kanë goditur në fytyrë me grushte dhe shkelma Astrit Seranaj dhe Donald Martinin, koreograf i njohur, pikërisht ditën që ai fitoi një çmim prestigjioz në Los Angeles Usa duke ngritur lart kulturën shqiptare.
Në kohën kur Komisionerja për Mbrojtjen e të Drejtave të njeriut në Strasburg Znj. Dunja Mijatoviç i bën thirrje qeverisë shqiptare të respektojë të drejtën e tyre për protestuar ndodh krejt e kundërta:
Policia e Shtetit dhunon aktivistët e Teatrit duke shkelur hapur ligjin e Policisë.
Ky veprim i Policisë së Shtetit e ka fillesën tek dhuna e ushtruar më 17 maj kur shëmbja e Teatrit filloi përgjatë kohës kur mbrojtësit e Teatrit ishin ende brenda dhe ende nuk po ndalet edhe pas protestave që i shkaktoi vrasja e të riu Klodian Rasha.
Ky veprim tregon se Policia e Shteti nuk ka reflektuar për dhunën që po ushtron ndaj protestuesve dhe fjalës së lirë por tregon se filozofia e saj është pikërisht dhuna për njerëzit që kërkojnë të drejtat e tyre, ndërkohë që duhej të ishte kapja e keqbërësve dhe kriminelëve.
E konsiderojmë këtë një akt shumë të rëndë që cenon të drejtat dhe liritë e njeriut në Shqipëri ndaj kërkojmë:
1. Marrjen a masave nga Policia e Shtetit ndaj efektivëve që ushtruan dhunën pa motiv, shkarkimin dhe procedimin penal të tyre.
2. Shkarkimin dhe procedimin penal të Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit Z.Ardi Veliu.
3. Ristrukturimin e Policisë së Shtetit që ajo ti rikthehet qytetarëve.
Sot në orën 18.00 në sheshin para Ministrisë së Brendshme.
Së bashku për ti rikthyer dinjitetin Policisë së Shtetit.
ALEANCA PËR MBROJTJEN E TEATRIT
Pasditen e djeshme, disa aktivistë u shoqëruan nga Policia në zonën para Teatrit ndërsa ende nuk dihen arsyet. Policia shoqëroi Astrit Seranaj, Ergys Mertirin, Donald Martini dhe Gentjan Hasani. Regjisori Budina tha ditën e djeshme se aktivistët thjesht donin të hynin në pedonale, ndërsa akuzoi policinë për dhunë.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



