Korçë çmimi i një kg kushton deri në 600 lekë
Çmimet e produkteve ushqimore janë rritur ndjeshëm dhe këtu nuk bën përjashtim as fasulja.
“Buka e të varfërve” po ju kushton shumë shqiptarëve, të cilët ndër vite e kanë konsideruar si ushqim të rëndësishëm në tryezë. Këtë vit në Korçë fermerët prodhuan më pak fasule dhe kjo reflektohet edhe në çmimin e shitjes. Raportohet se në treg një kilogram fasule iu kushton qytetarëve 450 – 600 lekë nga xhepi i tyre.
Kjo shifër rekord sipas fermerëve vjen si pasojë e faktit që ata nuk morën as gjysmën e prodhimit që kishin parashikuar si pasojë e motit të paqëndrueshëm në fillim të verës i cili i dëmtoi bimët në fazën e çeljes dhe më pas të nxehtit ekstrem dhe thatësirës.
Ndodhur në këto kushte, ku çmimi bëhet i papërballueshëm, konsumatorët po e zëvendësojnë fasulen vendase me atë që vjen nga Egjpti dhe që shitet me një çmim më ekonomik, 200 lekë për kilogram. Një altenativë tjetër që po “përqafohet” nga shqiptarët është edhe fasulja turke që shitet me 300 lekë për kilogram.
Theksojmë që rajoni i Korçës llogarit çdo vit 2443 ha të mbjellë me fasule dhe rreth 2700 ton në vit prodhim, por në treg prodhimi vendas po konkurrohet nga ai i importit.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



