Konstitucionalisti Sokol Hazizaj: Gjykata Kushtetuese vështirë të ngrihet deri në zgjedhjet e ardhshme
Mungesa e ngritjes së Gjykatës Kushtetuese vazhdon të mbetet një ndër çështjet e retorikes se përditshme politike e juridike në vend. Së fundmi ishte ambasadorja amerikane, Yuri Kim, me një reagim nga Shkodra, e cila ngriti këtë shqetësim dhe bëri apel të veprohet sa më shpejt për ta bërë funksionale këtë hallkë kyçe të drejtësisë shqiptare.
Euronews Albania zhvilloi një bisedë me konstitucionalistin Sokol Hazizaj, i cili tha se janë bërë më shumë se tre vjet që Shqipëria nuk ka Gjykatë Kushtetuese.
Sipas tij, kjo situatë ka shkaktuar pasoja të mëdha duke rritur numrin e dosjeve, të cilat presin të shqyrtohen. Ai thekson se vetimi i gjyqtarëve dhe prokurorëve duhej bërë gjatë kohës që Gjykata Kushtetuese ishte funksionale.
“Duhet të identifikojmë dy momente që janë shumë të rëndësishme. E para, ne jemi në mungesë të Gjykatës Kushtetuese, u bënë më shumë se tre vjet që Gjykata Kushtetuese nuk është funksionale. Së dyti, jemi para një numri shumë të madh dosjesh pranë Gjykatës Kushtetuese, të cilat kanë nevojë të zgjidhen dhe t’i japin frymë të drejtës kushtetuese dhe ligjore. Mundet që, procesi i vetimit duhet të ishte realizuar edhe gjatë kohës që funksiononte dhe Gjykata Kushtetuese, çdo lloj deklarimi tjetër sot është deklarim jo procedural dhe jo formal, por deklarim politik”, tha ai.
Por, si duhet kuptuar deklarata e djeshme e ambasadores së SHBA, Yuri Kim, për ngritjen e Gjykatës Kushtetuese, për këtë çështje z. Hazizaj u shpreh si vijon:
“Ndaj deklarimeve politike unë nuk kam asnjë lloj të drejte për të thënë kanë apo jo të drejtë. Ambasada amerikane ka vlerësuar një realitet që ka ardhur për shkak të asaj që ne jemi të bindur. Ky Kuvend dhe ai i mëparshëm e krijuan këtë lloj anomalie. Jo, unë mendoj se e para është që ky realitet shqiptar nuk është realitet i provokuar prej tyre, por realitet i provokuar nga vetë shqiptarët. Sot misionet diplomatike por tregojnë të vërtetën e të gjithë këtij procesi. Në këtë kuptim, me të drejtë trysnon politikën shqiptare për të ringritur këtë ngrehinë”, shton ai.
Konstitucionalisti Hazizaj u shpreh skeptik për ngritjen e Gjykatës Kushtetuese brenda afati dymujor, ndërsa renditi arsyet reale që sipas tij ndikojnë në frenimin e këtij procesi.
“Ata e dinë më mirë se unë, edhe Kuvendi e di më mirë se unë se enët poshtë Gjykatës Kushtetuese janë bosh. Nuk mundet dhe nuk ka se si të krijohet Gjykata Kushtetuese në këto dy muaj të ngelur. Ne do ta kemi fatin e zi që edhe në zgjedhjet që vijnë vështirë është se mund të krijohet Gjykata Kushtetuese, të tjerat pastaj janë deklarime politike”, theksoi ai.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



