Kodi i Ri Penal: Satira dënohet me burg, mediat me mbyllje
Në Shqipërinë e vitit 2025, tallja me politikanët mund t’ju çojë në burg. Nëse guxon të përqeshësh apo të përbuzësh publikisht udhëheqësit politikë të vendit, apo simbolet jofrymore të shtetit si Presidenti, Kuvendi, Gjykata Kushtetuese, Forcat e Armatosura apo edhe “Dëshmorët e Atdheut”, atëherë përgatitu për të kaluar deri në 4 vite pas hekurave.
Ky është thelbi i Nenit 236 në draftin e Kodit të ri Penal që qeveria shqiptare ka hedhur për konsultim publik, një projektligj që nuk duket se ka marrë frymëzim nga Europa, por nga manualet e censurës së regjimeve autoritare.
Nëse për flamurin në kodin aktual parashikohet një dënim deri në 3 muaj burg, për “përdhosjen” e Presidentit apo Kuvendit parashikohet deri në 3 vite burg. Nëse këtë “sakrilegj” e bën një media, atëherë shteti ka të drejtë të të mbyllë deri në 5 vjet.
Çfarë është “përdhosje”? Ja si e përkufizon vetë qeveria në dokumentin e saj:
“Dhunimi i diçkaje të shenjtë, vetive të larta morale apo vlerave të nderuara botërisht, poshtërimi, bërja e padobishme, përçmimi, tallja, përlyerja, apo përbuzja e institucioneve të përmendura…”
Pra, një status kritik, një karikaturë, një fjalim satirik, një editorial i ashpër apo edhe një meme, mund të jetë vazhdim penal, nëse dikush nga pushteti ndihet i “përdhosur”.
Ky nen, pjesë e kapitullit “Veprat kundër rendit kushtetues”, vendos “përçmimin” në të njëjtin nivel me kryengritjen, komplotin ndaj shtetit, tentativën për rrëzim me dhunë të pushtetit. Me pak fjalë, një meme mund të trajtohet njësoj si një puç.
🟦 Europa e kërkon lirinë e shprehjes, Shqipëria mbron flamurin… por jo qytetarin!
Ndryshe nga kjo filozofi represive, Bashkimi Evropian i ka kërkuar Shqipërisë të shfuqizojë edhe ato pak nene që penalizojnë “shpifjen” dhe “fyerjen”. Vetë neni 10 i Kartës Evropiane të të Drejtave të Njeriut garanton lirinë e shprehjes si një e drejtë bazë.
Por në vend që të ecë përpara, drafti i ri duket se kthen Shqipërinë pas, drejt mentalitetit të vitit 1995 kur dënimi për “shpifje ndaj presidentit” ishte normë, dhe homoseksualiteti trajtohej si vepër penale.
Kritikët: Ky kod është inkuizitor!
Prokurori i Përgjithshëm, Olsian Çela, dhe kreu i Dhomës së Avokatëve, Maksim Haxhia, kanë shprehur shqetësim për natyrën tejet të ashpër penale të projektit. Haxhia madje e quajti draftin si një dokument inkuizitor, që bie ndesh me frymën kushtetuese dhe vlerat evropiane.
Për më tepër, Kodi i ri e klasifikon politikanin si kategori të veçantë, duke e vendosur mbi qytetarin e thjeshtë dhe duke rritur ndëshkimin nëse ai është “viktimë” e një shkrimi apo fjale. Një shkelje flagrante e parimit të barazisë para ligjit.
Cili është rreziku real?
Nëse ky kod miratohet, Shqipëria do të ketë një ligj që nuk mbron qytetarin nga shteti, por shtetin nga qytetari. Jo vetëm që përqeshja e një pushtetari bëhet krim, por gazetaria kritike dhe satire politike kthehen në objekte përndjekjeje.
Në vend të hapjes ndaj opinionit dhe të drejtës për të kritikuar, ky projekt sugjeron mbyllje të mediave, ndalim të fjalës së lirë, dhe ndëshkim të çdo fjalie që i del nga binarët e servilizmit.
Në fund të ditës, kjo nuk është më çështje vetëm e gazetarëve. Është çështje e çdo qytetari që dëshiron të flasë pa frikë në një shoqëri që pretendon të jetë demokratike. Nëse tallja kthehet në krim, atëherë humori do të bëhet ilegal dhe fjala e lirë, një kujtim i bukur nga e kaluara.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



