Kërkesa për të larguar Bashën është e lehtësisht e kuptueshme
Genc Sejko
Le ta amnistojmë për një moment nga të gjitha gabimet dhe fajet që ka bërë si lider i opozitës dhe ta analizojmë situatën vetëm në aspektin praktik.
Ka humbur dy palë zgjedhje për pushtetin qëndror e nuk ka shpjeguar akoma se si ka ndërmend të fitojë zgjedhjet e ardhshme. Nëse Rama i vodhi ose i bleu zgjedhjet, kush është mekanizmi që Basha ofron që ky fenomen të mos përsëritet?
Basha nuk e ka një mekanizëm të tillë. Po ta kishte do ta kishte përdorur në zgjedhjet e Prillit. Në këto kushte kërkesa për largimin e Bashës nga posti i kryetarit është plotësisht e justifikuar.
Të kthehemi tek Berisha. Po ashtu si Bashën le ta amnistojmë edhe atë nga gabimet e fajet. Le ta marrim të mirëqenë se beteja nuk është personale por për të mirën e partisë dhe të opozitës.
Si e ndihmon kthimi i Berishës PD-në dhe opozitën? Sa gjasa ka që Berisha të fitojë kundër Ramës? A nuk është Berisha mbështetësi kryesor i parimit se ‘Kush humb zgjedhjet jep dorëheqjen e largohet’? A nuk humbi Berisha zgjedhjet me Ramën në 2013? Madje Berisha humbi zgjedhjet që kishte organizuar vetë.
Sa perqind e elektoratit gri (pa te cilin nuk vjen dot ne pushtet) do votonin PD-në e udhëhequr nga Berisha?
Kam pritur me durim ditën që Berisha do dilte e do deklaronte se, kjo betejë ka si qëllim hapjen e partisë dhe jo kthimin e tij në krye të saj. Kthimi i tij në krye të PD-së verteton se beteja nuk është parimore por personale.
Me keqardhje ju them atyre që e ndjekin se, Berisha nuk është zgjidhja. Ai që nuk ishte zgjidhje në 2013 nuk mund të jetë zgjidhje në 2021, e as në 2025.
PD-ja dhe opozita kanë nevojë për një ri-themelim dhe një hapje të madhe. Këtë proces nuk mund ta udhëheqë ai që në 2013 u largua me votë.
Kam një dobësi për Berishën. Kjo pasi unë i përkas një gjenerate që ndoshta gabim e lidh Berishën me rrëzimin e diktaturës. Do kisha dashur që ‘doktori’ të ishte larguar që në 2013 nga jeta politike e të kishte hapur një garë të lirë për kreun e PD-së, kështu të gjithë do kishim qenë më mirë sot. Unë do vazhdoj ta mbështes opozitën, pavarsisht se kush do jetë në krye të saj, pasi për mua opozita është mekanizmi i vetëm që kemi për largimin e kësaj qeverie dhe iu bëj thirrje edhe ju që ta mbështesni atë. Por dua që të shënohet që unë nuk e mbështes një lëvizje që sjell në krye të opozitës Berishën.
Për ta mbyllur kam vetëm një pyetje që do doja që ta lexonte Berisha edhe pse e di që nuk ka për ta lexuar. Është një pyetje që ka shqetësuar edhe të tjerë përpara meje.
Doktor, ç’do bëhet me Romën kur të vdesë Çezari?
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



