Korreshi: Karçanajt i qamë hallin, ajo del në Palasë me rroba banje
Deputeti Saimir Korreshi ka ngritur shqetësimin për ndikimin e parasë së paligjshme në sektorin e ndërtimit, duke theksuar se çmimet e apartamenteve, veçanërisht në Tirana, janë bërë të papërballueshme për shumicën e qytetarëve.
Gjatë një deklarate në Komisionin e Ligjeve, ai u shpreh se tregu imobiliar po ndikohet ndjeshëm nga paratë që vijnë nga aktivitetet kriminale dhe që më pas investohen në ndërtime luksoze.
“Pastrimi i parave, është bërë një lavatriçe shumë e madhe. Nuk e themi vetëm ne si opozitë por edhe prokurorë italianë e gjermanë. Në çdo emision jemi bërë si ajo gjyshja që tregonte përralla të shtunën. Të gjithë thonë që mafia shqiptare është shumë e rrezikshme dhe të gjithë e kanë hallin te pastrimi i parave.
6 mijë euro metri në kulla, kush i merr këto kulla? Në dijeninë e të gjithëve dimë se kush po ndërton në Tiranë, një pjesë e mirë nën emra, apo problemin e lekëve me fajde. Dimë edhe kush po ndërtojnë në jug.
Nga buron i gjitha ky lek në ndërtim ku 95 për qind e shqiptarëve nuk arrijnë dot të marrin një shtëpi në Lushnje jo më në Tiranë. Ju thoni shteti do t’ua lërë barrë bankave dhe noterëve por ata e kanë pasur.
Karçani e shkretë nuk kishte shtëpi ishte me qera, qamë hallin kush do t’i paguante qeranë se iku edhe nga detyra. Kur ajo del në Palasë me rroba banje. Nga 2013 e dimë që çdo gjë është online, pse nuk janë zbuluar, a ka kapacitet kjo ndërmarrje të verifikojë kaq kontrata?”, tha ai.
Korreshi theksoi se situata aktuale kërkon ndërhyrje më të fortë institucionale dhe transparencë më të madhe për të kuptuar burimin e kapitalit që po qarkullon në tregun e ndërtimit, duke ngritur dyshime serioze mbi mënyrën se si po zhvillohet ky sektor në vend.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



