Koronavirusi i mori jetën ish-trajnerit të boksit, reagon Meta: Lamtumirë Kampion
Presidenti Ilir Meta ka reaguar pas lajmit për ndarjen nga jeta të ish-trajnerit të boksit Skënder Kurti.
Meta e kujton Kurtin si një njeri që gëzonte respektin e të gjithëve, ndërsa thotë që ai ishte i admiruar nga të gjithë brezat e sportdashësve, për rezultatet e tij në ring dhe për pasionin që kishte për boksin.
Presidenti i shpreh ngushëllimet familjes Kurti për këtë humbje të pazëvendësueshme.
” Edhe në këto ditë të vështira i madhi Ner Kurti luftoi fort, si një kampion që nuk dorëzohet lehtë”, shkruan ndër të tjera Meta.
Postimi i plotë:
Me hidhërim të thellë mësova lajmin tragjik të ndarjes nga jeta të boksierit dhe trajnerit të shquar të Ekipit Kombëtar, njërit prej ikonave të sportit kryeqytetas, Skënder Kurti!
I admiruar nga të gjithë brezat e sportdashësve për rezultatet e tij në ring dhe pasionin e jashtëzakonshëm për sportin e dorezave, Ner Kurti gëzonte respektin e të gjithëve, veçanërisht të tironasve të mrekullueshëm që aq shumë e donin dhe i donte!
Edhe në këto ditë të vështira i madhi Ner Kurti luftoi fort, si një kampion që nuk dorëzohet lehtë!
I shpreh ngushëllimet më të sinqerta familjes Kurti, të afërmve, bashkëpunëtorëve e miqve të shumtë, në veçanti qytetarëve të Tiranës e tifozave të ngjyrave bardhë e blu për këtë humbje të pazëvendësueshme!
LAMTUMIRË KAMPION!
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco




