Kërcënimet për bombë në mbi 100 institucione, kërkohet ndihma e Europol
Pas dy e-maileve kërcënuese të dërguara në adresat e mbi 100 institucioneve në të gjithë vendin, ku paralajmërohej vendosja e një bombe, Antiterrori ka kërkuar ndihmën e strukturave të specializuara të Europol për hetimin e rastit.
Sipas burimeve të gazetares Anila Hoxha, hetimet janë përqendruar në fushën kibernetike, ndërsa çështja pritet t’i përcillet ditën e sotme Prokurorisë për veprën penale “Përhapja e informatave të rreme që nxisin panik”, e parashikuar nga neni 267 i Kodit Penal.
Grupi hetimor dyshon se autori ose autorët e mesazheve mund të kenë përdorur një përkthyes automatik për përkthimin e tekstit në gjuhën shqipe. Dyshimet janë ngritur pas analizimit të përmbajtjes së dy e-maileve të dërguara një ditë më parë në dhjetëra institucione.
Si një prej shembujve të evidentuar gjatë analizimit të tekstit, në vend të formulimit të saktë “Ky është Shteti Islamik”, në e-mail ishte shkruar “Kjo është Shteti Islamik”, çka ka ngritur dyshime se teksti mund të jetë përkthyer automatikisht.
Lista e institucioneve që morën këto mesazhe ishte e gjatë. Pas alarmit, disa prej tyre u evakuuan dhe u kontrolluan nga strukturat e Policisë, përfshirë edhe efektivë të specializuar dhe qen antieksplozivë.
Ndër institucionet e përfshira ishin disa gjykata, me përjashtim të Gjykatës Kushtetuese dhe Gjykatës së Lartë, Ministria e Brendshme, Ministria e Mjedisit, Meteorologjia, Qendra Kombëtare e Biznesit, Sigurimet Shoqërore, Inspektorati Shëndetësor, Agjencia e Pyjeve, si dhe disa bashki në vend.
Paralelisht me kontrollet fizike, oficerët e Policisë Gjyqësore kanë administruar si prova edhe komunikimet elektronike, duke kryer veprime hetimore për të identifikuar burimin nga janë nisur mesazhet.
Në e-mailet kërcënuese pretendohej se në institucionet përkatëse ishte vendosur një bombë, e cila do të shpërthente brenda dy orësh. Megjithatë, kontrollet e kryera nuk kanë konstatuar lëndë shpërthyese.
Ky është rasti i dytë i një alarmi të ngjashëm brenda këtij viti. Pak muaj më parë, një kërcënim për bombë ishte raportuar edhe në një qendër tregtare.
Hetuesit po verifikojnë tashmë gjurmët elektronike të lëna nga dërguesi i mesazheve, ndërsa për shkak të natyrës së rastit është kërkuar edhe asistenca e Europol për hetime të specializuara në fushën kibernetike.
Rasti i Vladislav Urban
Një rast i ngjashëm është hetuar më herët edhe nga autoritetet shqiptare. Në një prej çështjeve të raportuara nga gazetarja Anila Hoxha, SPAK ngriti akuza në mungesë ndaj shtetasit rus Vladislav Urban.
Sipas hetimeve të asaj kohe, Urban dyshohet se në vitin 2023 kishte dërguar një e-mail kërcënues për vendosjen e një bombe në aeroportin e Rinasit, duke pretenduar se do ta shpërthente nëse Shqipëria nuk do ta njihte Kosovën si pjesë të Serbisë.
Tashmë, hetuesit po përpiqen të zbardhin nëse pas alarmit të fundit fshihet një autor i vetëm apo një grup personash, ndërsa pista kryesore e hetimit mbetet ajo kibernetike.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



