Konstituohet grupi i dialogut mes mazhorancës e opozitës

Pakti mes PS dhe Rithemelimit/ Dialog për ligjet me 84 vota!

Konstituohet grupi i dialogut mes mazhorancës dhe opozitës për ligjet që kërkojnë shumicë të cilësuar votash si dhe ligjet e nevojshme për rrugëtimin në Bashkimin Evropian.

Mbledhja u zhvillua në sallën e Komisionit Parlamentar të Ligjeve. Sipas marrëveshjes mes palëve ky grup do të ketë 3 anëtarë nga opozita dhe 3 nga mazhoranca.

Nga Partia Socialiste anëtar janë Damian Gjiknuri, Klotilda Bushka dhe Toni Gogu.

Anëtarët e opozitës do të jenë Oerd Bylykbashi, Dhurata Çupi dhe Erisa Xhixho nga Partia e Lirisë.

Në mbledhjen me dyer të mbyllura që zgjati rreth 1 orë, u ngrit grupi i punës pas dakordësisë së arritur mes palëve.

Ky grup pritet të marrë vendime me konsensus për ligjet që duan 84 vota, përfshirë Reformën Zgjedhore, për të shkuar drejt votimit në parlament, me dakordësinë e palëve.

Në një dalje për mediat, Bylykbashi tregoi detaje nga puna e këtij grupi.

“Prioritet për opozitën dhe punën është trajtimi i reformës zgjedhore. Amnistia Penale nuk ishte çështje që u diskutua. Ajo që ramë dakord është listimi dhe përcaktimi në një mbledhje tjetër të objektit të punës. Do ndiqen praktikat më të mira. E nevojshme të kemi mundësinë të punohet. Opozita e ka mbështetur gjithmonë amnistinë. Duhet të shohim zgjidhjet konkrete që të arrijë objektivat.

Reforma Zgjedhore ka qenë gjithmonë çështje e vullnetit politik, përveçse detyrim. Do t’i drejtohemi për ekspertizë edhe organizatave ndërkombëtare”, tha ai.

Publikuar nga Publik Media