Korçë/ Shiste drogë pranë 2 shkollave 9-vjeçare, arrestohet 57-vjeçarja
Një 57-vjeçare është arrestuar në Korçë pasi në lokalin e saj shiste drogë sintetike, bonsai.
Eleni Bregu u arrestua pasi gjatë kontrollit në lokalin e saj u gjetën doza të kanabisit sintetik bonsai dhe një shkop druri, ndërsa në shtëpinë e saj u gjetën vazo me kanabis dhe mjetet e nevojshme për shitjen e saj.
57-vjeçarja drogën e prodhuar në shtëpi, e shiste në lokalin e saj që ndodhej pranë 2 shkollave 9-vjeçare në Korçë.
Vlen të thuhet se droga sintetike bonsai ka kohë që ka hyrë në Shqipëri dhe të shumta kanë qenë rastet që konsumatorët e saj kanë përfunduar në spital. Sipas specialistëve, kjo lloj lënde narkotike shkakton çregullime të mëdha psikologjike deri në halucinacione. Droga në fjalë, e cila në dukje është si kanabisi është një prodhim sintetik që kushton më pak se marijuana, ndërsa është shumë më e rrezikshme se heroina.
Njoftimi i policisë:
Shërbimet e Policisë kanë ushtruar kontroll në lokalin e kësaj shtetaseje, në lagjen nr. 17, Korçë, ku gjetën sasi cannabisi sintetik të llojit bonsai, të ndarë në doza dhe një shkop druri që plotësonte kushtet e armës së ftohtë. Në vijim të veprimeve procedurale, gjatë kontrollit të ushtruar në banesën e saj, u gjetën dy fidanë cannabis sativa të kultivuar në vazo, disa doza me lëndë narkotike të dyshuar cannabis, 1 peshore elektronike dhe 1 grirëse për bimët narkotike, të cilat u sekuestruan si provë materile, së bashku me ato që u gjetën në lokal.
Nga hetimet e kryera dyshohet se kjo shtetase ushtronte veprimtarinë e kundërligjshme të prodhimit dhe shitjes së lëndëve narkotike. Dozat e lëndëve narkotike që prodhonte në banesë, i shiste në lokalin e saj që ndodhej në afërsi të dy shkollave 9-vjeçare, në Korçë.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



