E enjte, 15 tetor 2026 DENONCO ANONIM Denonco: +355 69 20 95 843
PUBLIK
Komisioni për shkarkimin e presidentit jashtë afateve kushtetuese
Publik News

Komisioni për shkarkimin e presidentit jashtë afateve kushtetuese

A mund të ngrihet një komision i ri hetimor për shkarkimin e Presidentit të Republikës?!Por duket se periudha e mbetur deri në përfundim të mandatit të këtij Parlamenti nuk i jep kohën e mjaftueshme për të hetuar dhe shkarkuar Presidentin e Republikës. Ligji nr. 8891, datë 2.5.2002 “Për organizimin dhe funksionimin e komisioneve hetimore të Kuvendit” përcakton qartë se katër muaj nga mbarimi i mandatit të këtij Kuvendi nuk mund të ngrihen komisione hetimore.

“Komisionet hetimore nuk mund të ngrihen gjatë 4 muajve para mbarimit të mandatit të Kuvendit”, thuhet në pikën 6 të nenit 4 të këtij ligji.

Kuvendi aktual ka nisur punën më 9 shtator 2017 dhe e përfundon mandatin e tij 4-vjeçar në 9 shtator 2021, që do të thotë se maxhoranca duhet ta përmbyllë hetimin e saj bashkë me votimin për shkarkimin e Presidentit brenda datës 9 maj, pra katër muaj para mbarimit të mandatit të Kuvendit. Nëse ky afat tejkalohet, i lind e drejta Gjykatës Kushtetuese që ta cilësojë komisionin hetimor për shkarkimin e Presidentit Meta dhe produktin e tij, raportin që do të votojë Kuvendi, në shkelje të procedurës parlamentare dhe ligjit për organizimin dhe funksionimin e komisioneve hetimore.

KUSHTETUTA

Konstitucionalistja e njohur,  Aurela Anastasi, thotë  se “procedura për shkarkimin e Presidentit të Republikës duhet të kalojë domosdoshmërisht në dy faza. Faza e parë zhvillohet nga Kuvendi, i cili në bazë të nenit 90, pika 2 të Kushtetutës, vendos miratimin ose jo të propozimit për shkarkimin e Presidentit të Republikës. Përmes këtij vendimi, Kuvendi vë në lëvizje Gjykatën Kushtetuese”. E pyetur se sa vota i duhen Gjykatës Kushtetuese për ta kaluar në seancë plenare kërkesën e Kuvendit për shkarkimin e Presidentit të Republikës, zonja Anastasi tha se kërkohet shumica e anëtarëve të saj.

“Faza e dytë është gjykimi nga Gjykata Kushtetuese. Kjo e fundit e shqyrton çështjen paraprakisht dhe për kalimin e saj në seancën plenare vendos me shumicën e anëtarëve të saj (pra 5 vota). Nëse gjatë shqyrtimit në seancë plenare ajo arrin në përfundimin se Presidenti i Republikës ka shkelur rëndë Kushtetutën, deklaron shkarkimin e tij nga detyra. Ky vendim hyn në fuqi nga dita e shpalljes së vendimit të Gjykatës Kushtetuese”, u shpreh zonja Anastasi.

Sipas saj, nga vendimi i Kuvendit deri në vendimin e Gjykatës Kushtetuese, statusi i Presidentit nuk ndryshon. “Nga dita e shpalljes së vendimit të Gjykatës Kushtetuese vendi i Presidentit të shkarkuar mbetet vakant dhe kompetencat e tij ushtrohen nga Kryetari i Kuvendit (neni 91/1 e Kushtetutës), deri në zgjedhjen e Presidentit të ri. Në këtë rast mendoj se brenda 10 ditëve nga deklarimi i Gjykatës Kushtetuese për shkarkimin e Presidentit të Republikës, duhet të fillojë procedurën për zgjedhjen e Presidentit të ri”, u shpreh zonja Anasatasi. Konstitucionalistja e njohur shprehet se nuk ka një afat kohor për Gjykatën Kushtetuese për të vendosur për kërkesën e Kuvendit.

“Nuk ka parashikime ligjore nga Ligji për organizimin e Gjykatës Kushtetuese në lidhje me kohëzgjatjen e gjykimit të saj. Në disa gjykime të posaçme ligji ka parashikuar afate, por jo në këtë rast. Ndërkohë, Rregullorja e Kuvendit ka vendosur disa afate për procedurat parlamentare”, u shpreh për  zonja Anastasi.

CFARE THOTE KUSHTETUTA

Neni 90
1. Presidenti i Republikës nuk ka përgjegjësi për aktet e kryera në ushtrim të detyrës së tij.
2. Presidenti i Republikës mund të shkarkohet për shkelje të rëndë të Kushtetutës dhe për kryerjen e një krimi të rëndë. Propozimi për shkarkimin e Presidentit në këto raste mund të bëhet nga jo më pak se një e katërta e anëtarëve të Kuvendit dhe duhet të mbështetet nga jo më pak se dy të tretat e të gjithë anëtarëve të tij.
3. Vendimi i Kuvendit i dërgohet Gjykatës Kushtetuese, e cila kur vërteton fajësinë e Presidentit të Republikës, deklaron shkarkimin e tij nga detyra.
Neni 91
1. Kur Presidenti i Republikës është në pamundësi të përkohshme për të ushtruar funksionet e tij ose kur vendi i tij mbetet vakant, Kryetari i Kuvendit zë vendin dhe ushtron kompetencat e tij.
2. Në rast se Presidenti nuk mund të ushtrojë detyrën për më shumë se 60 ditë, Kuvendi, me dy të tretat e të gjithë anëtarëve, vendos dërgimin e çështjes në Gjykatën Kushtetuese, e cila vërteton përfundimisht faktin e pamundësisë. Në rast të vërtetimit të pamundësisë, vendi i Presidentit mbetet vakant dhe zgjedhja e Presidentit të ri fillon brenda 10 ditëve nga dita e vërtetimit të pamundësisë.
Ligji për organizimin e komisioneve hetimore të Kuvendit Neni 4
Parime të përgjithshme
5. Komisionet hetimore të Kuvendit paraqesin rekomandime në seancë plenare dhe, kur këto miratohen, i dërgohen Prokurorit të Përgjithshëm për marrjen e masave të mëtejshme. 6. Komisionet hetimore nuk mund të ngrihen gjatë 4 muajve para mbarimit të mandatit të Kuvendit.

Na ndiqni në YouTubeVideo, intervista dhe transmetime nga PUBLIK TV Abonohu

Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.

Denonco
DENONCO

Zëri yt bëhet lajm.

Bëhu pjesë aktive e Publik.al. Raporto çdo padrejtësi, korrupsion apo ngjarje, me foto dhe video. Identiteti yt mbrohet nga redaksia.