Koncesioni abuziv lë shqiptarët pa analiza, KLSH: Manastirliu duhej ta anulonte
Koncesioni 100 milionë euro i laboratorëve, i cili sipas Kontrollit të Lartë të Shtetit duhet anuluar, ua ka vështirësuar situatën mijëra pacientëve nga Tirana dhe Shqipëria që kanë nevojë për kryerjen e analizave në Qendrën Spitalore Universitare në Tiranë.
Administrata e QSUT-së ka njoftuar mjekët që të mos kryejnë analiza, pasi është arritur limiti maksimal i numrit të tyre, referuar kontratës me kompaninë koncensionare “Laboratory Networks”.
Mesazhet janë publikuar së fundmi nga Syri TV dhe Syri.net.
Procedura për koncesionin e laboratorëve nisi nga Ilir Beqja dhe përfundoi nga Ogerta Manastirliu.
Kontrolli i Lartë i Shtetit kërkoi anulimin e këtij koncesioni, pasi bashkimi i operatorëve që fitoi koncesionin, nuk plotësonte disa kritere të rëndësishme në momentin e konkurrimit.
Konsulenti ndërkombëtar, që asistoi procedurat, konstatoi se disa kompani përfituese të kontratës me seli në zona “offshore”, gjendeshin nën hetim nga autoritetet spanjolle.
Gjithashtu, një prej kompanive fituese të koncesionit, francezja “Exalab”, nuk krijonte garanci për realizimin e testimeve të nevojshme, sipas kushteve të kontratës.
Nga ana tjetër, Kontrolli i Lartë i Shtetit ka konstatuar se koncesioni zotërohet në 75 përqind të saj nga biznesmeni Janis Karathanos.
Kontrolli absolut mbi kontratën koncesionare është në kundërshtim me përcaktimet ligjore mbi procedurat e Partneritetit Publik-Privat, shprehen audituesit shtetërorë në raport.
Kontrolli i Lartë i Shtetit deklaron se Ministria e Shëndetësisë duhej të kishte eliminuar që në fazën e parë bashkimin e kompanive të mbledhura në shoqërinë “Laboratory Networks”.
Por, meqenëse kontrata tashmë është nënshkruar, KLSH i rekomandon Ministrisë së Shëndetësisë që të bashkëpunojë me Avokaturën e Shtetit dhe të informojë Ministrinë e Financave për problematikat, si edhe të nisë procedurën e zgjidhjes e saj.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



